<b></b> Ngushtohet rrethi: Shumë shpejt Martin Berishajn do ta shohim në Kosovë duke dhënë përgjigje

Ngushtohet rrethi: Shumë shpejt Martin Berishajn do ta shohim në Kosovë duke dhënë përgjigje

09.05.2022 12:47

GEN-i në Serbi i dha para, media në Slloveni ia nxori skandalin, në Kroaci po strehohet i heshtur, në Mal të Zi iu bllokuan llogaritë bankare, e Kosova do ta ftojë të raportojë në Komisionin Hetimor të opozitës për Energji. Rrethi ballkanik i Martin Berishajt po ngushtohet.

Pasi për dy muaj na i zgjatën veshët e na e spirruan Kuvendin, Komisioni Hetimor Parlamentar për Energji i propozuar nga opozita, më në fund u votua në Kuvend.

Me themelimin e këtij komisioni, opozita do ta përpilojë listën me emrat që do të ftohen për t’u intervistuar.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e ka konfirmuar për Nacionale se në listë do të jetë edhe emri Martin Berishaj, meqë sipas saj, është i implikuar në çështjet e energjisë të cilat opozita do që t’i hetojë.

Komisioni ende nuk është themeluar... kur të themelohet propozohen njerëzit dhe institucionet lidhur me çështjen që duhet të intervistohen. Unë besoj se edhe z. Berishaj do të jetë pjesë e listës, sepse është i implikuar në çështje”, ka thënë Hoxha për Nacionale.

Megjithatë, ka ende shumë punë para se Komisioni të fillojë me ftesat e personave që do t’i intervistojë.

Por, pa u votuar lista dhe hapat e punës së komisionit, nuk mund të bëjmë asgjë njëherë”, shtoi Hoxha.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është bërë pjesë e një skandali ku dyshohet se ka shpëlarë mbi 600 mijë euro para.

Këtë ambasadori dyshohet se e ka bërë përmes një kompanie që e ka hapur në Mal të Zi, e quajtur "MB Consulting".

Media Press.co.me në Mal të Zi, njofton se llogaritë e Berishajt në Mal të Zi janë bllokuar si pasojë e një borxhi prej 31 mijë e 14 eurove, që ka ngritur edhe më shumë dyshime në përfshirjen e tij në skandal.

Sipas raportimeve të mediave në Slloveni, Berishaj ka transferuar 600 mijë euro kesh nga llogaria e tij në Mal të Zi dhe i ka transferuar tek politikani slloven Robert Golob.

Këto para në llogarinë e kompanisë së Berishajt në Mal të Zi kanë ardhur nga kompania GEN në Serbi.

Përkundër përfshirjes së tij në këtë skandal, ambasadori Berishaj nuk ka folur shumë rreth skandalit, pos që ka premtuar se do t’i padisë mediat.

Në anën tjetër, Presidenca dhe Kryeministria janë pozicionuar në mbrojtje të Berishajt, andaj edhe s’është shkarkuar ende.

Ndërkohë që një organizatë politike e quajtur ‘Alternativa Mali i Zi’ ka publikuar sot një deklaratë në rrjetet sociale, ku pretendojnë se kompania e regjistruar në Serbi ka financuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton Press nga Mali i Zi. Deri më tash, ky informacion nuk është konfirmuar nga gazeta Nacionale.

Tjera nga autori:
1