<b></b> Liberalizimi i vizave – si dështoi drejtësia ta bindë Evropën me rastet e shënjestruara?

Liberalizimi i vizave – si dështoi drejtësia ta bindë Evropën me rastet e shënjestruara?

23.04.2022 21:05

Votimi i Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës ishte bërë në vitin 2018. Për shumëkënd ky moment ishte vendimtar edhe për liberalizimin e vizave. Megjithatë, përveç dilemave nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, në vazhdimësi është kërkuar luftim i krimit të organizuar e korrupsionit. Por, sa u zbatua ky kriter? Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të rasteve që njihen si të shënjestruara, me qëllim që të trajtohen me prioritet nëpër gjykatat e Kosovës.

Hapja e një shishe të shampanjës nëpër zyrat qeveritare, nuk ishte fundi i një seriali të suksesshëm që do të kulmonte me liberalizim të vizave. Kjo nuk ndodhi as me votimin e demarkacionit. Kosova e humbi hapin, dhe përveç dilemave nga vende si Franca apo Holanda, Bashkimi Evropian ka kërkuar në vazhdimësi punë më të madhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Luftimi i këtyre dukurive negative që u imponua nga BE-ja, bëri që në institucionet e drejtësisë të krijoheshin mekanizma, në mënyrë që lëndët që kanë të bëjnë me korrupsion e krim të organizuar, të finalizohen sa më shpejtë. Këto lëndë do të vlerësoheshin si ‘të shënjestruara’ apo me shkurtesën ‘LV’ që nënkuptohej për liberalizim të vizave. Këto raste të trajtoheshin me prioritet nëpër Gjykatat e Kosovës.

Pavarësisht se u tha se do të trajtohen me prioritet, një gjë e tillë në praktikë nuk është se ndodhi.  Gazeta Nacionale sjell disa prej rasteve kryesore ‘LV’ apo të shënjestruara, dhe rrugën e tyre të dështuar nëpër institucionet e drejtësisë.

RASTET

Hidrocentralet:

Më 10 prill 2020 ishte ngritur aktakuzë ndaj Besim Beqajt, Mimoza Kusari-lilës, Nenad Rashiqit e Dardan Gashit. Kjo pasi të njëjtit dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mundësuar që hidrocentralet të cilat prodhonin energji elektrike, të privatizoheshin në kundërshtim me ligjin. Dëmi llogaritej mbi 12 milionë euro. Kjo çështje po vazhdon të trajtohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Megjithatë që nga viti 2019 deri më 2022, pak seanca janë mbajtur. Kryesisht për shkak të përhapjes së Koronavirusit. Nga shoqëria civile ishte kritikuar fakti se aktakuza ishte ngritur shumë vonë. Për veprat penale të kryera në vitin 2013, aktakuza u ngrit më 2022. Katër pika të aktakuzës, veç janë parashkruar.

Veteranët e rrejshëm:

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku. Të gjithë në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Veteranëve, akuzoheshin se e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke bërë dallavere me listat e veteranëve. Aktakuza pretendonte se nga këto veprime buxheti ishte dëmtuar në vlerë mbi 80 milionë euro. Të gjithë të akuzuarit u shpallën të pafajshëm, dhe rasti aktualisht është në Gjykatën e Apelit. Për më shumë se një vit, Apeli ende nuk ka vendosur. Të njëjtit ishin liruar, pasi shoqëria civile kishte argumentuar se aktakuza kishte mangësi, dhe si e tillë të akuzuarit në fund dolën të pafajshëm. Aktualisht, të gjitha palët janë në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit.

Stenta 1:

Në rastin “Stenta 1” ishin përfshirë ish-ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish- sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Të dy akuzohen për vepra penale të kryera në vitet 2011-2015. Mirë po e lexoni, gati një dekadë më parë. Aktakuza e ngritur në vitin 2016, përfundoi me shpalljen fajtor të Ferid Aganit e Gani Shabanit. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin, duke e kthyer rastin në rivendosje. Vendimi i Apelit ishte marrë në vitin 2019, dhe deri më 2021 për këtë rast nuk u mbajt asnjë seancë. Ky rast gjyqësor ende është duke u trajtuar në shkallën e parë pas kthimit në rigjykim dhe nuk ekziston vendim i formës së prerë për të.

Stenta 2:

Në këtë rast janë të akuzuar gjithësej 45 persona. Në vitet 2012-2015 ata akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën si mjek, duke i dërguar pacientët për trajtim jashtë vendit, në spitalet e personave të afërt me ta.  Kjo çështje gjyqësore ende është duke u trajtuar në gjykatën e shkallës së parë, përkatësisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe nuk ka ndonjë vendim të formës së prerë. Për shkak të numrit të madh të palëve në procedurë, në këtë rast kanë dështuar një numër i madh i seancave. Kjo ka ardhur si rezultat i mungesave të të pandehurve në shqyrtime gjyqësore që janë caktuar nga ana e gjykatës.

Rasti Pal Lekaj:

Pal Lekaj akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke shpërndarë subvencione në kundërshtim me ligjin. Fillimisht Lekaj ishte shpallur fajtor në vitin 2021 dhe ishte dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht. Megjithatë, pas ankesës së avokatëve, rasti edhe këtu ishte kthyer në rivendosje.  Më 21 janar 2022, Gjykata Themelore në Gjakovë, me vendimin e fundit, të akuzuarit Pal Lekaj, Ismet Isufi, Gani Rama dhe Veli Hajdaraga i kishte liruar nga akuza me arsyetimin se gjatë shqyrtimi gjyqësor nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin

DËSHTIM

Të dështuara i vlerëson shoqëria civile adresimin e këtyre rasteve nëpër gjykata. Nga dhjetori i vitit 2014 deri në vitin 2021, 69 raste kanë qenë të shënjestruara. Mirëpo ka fare pak të akuzuar të profilit të lartë.

Trajtimi i rasteve të shënjestruara nga institucionet e drejtësisë është një tjetër shembull tipik i cili tregon për dështimin e këtyre institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me fokus themelor konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale”, thotë Leotrim Gashi nga IKD-ja për gazetën Nacionale.

“Mirëpo për dallim nga vitet paraprake kur të paktën dihej se cilat raste janë të shënjestraura, të cilat më pas mund të analizoheshin, gjatë viteve 2020 dhe 2021, kemi parë një mos transparencë totale nga të dy institucionet e drejtësisë. Pavarësisht kërkesave të shumëfishta që ka bërë IKD në drejtim të tyre, për ti kuptuar se cilat janë rastet e reja të shënjestruara, kjo gjë nuk është mundur të realizohet pasi duket se as vet këto institucione nuk e dijnë saktë se cilat lëndë janë të shënjestraura e cilat jo”, thekson ai.

“Përpos kësaj, nga identifikimi i deritanishëm i rasteve të shënjestruara, IKD ka gjetur që në numrin më të madh i rasteve të cilat kanë përfunduar me aktgjykime përfundimtare, të akuzuarit janë liruar apo aktakuza ndaj tyre është hudhur poshtë ose është parashkruar, kurse edhe në ato aktgjykime dënuese të shqiptuara mungon një politikë e fortë ndëshkimore”, përfundon Leotrim Gashi.

Përveç frikës nga emigrantët, duket se vendet skeptike për liberalizim të vizave për Kosovën, e kanë edhe një tjetër argument në dorë!

Tjera nga autori:
1