Si qytet, Ferizaj ka ndërruar gati plotësisht fizionominë e tij. Të huajt zor se mund ta njohin. Ndërsa, nëse je banor i Ferizajt, duhesh të jesh shumë syhapur, edhe mund t’i ngatërrosh lagjet, të cilat ndërrojnë vazhdimisht si pasojë e ndërtimeve të larta.
Kujtimet e fëmijërisë, nuk kryejnë punë për orientim në qytetin e hekurudhës. Rrallë mund të hasësh në diçka që të kujton të kaluarën.
Ndërtesat publike ose janë shkatërruar ose janë ngulfatur nga ndërtesat gjigante – natyrisht, ndërtime të privatit.
Skajshmërisht është ndryshe ambienti rreth shkollave, aq sa s’njihet më. Objektet e oborret e shkollave janë rrethuar furishëm nga katër anët me ndërtesa 10 a 12-katëshe, veç çka s’është ndërtuar nëpër oborret e shkollave.
Fushat e futbollit ku dikur ke lujatur janë shndërruar në parkingë me qindra vetura. Shtyllat e portës së fushës së futbollit ishin ende aty, po ato të njëjtat e para 20 vjetve. Por, ‘golla’ më s’jepen aty, parkohen vetura, pronarëve të të cilëve duket se nuk u bën përshtypje humbja e qytetit.
Dikur objekti i ish-shkollës fillore ‘‘Gjon Serreçi’’ mbizotëronte sipërfaqen rreth vetes. Për lartësi, konkurrencë i bënte vetëm objekti fqinj, ai i ish-gjimnazit ‘‘Kuvendi i Arbërit’’. Por, kjo pamje ka ndryshuar tashmë.
Tash është ndërtuar edhe në oborr të shkollës. Sipërfaqe e konsiderueshme e tokës së ish-gjimnazit është përdorur për ndërtim ndërtese 10-katëshe. Në fakt, objekti i ish-gjimnazit është i rrethuar me katër ndërtesa që frikshëm janë më të larta se objekti që, para 10-12 viteve ishte më i larti andejpari.
Përbindëshat hijerëndë kanë shukatur shkollat; ish-gjimnazi sot jeton nën hijen e përbindëshave 10 a 12 katësh që gjenden në katër anët e tij.
Në dy shkollat kam qenë nxënës.
Në dy fushat e shkollave kam luajtur futboll. Topi dikur binte në oborret e shtëpive dy-tri katëshe që dikur gjendeshin rreth shkollave. Jashtë dy shkollave dikur kishte kamp-shtëpiza ku shiteshin hamburgerë apo ishin edhe disa trafika.
Sot i sheh lokalet e me shenja ‘‘Jepet me qira’ dhe trotuaret me vetura. Aty ku dikush ishte fusha me bar e gjimnazit, tash është ndërtuar ndërtesa 10-katëshe.
Sot dy objektet nuk janë as me emër ato shkollat e dikurshme.
Të dy shkollat gjenden vetëm 4-5 minuta larg qendrës së qytetit.
Këto ndërtime kryesisht janë bërë këto 7 a 8 vitet e fundit. Zona e super-ndërtuar, pra me super-përbindësha, shtrihet mes stacionit të autobusëve, dy shkollave që i përmendëm, ambulantës, pastaj shkojnë deri tek qerdhja e qytetit në ‘‘Lagjen e Re’’, si dhe arrijnë deri te rruga ‘‘Vëllëzërit Gërvalla’’.
25 a 30 ndërtesa të larta mund t’i numërosh brenda kësaj zone, që s’mund të jetë më e madhe se 4 kilometra katrorë.
***
Së bashku me fotografin Valdrin Xhemaj i fotografuam ndërtesat e reja dhe kaosin që ato kanë shkaktuar.
Ndërtesat rreth stacionit të autobusëve
Përgjatë këtij perimetri është duke u ndërtuar edhe sot. Disa shtëpi të vjetra ngjitur me stacionin e autobusëve tashmë janë rrethuar në katër anë.
‘’Katastrofë çka kanë ba’’, na tha një punëtor i një biznesi përballë të cilit po vazhdonte ndërtimi i një ndërtese 7 apo 8-katëshe.
‘‘Bile një ditë vinçi qaq i ngarkun sa s’mujke me i çu [materialet]. Rrezik e pluhur’’, vazhdonte ai përderisa lutej të mos i publikohej emri pasi, siç tha, ‘‘kurrë s’un um hinë fëmija në punë’’.
Po të lëshohesh nga stacioni i autobusëve drejt rrugës ‘‘Astrit Bytyqi’’ do të futesh në një tunell-rrugë. Me qenë më i saktë, tunell që veç tavani i mungon. Dikur në këtë rrugë ka jetuar edhe dëshmori Astrit Bytyqi, rruga pranë shtëpisë së të cilën e mban emrin e tij.
Sot vetëm shtëpia e tij dhe një shtëpi tjetër nuk është rrënuar. Është ndërtuar një ndërtesë 10-katëshe ngjitur me shtëpinë e tij. Edhe përballë është ndërtuar një ndërtesë gjigante. Edhe mbrapa. Po edhe anash. Dikur, përgjatë kësaj sipërfaqeje gjendeshin 5 apo 6 shtëpi.
‘‘96 banesa janë, i kena shitë krejt, s’ka asnjë të lirë’’, na tha administratori i i njërës prej dy ndërtesave të larta që është ndërtuar në oborret e këtyre shtëpive. Në fakt vetëm dy shtëpi kanë mbetë pa u rrënu. Ama ato janë plotësisht nën hijen e përbindëshave 10 a 12-katëshe.
Ndërtimet janë duke vazhduar përgjatë kësaj rruge. Më poshtë mund të gjesh edhe ndërtesa të reja që sapo janë ndërtuar. Edhe ‘‘Lagjja e Re’’ tashmë është përfshirë nga ndërtimet që arrijnë deri në 13 kate. Pjesa e kësaj lagjeje, nga rruga ‘‘Vëllëzërit Gërvalla’’, tashmë është betonizuar nga një bllok gjindant 13-katësh.
Kjo është shtëpia e fqinjve të mij që kanë refuzuar të lëshojnë truallin për ndërtim të lartë. Tash e disa vjet, ata jetojnë të rrethuar me ndërtesa në katër anë.
‘‘Si në sandviç’’, tha Valdrini derisa po e fotografonte shtëpinë.
Edhe brenda qendrës së qytetit ka ndërtime të shumta. Nëse i del para ndërtesës së komunës, sipër saj do të vëresh një reklamë të madhe të një kompanie ndërtimi. Pas objektit të komunës, ngjitur, është ndërtuar një objekt 7 apo 8-katësh. Reklama e objektit duket sikur është vendosur sipër komunës. Pak më poshtë është ‘‘Xhamia e Vogël e Qytetit’, ku edhe ajo është sikur në ‘‘sandviç’’ nga ndërtimet.
Murali i famshëm i Ferizajt është ende. Por, atje në qosh, mund të vëresh se ndërtimet po u afrohen dita ditës. Përderisa kemi rritje enorme të ndërtimeve të reja private në një zonë shumë të ngushtë, ndërtesat publike janë duke u rrjepur nga fasadat.
Në ‘Lagjen e Re’ banorët kanë protestuar kundër ndërtimit të një objekti që sapo ka vënë themelet. E pritshem, ndërtimi ende po vazhdon.