<b></b> Paris, Bruksel, Athinë e Mynih: Albin Kurtit i dalin shpenzimet për udhëtime e dreka

Paris, Bruksel, Athinë e Mynih: Albin Kurtit i dalin shpenzimet për udhëtime e dreka

04.05.2022 10:21

Në krye të qeverisë i ka bërë më shumë se një vit. E gjatë kësaj kohe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka realizuar jo pak udhëtime, takime me homologë, e pjesëmarrje nëpër samite të ndryshme. Të gjitha këto kanë pasur edhe kosto. Gazeta Nacionale në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar shpenzimet e kryeministrit Kurti për udhëtime, bileta e akomodime, por edhe dreka zyrtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk merr mëditje. Ai ka hequr dorë nga paratë që i takojnë me ligj, sa herë që udhëton jashtë vendit. Kështu të paktën ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës në një përgjigje për gazetën Nacionale. Megjithatë, pa mëditje, kryeministri Kurti ka shpenzuar gati 20 mijë euro për akomodim, bileta e dreka zyrtare.

Gazeta Nacionale në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar nga Qeveria e Kosovës, shpenzimet e Kurtit për udhëtimet jashtë vendit e drekat zyrtare, në periudhën kohore nga prilli i vitit 2021, deri në prillin e vitit 2022.

Në periudhën njëvjeçare, Kurti si individ, pra pa kabinetin e tij, ka shpenzuar saktësisht 4 mijë e 791€ për akomodime gjatë udhëtimeve zyrtare.

Nga prilli 2021 deri në prillin e vitit 2022, shefi i ekzekutivit kosovar, ka shpenzuar 6 mijë e 916€ për bileta udhëtimi.

Në periudhën e njëjtë, kryeministri i vendit ka shpenzuar 7 mijë e 548€ për dreka zyrtare.

Në total, për akomodime, bileta e dreka zyrtare, Albin Kurti për një vit, ka shpenzuar 19 mijë e 256€.

Kryeministri Albin Kurti nuk merr mëditje”, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës në përgjigje për Nacionalen.

Përkundër se gazeta ka kërkuar shpenzimet edhe të anëtarëve të tjerë të kabinetit, përfshirë këshilltarët e asistentët, shpenzimet janë dërguar vetëm për kryeministrin Kurti individualisht.

KU UDHËTOI KURTI?

Brukseli ka qenë destinacioni kryesor për kryeministrin Albin Kurti. Takimet me presidentin serb Vuçiq dhe jo vetëm, e kanë bërë që kryeqendra evropiane të jetë vendi ku Kurti ka udhëtuar më së shpeshti. Në prill, qershor e dhjetor të vitit 2021, kanë qenë udhëtimet e kryeministrit të vendit për në Bruksel. Në njërën prej vizitave ai është takuar me presidentin e Serbisë, kurse në dhjetor së fundi, ka pasur takime me liderë institucionalë të BE-së.

Në qershor të vitit 2021, kryeministri i vendit Albin Kurti, kishte udhëtuar edhe drejt Francës. Atje ishte takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë të politikës së jashtme franceze.

Një tjetër vizitë Kurti e kishte bërë në Francë në muajin korrik të vitit 2021. Kësaj here, arsye ishte Festivali i Filmit të Kanës, ku ai kishte qëndruar bashkë me gruan dhe vajzën e tij. Kryeministri kishte marrë pjesë në premierën e filmit “Pa vend” në Kanë, film i cili po garon për “Palmën e Artë”.

Pas Francës, Kurti qëndroi edhe në Slloveni. Atje shkoi për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit. Kryeministri Kurti diskutoi në panelin “Future of Europe – Enlargement”, (E ardhmja e Evropës – Zgjerimi), pjesë e të cilit ishte edhe Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në nëntorin e vitit 2021, Kurti qëndroi edhe në Austri. Atje u prit në takim nga kancelari austriak, Alexander Schallenberg.

Fillimi i vitit 2022, gjithashtu ishte me agjendë të ngjeshur për të parin e qeverisë. Kurti më 20 shkurt kishte udhëtuar për në Mynih ku kishte marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë atje. E më 27 shkurt, ai udhëtoi drejt Londrës për të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor.

Një tjetër vizitë zyrtare Kurti e bëri në muajin mars të këtij viti. Ai udhëtoi në Norvegji, ku u prit në takim nga kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store.

Në muajin e kaluar, prill, kryeministri Kurti gjithashtu pati një vizitë në Greqi. Ai mori pjesë në Forumin Ekonomik në Delphi, por ku u takua me krerët më të lartë të shtetit grek.

Krejt në fund të prillit, Albin Kurti udhëtoi drejt Amerikës për të marrë pjesë në varrimin e ish-sekretares, Madeline Albright.

Këto ishin vetëm disa nga vizitat zyrtare që i realizoi kryeministri Albin Kurti gjatë një viti në krye të qeverisë.

Tjera nga autori:
1