<b></b> Prilli i ‘thyer’ në Veri: Sulmet ndaj Policisë dhe fjalët qeveritare

Prilli i ‘thyer’ në Veri: Sulmet ndaj Policisë dhe fjalët qeveritare

26.04.2022 15:35

Sulmet ndaj policëve të Kosovës në veri po bëhen thuajse të rregullta. Megjithëse denoncimet janë të shumta, dënimet janë të pakta ose krejtësisht munguese. Tensionet e këtij prilli datojnë prej kohë më parë. Se çka e qysh e tek po ndodh, do të flasim në këtë tekst.

Veç në muajin prill ndaj Policisë së Kosovës kanë ndodhur pesë sulme në veri të vendit nga grupe të panjohura. I pesti u regjistrua sot (e martë, 26 prill) dhe u bë me armë zjarri.  

Sipas Policisë, zyrtarët policorë u sulmuan në fshatin Zupçe të Zubin Potokut dhe përveç dëmeve materiale fatmirësisht nuk ka të lënduar.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cilat kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri. Përveç dëmeve materiale në automjet, nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka konfirmuar zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani, për Nacionale.

Si rezultat i këtij sulmi forca të shtuara të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës kanë zbarkuar në veriun e vendit, të cilët janë pozicionuar në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve dhe kanë kryer disa bastisje.

Rastet tjera të sulmeve ndaj policsë së Kosovës ndodhën edhe para disa ditësh dhe tashmë janë bërë thuajse të rregullta.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte thënë se sulmet ndaj policëve janë sulme terroriste dhe se nuk po bëhen për t’i frikësuar por për t’i eliminuar zyrtarët policiorë.

“Asnjëri nga këto sulme terroriste nuk ka pasur qëllim frikësimin, por eliminimin e zyrtarëve policor dhe kjo u vërtetua sot, kur janë sulmuar veturat e tyre me granata dore dhe kallashnikov të llojit AK47.”

“Sulme të tilla terroriste ndaj institucionit që garanton rend dhe ligj janë edhe ndaj shtetit”, kishte thënë Sveçla.

Edhe kryeministri Albin Kurti kishte bërë thirrje që Serbia "të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj Policisë”.

Sulmet ndaj policëve ishin dënuar edhe nga ndërkombëtarët.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte shprehur shqetësimin lidhur me sulmet.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të turpshme, të pajustifikueshme”, kishte thënë ambasadori Hovenier në Twitter.

Ndërsa Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i kishte dënuar ashpër sulmet, teksa KFOR-i kishte shprehur gatishmëri për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet.

Veriu i tensioneve

Veriu i Kosovës përfshin katër komuna të banuara me shumicë serbe: Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin.

Kjo pjesë e Kosovës ndër vite ka qenë vend i tensioneve.

Një ndër tensionet e para, ishte para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mars të vitit 2004, kur filluan ato që njihen si “Trazirat e marsit”. Ato zgjatën dy javë, e gjatë atyre ditëve u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona.

Pas shpalljes së pavarësisë, veriu u tensionua sërish dhe kështu më 19 shkurt 2008 u dogjën objektet e vendosura në dy pikat kufitare, në Bërnjak dhe Jarinjë, të cilat u bllokuan deri në vitin 2011.

E në vitin 2011, me vendim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, Njësia Speciale e Kosovës mori aksion që të marrë nën kontroll pikat kufitare.

Ky aksion u kundërshtua nga serbët që bllokuan rrugë dhe në një nga sulmet ishte qëlluar për vdekje polici Enver Zymberi.

Gjithashtu, gjatë vitit 2014 në një aksion në veri u lënduan dy policë gjatë ndërhyrjes kundër një grupi prej 150 personave të cilët sulmuan një stacion policor në veri.

Teksa para një viti në shtator 2021, serbët kishin bllokuar rrugët me kamionë të cilët qëndruan për 13 ditë në rrugët që çonin në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, si revoltë pas vendosjes së reciprocitetit për targa nga ana Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa më 2 tetor, pas një marrëveshjeje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, u larguan barrikadat, dhe u vendos që të diskutohet në Bruksel për çështjen në fjalë, mirëpo diskutimet nuk kanë prodhuar rezultatet pasi vendosja e stikerave vazhdon të aplikohet.

Në lidhje me arsyet pse është shtuar numri i sulmeve ndaj policëve të Kosovës, ju ftojmë të lexoni tekstin në vijim duke klikuar KËTU.

Tjera nga autori:
1