<b></b> Mediat e kontrolluara nga Vuçiq për herë të parë e sulmojnë Vladimir Putinin

Mediat e kontrolluara nga Vuçiq për herë të parë e sulmojnë Vladimir Putinin

28.04.2022 13:37

Mediat e kontrolluara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë po e sulmojnë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin dhe sulmi i tyre po bëhet për shkak të Kosovës.

Mediat serbe si “Bilc”, “Kurir”, “Informer”, “Telegrafi.rs”, e media të tjera, kanë mbushur ballinat e tyre me lajme që e kundërshtojnë ashpër presidentin rus, Vladimir Putin.

Putini njeh Kosovën”, “Putini për shkak luftës së tij, i harron serbët dhe Kosovën”, “Festë në Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”, “Putin po luan me Kosovën” dhe “Putini e godet Serbinë me thikë pas shpine”, janë disa nga titujt e mediave pas deklaratës së Vladimir Putinit rreth Kosovës.

Disa shkrime të gazetave serbe që mbajën titujt kundër Putinit i ka publikuar edhe opinionisti serb Srdjan Cvijiq.

Reagimet e mediave serbe janë si shkak i deklaratës së Putinit që pati në takim me Sekretarin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Putini në takim me të përmendi Kosovën, të cilën e mori si shembull që mund të ndjekin dy krahinat në lindje të Ukrainës, Donetsk e Lugansk, e që sipas tij, nuk po lejohen që ta ushtrojnë të drejtën për sovranitetin e tyre, të konfirumuar në referendum.

Vladimir Putini në vazhdimësi, por edhe në këtë takim, ka treguar se ka një lidhje të ngushtë e direkte me shpalljen e pavarësisë nga republika e Kosovës në vitin 2008.

Unë e mbaj mend mirë dokumentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Kosovës. E kujtoj mirë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, i cili thotë se, ‘zbatimi i së drejtës për vetëvendosje për territorin e secilit vend dhe nuk duhet të kërkojë leje për ta deklaruar sovranitetin nga ai vend’. Kjo është e shkruar në relacion me Kosovën dhe ky vendim është përkrahur nga të gjithë. Nëse është kështu, atëherë Republika e Donbasit dhe ajo e Donetskut kanë të njëjtat të drejta duke mos zbatuar autoritetin qendror në Kiev për ta deklaruar sovranitetin, pasi që precedenti ekziston”, ka thënë Putin gjatë këtij takimi.

Putin tutje ka theksuar se ai personalisht e ka lexuar opinionin dhe të gjitha komentet e amerikanëve e evropianëve, duke këmbëngulur se një e drejtë e tillë duhet t’i takojë edhe krahinave Donetsk e Lugansk.

Unë personalisht lexova të gjitha komentet e autoriteteve amerikane, të vendeve evropiane, të gjithë e mbështetën. Nëse është kështu, atëherë Donetsk dhe Lugansk kanë të njëjtën të drejtë të deklarojnë sovranitetin e tyre, pa iu drejtuar autoriteteve qendrore të Ukrainës, sepse është krijuar një precedent”, ka thënë Putin.

Kjo nuk është hera e parë që Putin merr si shembull Kosovën si pretekst për verpimet e tij në Ukrainë.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja, Vjosa Osmani, kanë thënë në vazhdimësi se Rusia dhe Putini janë kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor.

Tjera nga autori:
1