<b></b> Pushteti refuzon hetimin për energjinë, unifikohet opozita – paralajmërohet bojkotim i Kuvendit

Pushteti refuzon hetimin për energjinë, unifikohet opozita – paralajmërohet bojkotim i Kuvendit

19.04.2022 19:25

Seanca plenare e 19 prillit e Kuvendit të Kosovës u karakterizua nga një mospajtim ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare. E çështja për të cilën nuk u pajtuan dy blloqet politike ishte formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me energjinë, e cila u inicua nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nga partia që inicoi këtë nismë, deklaruan se rritja e çmimit është shoqëruara me shumë parregullësi dhe se ky komision hetimor do të hetonte të gjitha masat e marra gjatë përiudhës kur mbizotëroi gjendja emergjente për energjinë.

“Ky proces besojmë që është shoqëruar me shumë parregullsi dhe konsiderojmë që është e rëndësishme të themelojmë një komision hetimor që nxjerr në pah gjitha zhvillimet që kanë quar deri te ngritja e çmimit të energjisë elektrike. Nuk kemi pa që ka ndodh ngritja e pagave dhe nuk shohim që do të ndodh një gjë e tillë dhe rritja e çmimit të energjisë është e pa përballueshme”, tha Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

E një nismë e tillë u përkrah edhe nga partitë e tjera opozitare.

Por, komisioni hetimor parlamentar u refuzua si ide nga shumica në Kuvend.

Madje, shefja e Grupit Parlamentat të VV-së dha një arsyetim qesharak në lidhje me kundërshtimin e komisionit hetimor parlamentar.

“Në rrethanat në të cilat tash në Evropë, është një luftë duke u zhvillu dhe bazën e konfliktit e ka në resurset dhe në mospasjen e mundësisë së pavarësimit energjetik të BE-së të cilën Rusia po e shfrytëzon, këtu në kuvend partitë opozitarë kanë bë çmos me e parandalu qeverinë në krejt masat e veta. Fatmirësisht nuk ia kanë arritë, qeveria e ka vazhdu punën e vet”, deklaroi Kusari-Lila.

Ndarje, megjithëse minimale, u vërejtën edhe brenda mazhorancës.

Pak më ndryshe se Kusari-Lila për këtë temë mendoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili poashtu vjen nga partia në pushtet, VV.

Konjufca i dha të drejtë pjesërisht opozitës.

“Deputetë uluni në vendet e tuaja, se du me ja dhënë vet një interpretim kësaj pune sepse nuk po funksion ndryshe. Unë du me i dhënë të drejtë pjesërisht opozitës. Po du me i dhënë të drejtë opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i Gruipit Parlamentar kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë e kam thënë qe është gabim”, tha ai.

E refuzimi i VV-së, duket se ka pasur një efekt interesant tek opozita.

Pas kundërshtimit të partisë më të madhe në Kuvend, opozita është bashkuar në qëndrime. PDK, LDK e AAK mbajtën qëndrime të njëjta rreth themelimit të komisionit hetimor parlamentar.

 

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e akuzoi shumicën se bllokimi i komisionit hetimor është shkelje brutale e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës nga mazhoranca dhe qeveria Kurti.

“Kryeministri Kurti, përmes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për herë të dytë sot, e bllokoi miratimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me krizën energjetike në vend, duke shkelur haptas ligjin dhe Kushtetutën, diçka që tashmë është bërë traditë dhe praktikë e këtij Qeverie. Por, përkundër këtij insistimi të këtij pushteti për ta mbajtur fshehtë krejt atë që ka ndodhur për muaj të tërë, sot ju themi se arroganca e numrave të pushtetit nuk mund ta ndaloj nxjerrjen në dritë të së vërtetës.”, theksoi ai.

Ndërsa i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se nuk do të përkrah asnjë nismë ligjore derisa opozitës i mohohet e drejta e themelimit të komisionit hetimor në Kuvend.

“Prandaj, pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë – asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij do të refuzojë qëndrimin në Kuvend nëse komisionit nuk formohet.

“Sot ndodhi ajo që nuk do të duhej që të ndodhte. Pra Qeveria e pengoi Kuvendin që të formojë themelimin e një Komisioni Hetimor lidhur me subvencionimin e energjisë. Aleanca nuk do të marrë pjesë në asnjë votim për t’i bërë kuorumin shumicës deri në themelimin e këtij Komisioni që u refuzu sot”, tha ai.

Çështjen e bojkotimit të Kuvendit, e ripërsëriti edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se partia e tij e sheh si të pakuptimtë të votojë marrëveshjet ndërkombëtare përderisa i mohohet komisioni hetimor.

“Mohimi i kësaj të drejte për ne është përtej çdo limtii, si deputet mund të konkludoj se nëse nuk formohet Komisioni Hetimor parlamentar nuk ka më kuptim që LDK të marrë pjesë në çfarëdo votimi në Kuvend. Nuk ka më kuptim që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nëse i mohohet opozitës të formojë komision hetimor”, tha Gashi.

Se e kanë seriozisht në qëndrimet e tyre, u pa menjëherë kur në rend të ditës erdhën marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat nuk u votuan si pasojë e largimit të opozitës nga seanca.

“Sot në mungesë të grupeve parlamentare të opozitës si rrjedhojë të largimit të tyre nga salla, mbeten pa u votuar 4 marrëveshje ndërkombëtare në vlerë 100 milionë euro”, tha Kusari Lila para gazetarëve në një konferencë.

Tjera nga autori:
1