<b></b> PDK dhe AAK bien në ‘grackën’ e VV-së, nisin grindje të ashpra

PDK dhe AAK bien në ‘grackën’ e VV-së, nisin grindje të ashpra

25.04.2022 13:22

PAN-i i famshëm është akronimi që lidhte partitë PDK, AAK dhe Nisma. Derisa Nisma tashmë s’ekziston si parti parlamentare, AAK-ja me PDK-në së fundi po bëhen “copë” pasi ranë në një grackë të pushtetit.

Fondi i Sigurisë i themeluar nga Qeveria Kurti për mbledhjen e parave që do të ndihmonin Forcën e Sigurisë së Kosovës [FSK] përveç që është konfidencial dhe nuk dihet sa para saktësisht janë mbledhur, ai po bëhet edhe problematik duke krijuar përplasje mes partive opozitare e të pushtetit, por edhe opozitës mes vete.

Këto ditë partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës [PDK] dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], kanë filluar të përplasen ashpër për Fondin e Sigurisë, krejt kjo, pasi Vetëvendosje [VV] ngriti dyshimet se PDK-ja është kundër këtij Fondi.

Në kushte normale partitë opozitare do të duhej të gjenin një mënyrë të përbashkët për të bërë opozitarizmin në vend, kësisoj, bashkë do të mund të tregonin më shumë për punët jo të mira të Qeverisë, por kjo nuk po ndodh dhe as që shihet diku në horizont.

Deklaratat e zyrtarëve të lartë të VV-së se Fondi i Sigurisë po dëmtohet nga zyrtarë të PDK-së, është benzina në zjarr që ka hedhur VV-ja për të filluar ‘lufta’ mes PDK-së dhe AAK-së.

Opozita ka kohë të merret me Opozitën

Deklarata e deputeti të VV-së, Sali Zyba që aludon se deputetja e PDK-së, Ganimet Musliu, po bën thirrje që të mos kontribuohet në Fondin e Sigurisë, ka ngjallë reagime të shumta, jo veç të VV-së sepse kjo dihet, por çuditërisht edhe të AAK-së.

Është kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili është në hall me disa zyrtarë të PDK-së që po e kundërshtojnë mbledhjen e mjeteve në Fondin e Sigurisë.

Haradinaj ka ngritur pyetjen se çfarë po u pengon zyrtarëve të PDK-së që po dëshirojnë të kontribuojnë në fond.

Çka janë çu peshë disa eksponentë të PDK kundër Fondit të Ushtrisë. S’po e kuptoj ku e kanë hallin. A po u pengon forcimi i ushtrisë, a po u dhimbsen qytetarët që janë të gatshëm ta ndihmojnë ushtrinë e tyre, apo e kanë problemin me Albin Kurtin?!

Nëse është kjo e fundit, ka hapësirë boll për ta sulmuar Albin Kurtin, të cilit edhe ashtu i “ka hup rruga n’oborr”! Pa ushtri s’ka shtet dhe ta ndihmosh ushtrinë e vendit tënd është detyrë patriotike dhe shqiptarët e dinë më mirë se kushdo tjetër këtë gjë”, ka shkruar Haradinaj në faqen e tij në Facebook.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes së PDK-së, Ganimet Musliu, protagoniste kryesore për përplasjen e tyre rreth Fondit të Sigurisë.

Musliu ia ka kujtuar kohën kur Haradinaj dhe të tjerë në AAK iu bashkuan Albin Kurti për ‘degjenerim të parlamentit’.

Musliu ka thënë se shteti i Kosovës nuk është organizatë joqeveritare që pret të financohet nga donatorë të ndryshëm dhe se financimi i FSK-së duhet të bëhet me ligj dhe jo me lëmoshë, siç e quan ajo Fondin e Sigurisë.

Disa eksponentë të AAK-së patën gabuar rëndë kur iu bashkuan Albin Kurtit me filikaqa në degjenerim të Parlamentit, bëjnë mirë mos t’i bashkohen edhe në degjenerim të ushtrisë së Kosovës. Kosova është shtet e jo OJQ. Financimi i Ushtrisë duhet të mbështet në ligj e jo në lëmoshë. E duam ushtrinë me standarde të NATO-s. Stop eksperimenteve me ushtrinë!”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Në mes të krejt kësaj po ia shtojmë këtu edhe shkrimin e Salih Zybës që mund të shihet si grackë për përplasjen e opozitës.

Në kohën e kërcënimeve të përditshme nga Serbia, të rrethanave të reja globale për shkak të luftës në Ukrainë, në kohën e një pasigurie globale, pra mu në kohën kur më shumë se kurrë kemi nevojë për siguri e për të cilën gjë e kemi edhe FSK-në, të shkosh në mërgatë dhe t’i bësh thirrje mërgatës për sabotim të Fondit për Siguri të krijuar nga Qeveria e Kosovës, është më shumë se skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese. Nëse ka pasur përbashkim shoqëror e politik në Kosovën e pasluftës ajo është padyshim Ushtria e Kosovës dhe forcimi i saj, por sot për këtë gjë fatkeqësisht e pakënaqur, krahas Vuçiqit e Serbisë, na paska dalë edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. E kam të pamundur ta kuptoj motivin e kësaj thirrjeje”, kishte shkruar Zyba me 17 prill 2022.

Fondi i Sigurisë mbetet konfidencial

Më 1 mars 2022, kryeministri Albin Kurti, kishte njoftuar se ka themeluar Fondin e Sigurisë, duke ftuar qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.

Fondi po menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe mjetet e grumbulluara do të përdoren për mbështetje të prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm bazuar në vlerësimin e ekzekutivit.

E ky fond po cilësohet si konfidencial dhe deri më tani nuk dihet se sa para janë mbledhur.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, në një deklaratë para disa javëve, pa dashur që të tregohej specifik, kishte thënë që numri i parave të mbledhura deri tash ishte shtatë-shifror.

Ndryshe, në vend nuk është hera e parë që themelohen fonde.

Në vitin 2020, Qeveria Kurtit I, kishte krijuar edhe një Fond Emergjent, ku ishin kërkuar mjete financiare nga diaspora e Kosovës për luftimin e COVID-19.

Në këtë Fond ishin grumbulluar mbi 700 mijë euro.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin e Mbrojtjes për 52 për qind, duke e çuar për herë të parë në 100 milionë euro.

Tjera nga autori:
1