<b></b> Le të kthehet 100% e Trustit dhe të kalohet në sistemin pensional të solidaritetit ndër-gjeneracional

Le të kthehet 100% e Trustit dhe të kalohet në sistemin pensional të solidaritetit ndër-gjeneracional

05.05.2022 23:41

Shkruan: Gazmend Demolli 

Sistemi aktual i sigurimit pensional, nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk është i paraparë për vendet me strukturë sociale dhe demografike si Kosova. Shumë kategori sociale, siç janë të papunët kronikë, gratë amvise, personat me karriera të shkara, artizanët, bujqit, punëtorët e detyruar të punojnë pa kontratë ose me kontrata të rreme, janë në gjendje të vështirë sot, do të jenë në gjendje edhe më të vështirë nesër kur të vijnë në moshë pensionimi. Po flasim për gjysmën e popullatës aktive. Edhe ata që sot janë në pension, kanë të ardhura minimale që i lënë në kufijtë e gjendjes së varfërisë dhe vartësisë së skajshme.

Në anën tjetër, presioni edhe në këtë sistem të Trustit, që është i paraparë vetëm për rata që fitojnë sot mjaft, që sot sadopak i kanë kushtet më të mira të jetesës, presioni në këtë sistem vazhdon të jetë i madh që kohë pas kohe të tërhiqen para nga ai dhe me kohë mund të kthehet në një fond të zbrazur që nuk do t’i plotësojë nevojat minimale për një pension të denjë. Ky format i pensionimit nuk do të ketë modularitetin e nevojshëm për t’u përballur me sfidat e reja që do të dalin nga zgjatja e jetës, financimi i kujdesit ndaj të moshuarve, nevojat për një shëndetësi të re të moshës, e të tjera. Ky sistem është i paraparë të dështojë edhe për ata që kontribuojnë sot e lëre më për të tjerët.

A është ardhmëri e dëshiruar ajo ku do të kemi gjysmën e të moshuarve në varfëri e vartësi të skajshme?

Ky sistem përdoret në vendet me standard shumë të lartë të jetës, ku papunësia është margjinal, pra të papunët janë ata që janë në proces të ndryshimit të vendit të punës, dhe kanë sistem papunësie që vazhdon të jetë kontribuues. Vende si Zvicra, Amerika e simotra.

A ka alternativë ky sistem? Franca për shembull mbron me bindje të plotë dhe me militantizëm sistemin pensional të bazuar në rishpërndarje, të bazuar në solidaritet ndër-gjeneracional. Çfarë është ky sistem dhe pse funksionon? Ideja bazë është që të mblidhen kontributet e punonjësve aktivë, dhe me atë fond të financohet pensioni i atyre që sot janë të pensionuar. Duke marrë parasysh shumë kritere si kohëzgjatja e punës kontribuuese, vështirësia e punës, aspekte të tjera si numri i shtatzënive, mosha e pensionimit, e të tjera. Pra, paratë e mbledhura tash nga kontribuuesit, përdoren tash për pensionistët. Pra nuk ruhen në një fond por rishpërndahen aty për aty. Është kontratë ndër-gjeneracionale që jep besimin se në të ardhmen do të jetë e njëjta, dhe gjithë popullata ka besim dhe ofron mbrojtje për këtë sistem. Monitorohet dhe parametrohet nga organet e zgjedhura, si dhe ato të pavarura.

Ky do të ishte një sistem më i duhur për shoqërinë Kosovare. Do të kontribonte në një rishikim të skemave aktuale pensionale, në ngritjen e pensioneve aktuale në mënyrë të drejtë, pa shkaktuar ndonjë ndryshim në nivelin e kontributeve aktuale të shoqërisë aktive. Bile bile, mund të parashihet një rishikim të kontributeve duke kompletuar kontributet me një pjesëmarrje të importit  përmes TVSH-së, siç ka bërë Gjermania më 2017 ose vende të tjera si Danimarka.

Piramida e moshave në Kosovë edhe për shumë dekada do të jetë shumë e favorshme për këtë sistem. Shumë më i favorshëm se në Gjermani, Francë e vendet tjera Evropiane. Në Kosovë vetëm 6% e popullatës është mbi moshën 65 vjeçare, gjersa në shumicën e vendeve Evropiane kjo shifër shkon mbi 20%. Edhe Kosova pas disa dekadave do t’i afrohet kësaj shifre, shpresojmë, por deri atëherë sistemi do të jetë në gjendje të etabluar, pra kjo periudhë e favorshme përkon fort me nevojën për ndryshim dhe e mundëson këtë.

Si bëhet ndryshimi? Fare lehtë. Në e parë shpërndahet 75% të Trustit, pra rreth 2 miliardë euro, i kthehen kontribuuesve, duke bërë këtë investimin më të madh direkt që ka pasur ndonjëherë Kosova. Plan i vërtetë Marshall. Ridizajnohet kontributdhënia, përmes kontributit në pagë dhe TVSH. Në këtë fazë paguhen skemat pensionale ashtu siç janë. Në fazën e dytë ridizajnohen skemat pensionale për të qenë më të drejta dhe të qëndrueshme. Në fazën e tretë, jo më larg se pas një viti, kthehet edhe shuma e mbetur prej 25%.

Të gjithë atyre që nuk u konvenon apo nuk iu duhet të marrin paratë e Trustit, mund t’i kalojnë ato para te shtylla e tretë e kursimeve individuale. 

Unë besoj në këtë sistem pensional dhe mendoj se është shumë i drejtë, solidar dhe i qëndrueshëm. Për të gjithë. Kjo është dobia e parë.

Dobia e dytë është impakti që një shumë prej 2 miliardëve do të kishte në ekonominë Kosovare. Do të mundësonte krijimin e kompanive, startapeve, shërbimeve të shumta, saqë do t’i jepte një zhvillim të hovshëm ekonomik. GDP për një herë do të kërcente në nivele shumë të larta. Do të ngriste atraktivitetin e Kosovës për investime të huaja, do të shtonte investime në turizëm, do të ngriste buxhetin e vendit, i cili do të investonte me ato para në infrastrukturë të re, që do të gjeneronte vende të reja pune. Dhe ashtu me radhë duke i dhënë një shtyrje aq të madhe saqë vendi do të këndellej për dekadat e ardhshme. Një Qeveri që do ta bënte këtë do të rizgjedhej, pra një dobi tjetër në stabilitet institucional dhe vazhdueshmëri të reformave.

A ka ndonjë mangësi kjo reformë? Jo. Asnjë parti e vetme, asnjë sindikatë, asnjë asociacion patronal në vendet ku ky sistem aplikohet, nuk ka kërkuar asnjëherë që sistemi të ndryshohet. A ka ndonjë barrierë teknike? Asnjë? Institucionale? Tejkalohen.

E pse të mos bëhet?

Tjera nga autori:
1