<b></b> Parlamenti Evropian me rezolutë do t'i kërkojë Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë

Parlamenti Evropian me rezolutë do t'i kërkojë Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë

20.04.2022 19:07

Përmes rezolutës, Parlamenti Evropian do t'i bëjë thirrje autoriteteve të sapozgjedhura në Serbi "për të treguar përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, dhe për t'u harmonizuar me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”,  shkruan Radio Evropa e Lirë.

Autor i kësaj rezolute është raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik.

Sipas projekt-rezolutës, Parlamenti Evropian do të shprehë keqardhjen për faktin se Serbia nuk respektoi sanksionet e BE-së pas pushtimit rus të Ukrainës, transmeton REL.

Shtohet se eurodeputetët janë “thellësisht të shqetësuar” për përhapjen e dezinformatave për agresionin rus kundër Ukrainës, dhe për këtë arsye u bëjnë thirrje autoriteteve serbe dhe Komisionit Evropian që të mbështesin infrastrukturën për luftën kundër dezinformatave dhe kërcënimeve të tjera hibride.

Nëpërmjet rezolutës, Parlamenti Evropian do t'i bëjë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje, dhe që rrezikon stabilitetin dhe pajtimin rajonal.

Rezoluta po ashtu shpreh keqardhje për presionin e vazhdueshëm mbi gjyqësorin dhe kundërshtimin publik të vendimeve ndërkombëtare për krimet e luftës, dhe i bën thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit si çështje prioritare.

Zgjedhjet dhe dialogu Kosovë - Serbi

Lidhur me zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare në Serbi, drafti dënon atë që thuhet se është një mjedis politik shumë i polarizuar, dhe një fushatë e karakterizuar nga pluralizmi i kufizuar mediatik dhe presioni ndaj votuesve.

Teksti shpreh keqardhje edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin që do të mundësonte mbledhjen e fletëvotimevetë votuesve  me të drejtë vote në territorin e Kosovës për zgjedhjet e prillit.

Projekt-rezoluta u kujton autoriteteve serbe se progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë tempon e negociatave për anëtarësim.

Aty po ashtu ritheksohet mbështetja për dialogun Beograd-Prishtinë dhe rëndësina e angazhimit konstruktiv ndërmjet autoriteteve serbe dhe kosovare me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, e cila është thelbësore për të dyja palët për të avancuar në rrugët e tyre evropiane.

Projekt-rezoluta po ashtu bën thirrje për respektimin dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Projekt-rezoluta i kushton hapësirë ​​të veçantë edhe situatës së mediave në Serbi dhe shpreh keqardhjen për lirinë e kufizuar të medias dhe "abuzimin e medias për të përfituar një avantazh të padrejtë politik", si dhe sulmet ndaj kundërshtarëve politikë dhe përhapjen e dezinformatave.

Aty po ashtu përsëritet shqetësimi për përparimin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe i kërkon Serbisë të intensifikojë përpjekjet për t'i trajtuar këto çështje në mënyrë efektive.

Debati për tekstin do të mbahet të enjten, më 21 prill, në Komisionin për Politikë të Jashtme të PE-së. /Nacionale/

Tjera nga autori:
1