<b></b> Lufta politike prek edhe dëshmorët, Kurti nuk përkujton as heroin Luan Haradinaj

Lufta politike prek edhe dëshmorët, Kurti nuk përkujton as heroin Luan Haradinaj

06.05.2022 19:17

Duket se kundërshtitë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, kanë tejkaluar kufijtë politik. Kritikat e ashpra të Haradinajt ndaj Kurtit po reflektohen edhe në përkujtimet e dëshmorëve të familjes së ish komandantit të Dukagjinit.

Duke qenë ndër rivalët më këmbëngulës të tij, Kurti në disa raste e ka shpërfaqur pakënaqësinë e tij me kritikat e Haradinajt. Madje, qëndrimet kritike të ish-kryeministrit, ka bërë që Kurti të mos përkujtojë kontributin e madh të familjes Haradinajt gjatë kohës së luftës çlirimtare të viteve 1998-1999.

6 maji shënon përvjetorin e dëshmorit Luan Haradinajt, i cili ra heroikisht gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 1997. Në Gllogjan të Deçanit, vendlindja e familjes Haradinaj, Luani është kujtuar nga shumë qytetarë.

Por, atë në përvjetorin e 25-të të rënies heroike, Luani është harruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti, që këtë të premte ka udhëtuar për në ShBA, nuk ka shkruar asnjë shkronjë për dëshmorin e kombit, i cili mban edhe dekoratë shtetërore si hero. Së paku deri në publikimin e këtij shkrimi, ka munguar përkujtimi i Kurtit për dëshmorin e kombit, Luan Haradinaj.

Kurti gjatë ditës gjeti kohë të përkujtonte heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke thënë se ai është ikona e identitetit shqiptar.

Flamuri i kombit tonë mban edhe sot me krenari simbolikën e tij. Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Kurti.

I pari i ekzekutivit nuk harroi të uronte edhe qytetarët goran për ditën e tyre, duke i falënderuar ata për kontributin në jetën politike, sociale dhe kulturore të Kosovës.

Si Qeveri angazhohemi çdo ditë që të mbrojmë të drejtat dhe identitetin kulturor të qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, do të vazhdojë të mbështesë projekte të komunitetit goran, si edhe të komuniteteve të tjera, për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve”, shkroi Kurti, që tashmë gjendet në “tokën e premtuar”.

Megjithatë, dy vite më parë, Kurti i kishte kushtuar një status përkujtues heroit, duke shkruar se ai është figura e përkryer e viteve 90-të.

"Luan Haradinaj është një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është po ashtu edhe një prej themeluesve të mbështetjes logjistike të ardhur prej Republikës së Shqipërisë. Luan Haradinaj me veprimtarinë e tij të armatosur kundër pushtuesit, mbajti të ndezur të vërtetën e rezistencës që përshkon popullin tonë. Por, Luan Haradinaj është edhe figura e përkryer e viteve ’90. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, sa herë që vinte prej Tiranës, nuk mund të kthehej sërish atje pa kryer së paku një aksion kundër forcave pushtuese serbe. Numri i aksioneve individualë të Luanit qe tashmë dyshifror", kishte shkruar Kurti ne vitin 2020.

Njëjtë si Kurti, ka vepruar këtë të premte, edhe Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili nuk ka postuar asgjë në lidhje me heroin e kombit në ditën e rënies së tij.

Por, heroin Luan Haradinaj e ka përkujtuar presidentja Vjosa Osmani, e cila gjendet në Panama, në një vizitë zyrtare.

Luani dhe familja e tij u dëshmuan me angazhimin e tyre duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën tonë për çlirim. Emri i tij personifikon guximin dhe trimin me kauzë, i cili nuk kthehet mbrapshtë, duke u bërë theror për lirinë e popullit të vet. Heronjtë si Luani i dhanë kuptim lirisë sonë dhe i japin kuptim paqes, duke u bërë frymëzim për brezat se si duhet atdheu. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Luanin dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së”, thuhet në përkujtimin e presidentes Osmani për heroin Luan Haradinaj.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që Kurti, Osmani e Konjufca kanë harruar dëshmorët e familjes së Ramush Haradinajt.

I pari i qeverisë, që zakonisht shkruan për betejat e lavdishme të UÇK-së dhe përkujton figurat të rëndësishme në profilin e tij në “Facebook”, nuk e kishte bërë të njejtën gjë me Shkëlzen Haradinajn.

Në ditën e 23-vjetorit të rënies së Shkëlzen Haradinajn, ish-komandant për Operacione Luftarake në Zonën Operative të Dukagjinit, kryeministri Kurti nuk kishte përkujtuar atë.

E valles së harresës, i ishte bashkuar edhe Konjufca.

Ndryshe, siç kishte shkruar Gazeta Nacionale, pushteti kishte injoruar edhe “Epopenë e Dukagjinit”, i cili është një nga organizimet tradicionale të përkujtimit në vend.

Në ceremoninë e 24-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit” kishin marrë pjesë mijëra qytetarë, por jo edhe zyrtarët e lartë të Qeverisë.

As kryeministrin Albin Kurti dhe as kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk kishin  shkruar në rrjetet e tyre sociale për këtë përvjetor.

Ndryshe nga ta, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte përkujtuar këtë epope përmes një deklarate për medie.

Luftëtarët e lirisë bashkë me ata të Aleancës Veri-Atlantike, i dhanë udhë lirisë sonë, e bën të mundshme realizimin e amanetit të brezave, prandaj kujtimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së do të jetë i përjetshëm”, kishte theksuar Presidentja.

Ndërsa, liderët opozitar për nder të këtij përvjetori kishin bërë homazhe në Gllogjan.

PËRDITËSIM: Albin Kurti ka bërë një status në Facebook në të cilin ka përkujtuar heroin Luan Haradinaj
 
Tjera nga autori:
1