<b></b> Mësuesit skuriq në lirinë e pashkollë

Mësuesit skuriq në lirinë e pashkollë

21.04.2022 09:51

Mësuesit protestojnë. Nxënësit demonstrojnë. Të parët kërkojnë më shumë rrogë për punën që bëjnë. Të dytët kërkojnë që të parët të punojnë. Nxënësit protestuakan për arsimin, i cili s’qenka fare? Njërit nga mësuesit i plas durimi dhe thotë: «Po, arsimi nuk ekziston fare»!

Xhemal AHMETI

Shutkë, 1989. Qelia Nr. 3. Atë e hetonin për korrupsion. E para pyetje, që tashmë ish-drejtori i një ndërmarrjeje shtetërore ma bëri ishte: për çka më së shumti kisha nevojë aty. «Një libër që nuk mbaron kurrë» i thashë. Pasi e bëri një xhiro lart-poshtë hapësirës tri-katër-metra-katrorëshe, lëshoi pyetjen e dytë: «E liria, të jesh jashtë?» Mua nuk më kishin futur aty duke më marrë nga liria, por nga shkolla, nga klasa ku mu ndalua të mësoj në gjuhën me të cilin më kishte rritur e ëma në një katund të Pollogut. E liria? Cila? Këtë që ia kam ndërtuar vetes pas shumë odiseve, vazhdimisht kacafytet me liritë e të tjerëve, të cilat vijueshëm përpiqen t’ia thyejnë gardhin.  

«Pa shkollë e pa libër, s’ka liri» – më thoshte një mësues i fshatit. «Pa këto jeton si «miza në anus të kalit» - e plotësonte babai im.

Pas viteve të 60-ta, në kulturosferën shqiptare, shkolla ishte ideal. Ideal dhe njëkohësisht ishte arma e vetme që u kishte mbetur oportunistëve maratonikë të të gjitha epokave. Besonin se nëpërmjet arsimit do t'u shpëtojnë diktaturave në të cilat jetonin. Arsimimi të ishte i vetmi tunel i mundshëm për ta fituar lirinë - pa luftë, natyrisht.

E sot, ç’vlerë ka shkolla brenda mentalitetit të atyre që dje besonin si më lart?

II.

Ata nxënësit e Prishtinës që protestuan me sloganin «s’po shkohet në shkollë»; i kanë trashëguar motivet e tashmë gjyshërve të tyre? Për çka protestojnë? Duan më shumë rrogë si mësuesit e tyre që tashmë e disa vite përdhunojnë opinionin dhe shoqërinë me kërkesat e tyre? Thonë se paguhen shumë pak për kontributin që bëjnë duke arsimuar gjeneratat e reja? Jo, nuk qenka kështu thotë historiani dhe mësuesi Azdren Shala. Citat: «Krejt ata që ndermarrin iniciativa për me përmirësue arsimin në Kosovë, nuk kanë mundësi me e bë sepse nuk e dinë problemin kryesor, e që është: arsimi në Kosovë nuk ekziston», kundërshton ai (Facebook. 19.04: 22.27). Kërkojnë pedagogët paga dhe protestojnë nxënësit për diçka që s’është fare? Ka shumë mundësi. Konstatimi nuk është aspak nihilizëm eksesiv, siç mund t’i shfaqet dikujt. Të kesh shkolla – objekte – dhe të kesh arsimim nuk janë e njëjta gjë. Kualiteti i çdo veprimi matet ose vlerësohet nëpërmjet asaj që shkakton a prodhon veprimi, burimi, institucioni. Çka prodhojnë aktualisht shkollat shqiptare?

III.

Ka ndonjë qilim (turq: kilim) a peshqir (turq: peşkir) këtu ku mund ta bëjë namazin (turq: lutje)? Pyeti një Master of ... kosovar që kishte ardhur bashkë me njërin nga profesorët e tij në Universitetin e Freiburgut. Të dy ishin aty për të sqaruar mundësitë se a mund të doktorojë masteri kosovar në universitetin zviceran. Brenda Universitet është një kishë katolike – e drejtova të kërkojë ndihmë aty. Në bisedë e sipër me njërin nga profesorët zviceranë, të dy linin përshtypjen gjatë studimeve të jenë vërdallë bashkë me Enkidunë e Gilgameshit stepave të Babilonisë: Beyond the last eras!

Kjo anekdotë doemos është personale, singulare. Mirëpo, ngjitas rendorëve (kualitativ) globalë, në të cilat gjenden shkollat shqiptare, përjetimi im (nuk është i vetmi) do të jetë kulmi, është induksioni, është flamuri i pamposhtshëm i një situate katastrofale në shkollat shqiptare – publike e private. Gjendja shihet sheshazi edhe në media, në debatet politike e publike, në ekrane e veçanërisht postimeve të atyre që janë të dekoruar me tituj akademikë.

IV.

Nxënësit kanë shumë të drejtë. Mësuesit nuk kanë të drejtë të protestojnë. Ose po: për kushte më të mira për nxënësit e tyre dhe për më pak indiferencë nga ana e prindërve. Këta të fundit, kjo gjeneratë, siç i quajti dikush «e shkolluar bodrumeve» duhet të shkundet dhe të kërkojë më shumë përgjegjësi nga shteti. A nuk u votua partia në pushtet edhe për këtë arsye? Duke premtuar reforma në arsim? Apo edhe kjo ishte njëra nga ato premtimet demagogjike, njëra nga ato veset për të cilat i akuzonin tjerët e vetë sot si skuterë i mbarojnë edhe më hapur, madje edhe duke fyer inteligjencën e shoqërisë ngase dështimet përpiqen t’i arsyetojnë në formën: «fëmija shkeli veturën e jo anasjelltas».

V.

Ku ta dish: Po të isha sot, në këtë epokë, në qelinë e Shutkës, ndoshta pyetjes së atij të korruptuarit do t’i përgjigjesha duke i kërkuar peshqir, qilim, dhe mundësisht një sapun.

Në burg, si të shtypur, shqiptarët kishin ideale. Në liri, në këtë liri të tyre, kërkojnë vetëm shkaqe për të ikur nga ajo. Ku? Me çka? Me peshqir, qilim, dhe namaz do ta gjesh përherë një vend lutjeje diku, mirëpo punë jo. Ose po: si pastrues qenefesh të perëndimit!

Tjera nga autori:
1