<b></b>  Osmani javën e ardhshme udhëton në ShBA, merr pjesë në varrimin e Albright

 Osmani javën e ardhshme udhëton në ShBA, merr pjesë në varrimin e Albright

19.04.2022 21:01

Ditë më parë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një interviste paralajmëroi se në prill ose maj do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shefja e shtetit sqaroi se atje do të qëndrojë zyrtarisht dhe se pritet të ketë takime me zyrtarë të ndryshëm të shtetit amerikan.

Tashmë është kuptuar se Osmani do të qëndrojë gjatë javës së ardhshme në Amerikë, me ftesë të familjes së ish sekretares Medeline Albright.

Në një përgjigje për Gazetën Nacionale, Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes Osmani, ka treguar se e para e shtetit do të marrë pjesë në varrimin e përkahëses së Kosovës, që ndërroi jetë javë më parë.

“Presidentja Osmani do të udhëtoj për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, thuhet në përgjigjen e Kupinës për Nacionalen.

Mediat kanë raportuar, bazuar në burimet e tyre, se kryeministri Kurti do të marrë pjesë poashtu në varrimin e Albright. Megjithatë Nacionale nuk ka arritur ende të konfirmojë një gjë të tillë.

Kujtojmë që fluturimin e Osmanit për në ShBA e pati paralajmëruar shefi i Kabinetit të presidentes, Blerim Vela.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dyert e hapura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në muajin prill dhe maj do të ketë vizitë në SHBA, do të ketë takime të niveleve të ndryshme, qoftë me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe të Kongresit Amerikan. Ajo ka ftesë nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë që të ketë takime me ta”, kishte thënë Vela në Klan Kosova.

Një vizitë në ShBA, ka kohë që e ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në intervistat e fundit, Kurti e ka ritheksuar majin si muajin kur do të udhëtojë për në ShBA.

“Do të shkoj besoj në muajin maj, do të zhvilloj takime me administratën Biden dhe diasporën tonë, unë i njoftoj ata paraprakisht, ata më mirëpresin, organizohen takimet, verifikohet agjenda, por, që ju do ta dini paraprakisht”, deklaroi javë më parë Kurti.

Megjithatë, deri më tani nuk ka ndonjë informacion tjetër në lidhje me vizitën e paralajmëruar të Kurtit në Amerikë në muajin maj.

Vizitën e tij në Amerikë, Kurti e ka paralajmëruar qysh vitin e kaluar, por ende nuk është caktuar data e saktë.

Fillimisht, ai kishte thënë se vizita do të ndodh në nëntor të vitit të kaluar.

Më pas, ai pati paralajmëruar janarin e këtij viti si kohë për vizitën e tij, por as kjo nuk ka ndodhur.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë Kurti vitin e kaluar.

Albin Kurti është kryeministri i vetëm i Kosovës, i cili në vitin e parë të qeverisjes se tij nuk e ka vizituar Amerikën.

Partitë opozitare jo rrallë e kanë akuzuar kryeministrin Kurti si anti-amerikan. Këto kritika janë shtuar pasi Qeveria e Kosovës refuzoi projektin për ndërtimin e gazsjellësit amerikan.

Tjera nga autori:
1