<b></b> Mund të trondisin vendin: Çka është Komisioni Hetimor Parlamentar që po frikëson aq shumë pushtetin?

Mund të trondisin vendin: Çka është Komisioni Hetimor Parlamentar që po frikëson aq shumë pushtetin?

04.05.2022 08:05

Komisionet hetimore parlamentare mund të shkundin vendin nëse arrijnë të kryejnë punën siç duhet në hetimin e skandaleve. Në rastin e skandalit të Martin Berishajt, ku është evidentuar miqësia e tij me presidenten, kryeministrin dhe anëtarë tjerë të pushtetit, një komision i tillë do të mund të zbardhte gjëra që do të shkaktonin tronditje masive.

Skenat kur tavolinat e Kuvendit goditeshin për të pamundësuar mbajtjen e një seance, janë rikthyer në vëmendjen e qytetarëve të Kosovës. Por tash, rolet kanë ndryshuar. Goditje të tavolinave, zhurma, e deri në sharje të robëve pati në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej për Komisionin Hetimor për Energjinë. Por, çka janë komisionet hetimore?

Krijimi i këtij komisioni, ka çuar në një përshkallëzim të skajshëm të raporteve ndërmjet pozitës dhe opozitës. Si rezultat, të gjitha votimet në Kuvendin e Kosovës, opozita po i bojkoton.

Menaxhimi i krizës energjetike nga ana e qeverisë, solli në diskursin publik, një të drejtë kushtetuese të deputetëve të kuvendit.

Themelimi i Komisionit Hetimor, po kërkohet me ngulm nga PDK-ja. E këtë të fundit, po e përkrahin edhe partitë e tjera në opozitë. Arsyen e kanë të përbashkët. Të qartësojnë dyshimet që kanë të bëjnë me 100 milionë eurot e ndara nga qeveria, gjatë periudhës së krizës energjetike.

Dyshimet u shtuan pasi në mediat sllovene doli skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj, në një aferë me bosët e energjisë në Ballkan.

Në anën tjetër partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kësaj kërkese iu përgjigj me një kërkesë tjetër, që është e ngjashme me të parën, por jo e njëjtë. Ata thanë se hetim duhet të ketë, por për të gjithë periudhën që nga viti 2006 deri më 2022.

Çka në të vërtetë është një Komision Hetues; si formohet; e cilat janë kompetencat?

Në fakt Ligji për Hetim Parlamentar, është krejt i qartë në aspektin e arsyeve të krijimit dhe objektit të hetimit.

Aty shprehimisht thuhet se: “Komisioni themelohet për të hetuar probleme, çështje, ku janë drejtpërsëdrejti të përfshira përgjegjësitë qeveritare apo shtetërore.

Deri këtu, gjithçka është e qartë.

Por, si formohet ky komision? A mund të formohet komision për çështjen e njëjtë në të njejtën kohë? Sa mund të shtrihet në kohë, hetimi? Këto janë disa pika, të cilat në ligj, përmenden por lejojnë hapësira për interpretim.

Komisionet Hetimore Kuvendi ka krijuar edhe në të kaluarën. Të gjithëve na kujtohet ajo përplasja ndërmjet ish-presidentit Thaçi me deputetin Sami Kurteshi. Kuvendi kishte krijuar një komision në lidhje me deportimin e gylenistëve nga Kosova. Një Komision i ngjashëm ishte krijuar edhe për situatën në Telekomin e Kosovës. Megjithatë, efektet juridike nuk ishin arritur shpesh nga këto komisione.

Mimoza Kusari-Lila, deputete e shefe e grupit parlamentar të Lëvizjës Vetëvendosje, i ka thënë Nacionales se Komisioni Hetimor Parlamentar formohet sipas dispozitave aktuale në ligj, respektivisht nenit 4 të këtij ligji, që flet për procedurën.

Sipas Kusarit, pika më e rëndësishme e këtij ligji, në këtë situatë është neni 6 i këtij ligji.

Neni 6 i ligjit për Komision Hetimor Parlamentar parasheh: çështja e cila është e përcaktuar për hetim parlamentar, me vendim nga kuvendi mund të ndryshohet ose zgjerohet me vendim të kuvendit më vonë, nëse propozuesi për inicimin e Komisionit është pajtuar me ndryshimin”, ka thënë shefja e grupit parlamentar të LVV-së.

Por, pse VV-ja është kundër krijimit të dy komisioneve?

Nuk do të kishte logjikë të formohen dy komisione të njëjta në të njejtën kohë, pasi është shpenzim financiar, angazhim i resurseve njerëzore dhe do të ketë punë të dyfishtë për çështje të njejtë. Siç e parasheh ligji, Komisioni nuk mund të jetë më i gjatë se gjashtë muaj.

Ferat Shala, deputet i Paritsë Demokratike të Kosovës, ka thënë se çështja e komisioneve hetimore është e rregulluar me ligj dhe me kushtetutë. Ai u pajtua se ka nevojë për ndërhyrje në legjislacion, por që sipas tij, njëherë duhet të përfundojë iniciativa e opozitës për komision hetimor për energjinë.

Çështja e komisioneve hetimore është e definuar me ligj, me rregullore e me kushtetutë. Sigurisht që këtu ka hapësirë për përmirësim të legjislacionit, por në momentin që kemi ardhë, njëherë duhet të përfundojnë këto iniciativa tona, në mënyrë që në të ardhmen të përmirësohet legjislacioni. Komisioni Hetimor Parlamentar i kërkuar nga deputetët e opozitës, tashmë është në procedurë dhe nuk ka kthim mbrapa, pa u përmbushë kjo kërkesë edhe ligjore edhe kushtetuese.

“Nuk ka mundësi që për të njëjtën çështje të formohen dy komisione parlamentare. Ne nuk jemi kundër komisioneve parlamentare edhe për të kaluaren, por ne sot po flasim për një dukuri që aktualisht, ne jemi duke e bartë barrën e përgjegjësisë politike e morale. Pra, konsolidimin e formimin e Komisionit Hetimor për Energjinë”, ka thënë Shala.

Tutje ai ka thënë se është dakord që të hetohet çdo pore e jetës, që nga shpallja e pavarsisë e deri tash. Duke shtuar se porsa të mbarojnë punë me formimin e këtij komisioni, do të shikohen mundësitë për të bërë ndryshimin e ligjit, duke i shmangur dykuptimësitë.

Të tjerat jemi dakord që të hetohen, çdo pore e jetës sonë institucionale, që nga shpallja e pavarësisë e tutje. Kuvendi është i obligumë me e formu komisionin kur ai procedohet në Kuvend, është i obligum me Kushtetutë, ndërsa mazhoranca mundet me sabotu, por vetëm bën shkelje ligjore e kushtetuese. Arsyet pse mazhoranca mundohet me sabotu, është frika e tyre për keqmenaxhim. Njëherë të formohet ky komision që po kërkojmë, pastaj do ta shqyrtojmë ta ndryshojmë ligjin për Komisione Hetimore”, është shprehur deputeti i PDK-së.

Ndërsa Hulumtuesi i lartë në KDI, Gëzim Shala, ka thënë për Nacionalen se duhet të precizohet në shkresën propozuese, në mënyrë që të vërtetohet se kush e kryeson komisionin.

Çështja e grupit nismëtar dhe të grupeve të tjera mbështetëse duhet të jetë e precizuar në shkresën propozuese dhe në listën e nënshkrimeve – krejt kjo për t’u vërtetuar se kush duhet ta kryesojë më pas komisionin”, shprehet Gashi.

Ama, sipas Shalës, nuk mund të zgjerohet fushëveprimi dhe periudha e komisionit të propozuar, siç e bëri VV-ja.

Së dyti, edhe po qe se pozita dhe opozita bëhen bashkë e e themelojnë komision hetimor për temat e folura në seancën e djeshme, komisioni nuk do të mund ta kryente punën e vet në mënyrë cilësore dhe me efiktivitet. Komisionet hetimore duhet të jenë të përqendruara në një fushë të hetimit dhe për një periudhë të caktuar. Mund të bëhen më shumë komisione, por jo të zgjerohet fushëveprimi dhe periudha e komisionit të propozuar”, thotë Gashi.

Sipas Gashit, defektet kryesore vijnë nga vetë ligji aktual, që sipas tij duhet të plotësohet, ose të vijë një ligj i ri.

Së treti, duhet theksuar se Ligji aktual ka defekte serioze të tjera për të cilat Kuvendi i Kosovës, në këtë rast Kryetari i saj, Komisioni për Legjislacion dhe grupet parlamentare duhet të nisin diskutimin publik për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit ose sjelljen e një ligji të ri. Ky aktivitet nuk është paraparë në programin legjislativ për vitin aktual”, përfundoi Gashi.

Përderisa ndonjëra palë të heq dorë, Kosova lëre që do të mbetet pa Komision Hetimor për energjinë, edhe ligjet e marrëveshjet ndërkombëtare, do të shqyrtohen në Kuvend pa votat e opozitës.

Tjera nga autori:
1