<b></b> Mësimet që nxorëm nga varrimi i Madeleine Albright

Mësimet që nxorëm nga varrimi i Madeleine Albright

02.05.2022 09:53

Varrimi i Madeleine Albright të mërkurën e kaluar, ishte një moment për të kuptuar jo veç Sekretaren e parë amerikane të Shtetit, por edhe një brez të tërë shërbyesish publikë. Kjo përfshin një numër amerikanësh të nderuar që kanë vdekur vitet e fundit – Senatorin John McCain, senatorin Bob Dole, Presidentin George H. W. Bush, Ruth Bader Ginsburgun dhe Colin Powellin, Sekretarin e parë afrikano-amerikan të Shtetit.

Ne duhet të jemi mirënjohës, nëse jo të magjepsur për këto jetë të shuara e të jetuara siç duhej, dhe për vendosmërinë e këtyre individëve që ta vinin vendin mbi interesin personal apo partiak. Por ata po ashtu, fatkeqësisht, na përkujtojnë neve se cilësia e përgjithshme e liderëve (veçanërisht senatorëve) ka degjeneruar në mënyrë dramatike.

Është e pamundur që të imagjinojmë nderime mbi-partiake në të ardhmen për Republikanët që po harxhojnë kohën tash duke u shfaqur nëpër media të së djathtës e duke e cilësuar ish presidentin e mposhtur Donald Trump si gjeni stabil. Dhe, është e vështirë t’i marrim anëtarët e Kabinetit presidencial që i mbanin ison një presidenti të tërbuar si patriotë të mëdhenj nga qindra vetë në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.

Kjo duhet t’i bëjë politikanët e së tashmes – që mendojnë se arritjet më të mëdha të tyre do të jenë rizgjedhjet në pozitat që kanë – që të mendojnë për trashëgiminë që do të lënë pas. Duhet të shqyrtojnë disa atribute të përbashkëta të atyre njerëzve që së mbrami i kemi nderuar.

E para, të gjithë këta njerëz ishin njerëz të mirë që i respektonin rregullat e mirësjelljes. Bushi u bë i famshëm për letrat e tij të falenderimit. Albrighti, që vdiq më 23 mars, ishte një nënë shumë e dashur që i thirrte fëmijët e saj përditë. Ata mbanin një formalitet të atillë që e reflektonte respektin e thellë për institucionet publike. Nuk i njollosnin kundërshtarët e as nuk përfshiheshin në beteja banale e as nuk kontestonin patriotizmin e të tjerëve. Ata refuzuan t’i bashkoheshin trendit të politikanëve që mësynin shkatërrimin e armiqëve politikë, gjë e cila nisi në periudhën e Newt Gingrichit.

E dyta, ata e zgjatuan veten te të tjerët. Ata ishin të sjellshëm me stafin dhe silleshin me humor të mirë me anëtarët e të dyja partive. Ishin pra njerëz seriozë por që s’e merrnin veten tepër seriozisht. Jetonin hareshëm. Përshkrimi që Hillary Clinton i bëri Albrightit ishte pika përthekuese e ceremonisë së varrimit: “Ajo ishte e papërmbajtshme, qesharake, shumë me stil, dhe gjithnjë e gatshme për një të qeshur më shumë. Ajo i sillte të njëjtën energji miqësive të saj si edhe diplomacisë së saj,”  kujtonte Hillary. “Po, është e vërtetë. Ajo i mësoi ministrit të jashtëm të Botswanës ‘Makarenën’ në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe u largua herët nga një ngjarje zyrtare për të kërcyer tango në Buenos Aires.”

E treta, ata besuan që Amerika ishte forcë për të mirën në botë dhe një vend që i mbante premtimet. Ata ishin luftëtarë për demokracinë, lirinë, të drejtat e njeriut dhe për një rend botëror të bazuar te rregullat. Trashëgimia e tyre ishte se populli mund të jetonte në paqë dhe liri për shkak të lidershipit të tyre. Siç tha presidenti Bill Clinton për Albrightin:

“Prej ditës kur hyri në OKB e deri në ditën që u largua, ajo provoi të anonte kah njerëzit që ishin shtypur dhe lënë menjanë. Dhe pavarësisht krejt mangësive të saj, të cilat të gjithë ia njohim, jam shumë mirënjohës që ka pasur paqe në Bosnje për më shumë se 26 vjet. E shohim trashëgiminë e saj të nderuar nga zv. Presidenti i Kolumbisë, demokracinë më të vjetër të Amerikës së Jugut te e cila besonte ajo, ku një e treta e territorit kontrollohej nga narko-trafikantët. Sot, ne e shohim në Ukrainë tragjedinë që Madeleine e dinte se do të ndodhte; se avancimi i lirisë nuk është as i paevitueshëm e as permanent, dhe që në politikë, ku joshja për pushtetin është e fortë dhe tundimi për të abuzuar nganjëherë i parezistueshëm, nuk ka fitore apo humbje permanente.”

E fundit, ata respektuan inteligjencën dhe mirësinë e popullit amerikan, duke zgjedhur të kalonin kohën e tyre duke edukuar studentë dhe krejt publikun. Ata dhanë mësim. Jo vetëm që lexuan, por edhe shkruan. Në rastin e Albrightit, ajo i shkroi shtatë libra bestseller-ë.

Albrighti, si të tjerët, ishte një shërbyese publike shembull dhe një pioniere për gratë. Siç thirri Hillary Clintoni, “Ajo jo veç që ndihmoi gratë e tjera. Ajo e kaloi krejt jetën duke këshilluar, frymëzuar dhe ngritur shumë prej nesh që jemi këtu sot,”

Jo secili në jetën publike ka shkathtësinë dhe karakterin e këtyre figurave, por, natyrisht, zyrtarët e sotëm publikë mund të bëjnë punë më të mirë. Këta të fundit e dinë hapësirën e pamatë mes shtatit të tyre dhe të këtyre amerikanëve të mëdhenj. Do të donin të bënin punë më të mirë, a po? Sikur vetëm të aspironin që të ishin diçka më shumë se bezdisës dhe artistë në sharje, vendi dhe bota do të ishte shumë më paqësore, më e edukuar dhe më e mirë. Le të shpresojmë që disa prej pjesëmarrësve apo atyre që shikuan funeralin ranë në po këtë konkluzion.

Marrë nga The Washington Post, përkthyer nga gazeta Nacionale.

Tjera nga autori:
1