<b></b> Opozita akuzon Qeverinë për degradim të dialogut me Serbinë

Opozita akuzon Qeverinë për degradim të dialogut me Serbinë

27.04.2022 08:23

Partitë opozitare kanë shtuar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë.

Përfaqësuesit e LDK-së dhe PDK-së kanë akuzuar qeverinë se procesi ka degraduar nga diskutimi për njohje reciproke në mes të dy shteteve në bisedime për tabelat e automjeteve.

Sipas tyre, në këtë mënyrë procesi për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve ka humbur qëllimin.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se ky degradim i procesit i ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës“Kosovës iu bë dëm i madh kur qeveria aktuale e braktisi dialogun për njohje reciproke, të cilin qeveria ime me ndihmën e partnerëve e kishte kornizuar shumë qartë. Samiti i Parisit (në korrik 2020), Marrëveshja e Uashingtonit (në shtator 2020) dhe shumë takime bilaterale me vendet e Quintit, e kornizuan qartësisht dialogun sa i përket qëllimit, përmbajtjes dhe kohës së arritjes së marrëveshjes finale, si dhe e detyruan Serbinë të nisë procesin e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Ai ka bërë me dije se Qeveria duhet të tregohet serioze me partnerët ndërkombëtarë. “Qeveria aktuale, në vend që të insistonte në mbyllje të dialogut me njohje reciproke, në Bruksel propozoi ‘traktate’ për mos-sulm dhe për zëvendësim të CEFTA-s, të cilat u injoruan plotësisht dhe me të drejtë nga ana e BE-së. Fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje. Në takimet e Komisionit për Stabilizim-Asociim, të mbajtura në Prishtinë në nëntor 2021 dhe në Bruksel në mars 2022, mazhoranca qeverisëse në Kosovë u zotua për zbatim të marrëveshjeve paraprake të dialogut, të cilat brenda Kosovës i kritikon dhe i kundërshton fuqishëm. Ndërkaq, tani kur duhet marrë përgjegjësi shtetërore dhe duhet treguar seriozitet para partnerëve, nuk dinë çfarë të thonë”, ka vlerësuar Hoti.

Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, mendon se procesi ka degraduar. “Nga dialogu për njohje reciproke, po flasim për targa. Kjo tregon një mungesë konsistence, vizioni dhe ideje të Qeverisë Kurti për të adresuar dialogun. Problemi nuk janë targat, problemi është njohja reciproke dhe aty duhet të përqendrohemi ne. Nuk guxojmë ta reduktojmë dialogun nga njohja reciproke në targa dhe stikersa”, ka deklaruar Çitaku.

Ndërsa, ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se ky proces ka hyrë në një rreth vicioz të dialogut teknik. “Në vend se dialogu të fillonte me fazën finale, procesi ka humbur komplet qëllimin. Pra, procesi i dialogut është futur në një rreth vicioz të një dialogu teknik. Kjo qeveri është dashur qysh në fillim ta ndryshojë qasjen dhe të insistojë vetëm në marrëveshjen finale. Ajo që dua të them është se duhet të dilet nga ky rreth vicioz i dialogut teknik. Kosova duhet të kërkojë që të bisedohet vetëm për njohjen reciproke si dhe të kërkojë nga partnerët e saj, SHBA-ja dhe BE-ja, që ky proces të përshpejtohet drejt finales”, ka thënë Tahiri në një intervistë për gazetën Nacionale.

SHBA-ja kërkon ri-angazhim të palëve në dialog  

Ndihmës-sekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen më shumë në proces.

Gjatë vizitës së djeshme në Kosovë, diplomatja e lartë amerikane ka thënë se status quo-ja është vetëm në favor të Rusisë. “Ne i japim mbështetje të madhe dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për të ndihmuar Kosovën që të arrijë një marrëdhënie të normalizuar me Serbinë, të përqendruar në njohje të ndërsjellë. Status quo-ja është e paqëndrueshme. Kjo jo vetëm që pengon të ardhmen e dy vendeve, por i bën të mira Kremlinit”, ka thënë ajo në një konferencë për medie pas takimit me liderët institucionalë të Kosovës.

Sipas saj, mënyra më e mirë për t'iu kundërvënë tendencave ruse në Ballkan, është arritja e një marrëveshje finale. “Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor, duke u siguruar që ju e shtetet fqinje të mos integroheni në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ajo beson se një Ballkan më i fuqishëm, më me prosperitet e demokratik, do të jetë kërcënim për influencën e saj. Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit për ta destabilizuar rajonin është e thjeshtë, Kosova e Serbia duhet të bëhen bashkë e në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që ka një mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja”, ka deklaruar Donfried.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, janë shprehur të gatshëm për konstruktivtet në këtë proces. “Ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi që në qendër ka njohje reciproke, dhe nga ajo do të përfitojnë qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.

Të njëjtën gatishmëri e ka treguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, deri më tani janë takuar vetëm dy herë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërsa kryenegociatorët e të dy vendeve kanë zhvilluar disa raunde të takimeve në kuadër të dialogut teknik, të cilat nuk kanë arritur ndonjë rezultat. As në takimin e fundit në Bruksel për targat, palët nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje të re.
Kosova dhe Serbia procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve e kanë filluar në vitin 2011.

Shkroi: Muhamet Koci

Tjera nga autori:
1