<b></b> Pesë muaj në krye të Shëndetësisë: Çka ia pamë hairin deri tash doktor Rifatit?

Pesë muaj në krye të Shëndetësisë: Çka ia pamë hairin deri tash doktor Rifatit?

21.04.2022 08:19

Kanë kaluar pesë muaj që nga marrja e detyrës, por puna e kirurgut shqiptaro-amerikan s’po vërehet aspak. Për krejt çka shquhet Rifat Latifi janë fluturimet e shpeshta që i realizoi Prishtinë-Nju Jork si dhe vizitat në spitalet turke, atje ku kosovarët fatkeqësisht po kërkojnë shërim për sëmundjet e tyre. Uh, na falni... harruam të përmendim edhe ‘kaubojkat’ me kravatat karakteristike.

Ministri aktual i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi do të mbahet mend gjatë për paraqitjen e tij në medie. Me kollare, çizme të zeza të qëndisura e të kombinuara me pantallona solemn, Latifi na befasonte në shumë paraqitje televizive e takime.

Por për çka saktësisht mund të mbahet mend Rifat Latifi - ministri aktual i shëndetësisë në Kosovë?

Edhe 22 vjet pas luftës, kosovarët vazhdojnë të vuajnë për ilaçe e infuzione. Shumë spitale e shumë Qendra Familjare në mbarë vendin, javëve të fundit po ballafaqohen me mungesa të mëdha të medikamenteve mjekësore që gjenden edhe në listat esenciale. Në QKMF të ndryshme anë e mbanë Kosovës, ditëve të fundit s’po ka as infuzione, penj kirurgjikalë, gaza e fasha.

E në vend janë bërë pesë muaj tashmë që kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë është emëruar specialisti i kirurgjisë, Rifat latifi.

Por edhe pas këtyre pesë muajve qeverisje, sistemi shëndetësor në Kosovë nuk ka pësuar ndonjë ndryshim nga i cili hairin do të mund t’ia shihnin qytetarët.

Në shumë klinika të QKUK-së, listat e pritjes për intervenime mjekësore të pacientëve janë të gjata deri në 4 vjet. Vendi s’ka as sigurime shëndetësore. Si pasojë, shumë qytetarë po detyrohen që ilaçin e sëmundjeve të tyre ta gjejnë jashtë Kosovës duke shpenzuar kështu para të majme edhe nga xhepi i tyre.

              Vizitat në spitalet turke: Aty ku kosovarët harxhojnë mijëra euro për shërim

Adresë kryesore për shërim të pacientëve kosovarë të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet malinje është shteti i Turqisë. Kërkesat për shërim të Leukemisë e kancerit në spitalet e këtij shteti janë të mëdha.

Vetëm për dy muaj, 203 kosovarë kanë kërkuar shërim jashtë vendit., nga ta 49 janë nën moshën 18 vjeçare.

E realitetin e kosovarëve që trajtohen në spitalet e Turqisë e takoi në muajin mars edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi. Në njërin nga spitalet turke, Latifi e takoi pacientin nga Peja, A.K., i cili në pamundësi të marrjes së shërbimeve shëndetësore në Kosovë ishte detyruar që të udhëtojë për në Turqi.

Por Latifi fatkeqësisht nuk ka arritur t’i takojë edhe mijëra pacientët e tjerë që po trajtohen në spitalet turke. Ani se i vizitoi disa spitale atje.

Por nga vizita disaditore në Turqi, Latifi u kthye pa asnjë marrëveshje.

          Zotimet për kthimin e trurit në Kosovë

Në kuadër të vizitës në shtetin Turk, ministri i Shëndetësisë takoi edhe disa prej mjekëve që si pasojë e mungesës së kushteve të punës kanë lënë Kosovën. Për ta, ministri i shëndetësisë u zotua se do t'i bindë që të kthehen në Kosovë.

E zotim të ngjashëm Latifi kishte bërë edhe kur e pati marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë.

Ne do ta ndërpresim largimin e trungut mjekësor për në vende të tjera. Rezultatet nuk do të shihen as brenda ditës dhe as natës dhe kërkojnë përkrahje kolektive për të realizuar të gjithë këtë”, pati deklaruar Latifi.

Por kjo ende s’ka ndodhur.

Nga Kosova përgjatë vitit të kaluar kanë ikur mbi 500 profesionistë shëndetësorë. E vetëm për 28 ditë, nga vendi u larguan 42 mjekë.

E këto statistika siç duket Latifit s’po i bëjnë përshtypje më shumë se sa udhëtimet për në shtetet fqinje. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1