<b></b> Pasqyra e ndërkombëtarëve për Kosovën e Kurtin: Tri raporte, 0 ndryshim

Pasqyra e ndërkombëtarëve për Kosovën e Kurtin: Tri raporte, 0 ndryshim

21.04.2022 15:55

Në vitin e parë të qeverisjes Kurti, raportet ndërkombëtare nuk gjetën ndonjë ndryshim përmbajtësor. Vlerësimet e ardhura nga institucione ndërkombëtare të besueshme nuk pahtësojnë ndonjë ndryshim, e lërë më ndryshim të madh transformues, të cilin Lëvizja Vetëvendosje e ka proklamuar.

Raporti i “Freedom House” prapë e liston Kosovën në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, mirëpo me një ngritje triviale, prej dy pikëve në vlerësimin e përgjithshëm. Nga një pikëpamje e përgjithshme, sipas raportit gjendja në Kosovë është pothuajse e ngjashme me atë të vitit paraprak.

Për t’u veçuar është fakti se pikërisht segmentet kyçe të fushatës së VV-së, pra çështjet e rendit të parë, mbeten thuajse në gjendje ekzistuese. Albin Kurti, në mbrëmjen e pas-zgjedhjeve pohoi se në projektin e fushatës së tij, një nga dy premtime madhore është lufta kundër korrupsionit, pra drejtësi dhe institucione të drejta.

Mirëpo, sipas raportit të “Freedom House” për t’u shquar është edhe fakti, që Kosova nuk ka treguar përparim në luftimin e korrupsionit, ndonëse ishte premtimi kryesor i fushatës së Kurtit. Në rubrikën e fuqizimit të zyrave dhe zyrtarëve që luftojnë korrupsionin, raporti nuk gjen ndonjë ndryshim thelbësor, dhe qeveria Kurti mbetet e ranguar, si qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Hoti.

Kështu, në bazë të të dhënave të raportit të Freedom House, Kosova çalon me institucione të dobëta dhe korrupsion të pakontrollueshëm. Kësisoj rendi i ligjit është i lënduar nga ndërhyrjet e ekzekutivit në procese dhe institucione ligjore, ndërsa gazetarët përveç që vihen në presion, ndihen të rrezikuar nga sulmet e lidhura me punën e tyre.

Ngjashëm, ky raport nuk vlerëson që institucionet ekzekutive të drejtuara nga Kurti të kenë shënuar përparime të dalluara në fushën e transparencës. Madje raporti kritikon mungesën e transparencës nga qeveria Kurti, në çështje si dialogu me Serbinë.

Kosova gjatë vitit të parë të qeverisë Kurti është vlerësuar ngjashëm edhe nga raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan. Sipas raportit në fjalë, gjendja e përgjithshme, vazhdon të mbetet e njëjtë. Raporti, shpreh se në fushën e lirisë së mediave, zyrtarë publikë, politikanë, e biznesmenë, intimiduan përfaqësues të mediave. Duke numëruar një numër rastesh e ankesash nga ana e gazetarëve, raporti lë të kuptohet se edhe në këtë fushë nuk ka ndofarë përparimi për t’u veçuar, nga viti i kaluar.             

Për më tepër, sipas raportit të DASH-it, korrupsioni vazhdon të mbetet endemik në Kosovë dhe as në këtë fushë nuk ka ndonjë përparim të theksuar. Në temën e korrupsionit, raporti fillon me fjalinë: “ligji parasheh dënime penale për korrupsion te zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive”. Në bazë të raportit, si më herët, kanë ekzistuar raste të zyrtarëve të korruptuar, gjykimet e të cilëve janë tejzgjatur, deri në parashkrimin e lëndëve.

Raporti i DASH-it, po ashtu, në çështjen e neutralitetit të domosdoshëm përballë gjyqësorit, pohon se institucionet gjyqësore iu nënshtruan ndikimeve politike, emërimeve të dyshimta dhe mandateve të paqarta.

Edhe një raport i tretë e ka nxjerrë gjendjen pa përmirësime të mëdha. Raporti i Progresit, i hartuar nga burokratët e Bashkimit Europian, ka vlerësuar se qeveria Kurti ka arritur ‘progres të kufizuar’ në lidhje me hetimin dhe ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ky raport, në një formë të ngjashme, si të tjerët, vlerëson se sistemi i drejtësisë është i vjetëruar, jo-efektiv dhe lehtësisht i lëndueshëm nga ndikimi politik. Për më tepër, raporti vazhdon se ‘pak progres’ është arritur gjatë periudhës, për të cilën raporti vlerëson.

Madje, raporti duke marrë të mirëqenë mungesën e reformave përmbajtësore në fushën e drejtësisë, shpjegon edhe se si do të mund të reformohej një sistem i tillë, duke vendosur parakushte për një reformë të kësaj natyre. Si për shembull, raporti i Progresit, shënjon si çështje serioze procesin e Vettingut, çështje që sipas tyre duhet të mirret në konsideratë vetëm si zgjidhje e fundit, atëherë kur të gjitha mundësitë ekzistuese janë përdorur.

Përfundimisht, raportet ndërkombëtare të përpiluara për vitin e parë të qeverisë Kurti II, vlerësojnë se ndryshime përmbajtësore nuk kanë ngjarë. Veç kësaj, ndryshimet nuk rrokën as fushën mbi të cilën fushata e Vetëvendosjes ishte e fokusuar: korrupsionin dhe vendosjen e rendit të drejtë. Kësisoj, në bazë të raporteve ndërkombëtare, zhvillimet ishin krejt të zakonshme, ose thënë ndryshe për nga natyra të rëndomta për një shtet që po sfilitet në procesin e shtet-ndërtimit.

Tjera nga autori:
1