<b></b> Qeveria Kurti kundër tërheqjes së parave nga Trusti, qytetarët me shumicë pro

Qeveria Kurti kundër tërheqjes së parave nga Trusti, qytetarët me shumicë pro

21.04.2022 23:34

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti edhe një herë është deklaruar rreth çështjes së tërheqjes së kursimeve nga ana e qytetarëve nga Trusti Pensional. Edhe kësaj radhe, Qeveria e ka ripërsëritur deklaratën tashmë të njohur se ekzekutivi nuk e përkrah mundësinë për tërheqjen e kursimeve.

Në një deklaratë për media, Qeveria madje ka ofruar një arsyetim për këtë çështje duke thënë se tërheqja e kursimeve nuk do të ofronte ndihmë katëgorive në nevojë për shkak të përqindjes së ulët të fondit pensional që kanë të njëjtit.

Tutje, ajo thotë se nuk e përkrahë nismën legjislative për ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrahë këtë nismë legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Qeveria Kurti ka deklaruar se nuk duhet të abuzohet me kursimet e pleqërisë.

Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët”, thuhet në njoftim e ekzekutivt, shkruan Gazeta Nacionale.

Megjithatë, Qeveria e drejtuar nga kryeministrit Kurti ka thënë se do t’u gjindet afër qytetarëve në forma të tjera duke listuar disa prej tyre në njoftim.

Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme”, sqaron Qeveria në njoftim.

Kohëve të fundit është ri aktualizuar debati mbi tërheqjen e kursimeve të Trustit nga ana e qytetarëve pasi që Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet deputetit të saj, Bekim Haxhiu, propozoi tërheqjen e 30% të kursimeve të Trustit.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka treguar procedurën e sjelljes në Kuvend për miratim të Projektligjit, i cili do t'u mundësojë qytetarëve të Kosovës të tërheqin 30 për qind të trustit.

I pyetur nga gazeta Nacionale, nëse ka gjasa të miratohet ky projektligj, ai është përgjigjur: kësmet.

 “Projektligji kthehet në Kuvend në procedurë parlamentare dhe trajtohet sipas procedurës për miratimin e ligjeve në lexim të parë dhe të dytë. Respektivisht nga nesër projektligji vjen në Kuvend dhe u shpërndahet deputetëve”, ka thënë Haxhiu.

Deputet e VV-së janë shprehur publikisht kundër nismës për tërheqjen e serishme të kursimeve. Nga shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari e deputeti Armend Muja janë deklaruar publikisht kundër tërheqjes së kursimeve.

Kujtojmë që qytetarët janë në shumicë të madhe pro tërheqjes së Trustit.

Në një hulumtim të opinionit të publikuar nga Pyper, del se 79% e qytetarëve përkrahin tërheqjen e 30% të kursimeve nga fondi pensional i Kosovës.

Por, për tu realizuar një gjë e tillë duhet aprovimi i ndryshimeve ligjore nga ana e Kuvendit të Kosovës.

E meqë pushteti aktual është kundër kësaj nisme, zor se nisma legjislative e deputetit të PDK-së do të kalojë. Pra qytetarët, që me shumicë janë në favor të tërheqjes së kursimeve nga Trusti, nuk do t’i shohin ato para në xhepin e tyre.

Tjera nga autori:
1