<b></b> Pse nuk gëzohem për këtë Abazoviqin

Pse nuk gëzohem për këtë Abazoviqin

29.04.2022 11:34

Mungesa e qeverisjes gjatë luftës civile në Romë në mes të Pompeut dhe Cezarit bëri që romakët ta humbin fillin e kalendarit. Me ose pa Abazoviqin në Mal të Zi, jam i bindur që kalendari s’na pështjellet. Po të mos e merrnim vesh nga mediat, asnjëri nga ne s’do ta vërenim ndryshimin në jetën tonë, sepse s’do të ketë ndryshim.

Malin e Zi e kam më pak se 100 kilometra larg, megjithatë s’e kam shkelur deri tash vonë. Arsyeja është babi im, ose më mirë të themi, veprimtaria e tij para dhe gjatë luftës.

Frika e familjes sime nga arrestimi e më pas ekstradimi i babit në Serbi, bëri që familja ime e ngushtë, me mua të vogël, të mos e vizitonim kurrë plazhin e Ulqinit e as vendet tjera turistike brenda Malit të Zi. Keq s’kemi mbetur, Shqipëria ka gati dyfish më shumë vijë bregdetare sesa Mali i Zi.

Tash që kemi një kryeministër shqiptar atje, a do të thotë që babi jem mund t’ia mësyjë, Perastit të themi, pa fijen e frikës? Apo ky Abazoviqi shqiptar do ta marrë buldozherin për të rrafshuar pikat kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë, për t’ua falur shqiptarëve 13 mijë e 812 kilometra katrorë? Nuk do të ndodhin as njëra as tjetra.

Me tre kryeministra shqiptarë në Ballkan, në shoqërinë tonë nacionaliste dje u krijua përshtypja se jemi më pak se një hap larg “Shqipërisë së Madhe”, apo “Etnike”, siç kemi qejf ta quajmë.

Një artist i famshëm në Kosovë dje shkruante në Facebook [shpresoj me satirë] “hajde Maqedonia, ma gjallë, ma gjallë”. Fundja, pse jo? Nëse 5% e shqiptarëve në Mal të Zi nxjerrin kryeministër shqiptar atje, pse të mos e nxjerrin një kryeministër shqiptar edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që janë rreth 25% e popullsisë?

Pos këtij artistit, që paska marrë më shumë se 2 mijë pëlqime në shkrim, Twitteri e Facebooku, u mbushën me urime, thua ti se shqiptarët e siguruan problemin e furnizimit 24 orë me rrymë e ujë. Pra, kujtojeni, mijëra shqiptarë gjatë ditës NUK kanë rrymë dhe ujë pa ndërpre.

Po i përmendi shqiptarët meqë urimet për Abazoviqin ishin të karakterin nacionalist, jo sepse në fakt meritojmë të kemi rrymë më shumë se komunitetet tjera në Kosovë dhe jashtë. Të pasurit ujë dhe rrymë, nuk është privilegj, është e drejtë dhe nevojë elementare.

Edhe më e çuditshme është si gëzohemi për një person që në fakt arriti të bëhet kryeministër duke u zhveshur nga petku nacionalist. A se në çfarë gjuhe i shkruan komunikatat partia e tij; shqip, serbisht apo latinisht, kjo për shoqërinë tonë patriotike ka pak rendësi.

Gjithashtu kësaj shoqërie s’është që i intereson edhe fakti se ky Abazoviqi jo shumë kohë më parë u citua të ketë thënë se Skënderbeu ka prejardhje serbe, e më pas kjo shoqëri e krahasonte me Mark Milanin – një shqiptar famëkeq për shqiptarët.

Mungesa e qeverisjes gjatë luftës civile në Romë në mes të Pompeut dhe Cezarit bëri që romakët ta humbin fillin e kalendarit. Me ose pa Abazoviqin në Mal të Zi, jam i bindur që kalendari s’na pështjellet.

Në fakt, do të doja që kalendari të bëhej rrëmujë, mund ta paramendoj renditjen e muajve pas zgjedhjes së Abazoviqit kryeministër; maj, qershor, Dritan, gusht... atëherë do të festoja, të paktën kalendari do të bëhej më interesant.

Po të mos e merrnim vesh nga mediat, asnjëri nga ne s’do ta vërenim ndryshimin në jetën tonë, sepse s’do të ketë ndryshim.

T’jua kujtoj se po të mos ishin aleatët për t’ia treguar rrugën, rruga e Abazoviqit të çonte në Beograd. Sido që të jetë, ky Abazoviqi tradhtar nuk është, por as për permendore jo.

Urime zgjedhja e kryeministrit të ri në Mal të Zi. Dje gjithashtu janë mbajtur zgjedhje në Republikën e Beninit, urime edhe për këto.

Tjera nga autori:
1