<b></b> Largohet nga RTK-ja, mori pagë pa punuar

Largohet nga RTK-ja, mori pagë pa punuar

07.05.2022 20:51

Përkundër faktit se ndryshimet kanë filluar, ose synimi ishte për një gjë të tillë, ende ka probleme në shtëpinë e televizionit publik.

Së fundi është regjistruar një tjetër pagesë për një punëtor, që merrte page edhe diku tjetër. Ky punëtor i RTK-së veçse është përjashtuar nga puna.

Siç merr vesh Nacionale, kameramani A. J kishte disa muaj që nuk shkonte fare në punë.

Burime brenda transmetuesit publik thonë se ky ish i punësuar, ka një biznes tjetër dhe se ai 'ka marr pagë tash e disa muaj, pa u shfaqur asnjë ditë në punë'.

Skandale të ngjashme si ky i fundit në RTK janë zbuluar gjatë 3 muajve të fundit, ku deri më tash janë shkëputur 9 kontrata pune, 7 nga të cilat për shkelje të rënda të kontratës së punës.

Menaxhmenti në detyrë i transmetuesit publik në prill, poashtu nuk u ka vazhduar kontratat mbi 150 punëtorëve, të cilët ndër vite ishin të angazhuar me kontrata për shërbime.

Kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini në paraqitjen e fundit në komisionet parlamentare pat thënë se punëtorët kanë filluar të dalin më më rregull në punë.

Sipas shifrave zyrtare, Radio Televizioni i Kosovës, në të gjitha kanalet e saj ka mbi 770 punëtorë. Në dhjetor 2021 ndërkaq, numri i të punësuarve ishte mbi 1,000.

Këto ndryshime u panë si të domosdoshme nga partia që tashmë udhëheqë, teksa deklarimet për ndryshime në këtë institucion, e kishte proklamuar tash e një kohë të gjatë.

Përkundër ndryshimeve, respektivisht largimeve, ka goxha pakënaqësi brenda RTK-së, kjo për shkak se në dikastere të caktuara, ka mungesë të punëtorëve.

Siç mëson Nacionale, një numër i të larguarve nga puna, kanë qenë të domosdoshëm për këtë institucion, ku edhe momentalisht duhen bërë ndryshime, për të funksionuar në mënyrën më të mire të mundshme.

Gjithsesi, javëve apo muajve në vijim priten edhe ndryshime të tjera. Ne do t’ju raportojë për çdo risi eventuale lidhur me këtë dhe jo vetëm.

Tjera nga autori:
1