<b></b> Ministrja më kursimtare e Qeverisë Kurti

Ministrja më kursimtare e Qeverisë Kurti

28.04.2022 11:07

Kur kryeministri Albin Kurti e tha emrin e saj me gojë si ministre e Ekonomisë, shumica e popullit u mrrol me moskuptim. Artane Rizvanolli nuk ishte fort e njohur në sferën politike të Kosovës deri kur u bë ministre në Qeverinë Kurti II. Sidoqoftë, ajo ra në spikamë vazhdimisht e vazhdimisht pas krizës së re të energjisë dhe deklaratave për kursim të rrymës, madje edhe përmes pajisjeve të Playstation.

Ashtu siç bënte thirrje për kursim të energjisë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli po del se kursen edhe shpenzimin e parasë publike. Gazeta Nacionale bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar shpenzimet e Rizvanollit për udhëtime, mëditje e dreka zyrtare.

Që nga ardhja në pushtet, Rizvanolli ka shpenzuar në total 1 mijë e 593 euro për udhëtime, mëditje e dreka zyrtare.

VITI 2021

Për udhëtime zyrtare në vitin 2021, Artane Rizvanolli gjatë gjithë vitit ka përfituar vetëm 313 euro e 95 centë. Kurse, në periudhën e njëjtë, ministrja e Ekonomisë ka shpenzuar 480 euro e 90 centë për dreka zyrtare. Në total, për këto shpenzime ministrja Rizvanolli ka harxhurar 794 euro e 85 centë. Një shumë jo e madhe krahasuar me shpenzimet e ministrit të infrastrukturës, Liburn Aliu, për të cilin raportoi gazeta Nacionale një ditë më herët.

“Drekat zyrtare të Ministrisë së ME-së, janë të përfshira në kuadër të takimeve në mes kabinetit dhe delegacioneve të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për gazetën Nacionale.

VITI 2022

Në muajt e parë të vitit aktual, ministrja Rizvanolli gjithashtu ka pak shpenzime. Deri në fund të marsit ajo për udhëtime nuk e ka shpenzuar asnjë cent. Përderisa, 800 euro e 70 centë, Rizvanolli i ka shpenzuar në dreka zyrtare. Nga ministria e kanë dhënë edhe një sqarim për gazetën.

“Shpenzimet e udhëtimeve zyrtare për periudhën 28 mars 2022 dhe ato që mund të ndodhin deri më datë 30 prill 2022, nuk janë pjesë e këtij raporti pasi që raporti i shpenzimeve për përdoruesit e Kredit-kartelës (shfrytëzues i së cilës është edhe ministrja) nga Banka, pranohet deri më datë 05 të muajt në vijim, e rregulluar kjo me rregulloren e thesarit për shfrytëzim të kredit kartelës”, thuhet në përgjigje.

Gazeta Nacionale një ditë më herët ka raportuar për shpenzimet e ministrit Liburn Aliu, të cilat kapin vlerën e 30 mijë eurove, bashkë me anëtarët e tjerë të kabinetit.

Për shpenzimet e ministrave të tjerë, Nacionalja do të raportojë ditëve në vazhdim.

KUSH ËSHTË ARTANE RIZVANOLLI?

Ajo është doktor shkence në fushën e ekonomisë, dhe ligjëruese në Kolegjin Riinvest, që nga viti 2007.

Pas përfundimit të studimeve bazike në Ekonomiks në Universitetin e Prishtinës, Rizvanolli ka vazhduar studimet Master në Ekonomiks për analizë biznesi në Universitetin Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2012 ajo ka doktoruar në fushën e Ekonomiksit në Universitetin Staffordshire me hulumtimin e fokusuar në lidhjen në mes kapitalit njerëzor dhe investimeve të huaja direkte në ekonomitë evropiane në tranzicion.

Pas angazhimit gjashtëvjeçar si hulumtuese në Institutin Riinvest, ajo e ka vazhduar punën e saj si hulumtuese dhe këshilltare për analiza dhe politika ekonomike në kuadër të organizatave të ndryshme kosovare dhe ndërkombëtare në fushat si punësimi, zhvillimi i sektorit privat, efektet e diasporës në ekonomi, financat publike, etj.

Tjera nga autori:
1