<b></b> Qeveria e Kosovës po i frikësohet dialogut me Serbinë

Qeveria e Kosovës po i frikësohet dialogut me Serbinë

04.05.2022 19:56

Kryeministri Albin Kurti, prej ardhjes në pushtet ka treguar një hezitim për t’u marrë me dialogun Kosovë-Serbi. Vazhdimisht, ai ka thënë se ky proces nuk do të jetë prioritet i rëndësishëm në qeverisjen e tij. Në anën tjetër, sot kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ia ka rikujtuar shefit të qeverisë se dialogu me Serbinë duhet të jetë ndër prioritet kryesore të Kosovës.

Hezitimin e kryeministrit për t’u marrë seriozisht me dialogun e Brukselit, njohësit e rrethanave politike dhe përfaqësuesit e opozitës e kanë vlerësuar si mungesë guximi të qeverisë për t’u përballur me këtë proces.

Ata kanë thënë për gazetën Nacionale se shefi i ekzekutivit e ka obligim kushtetues përmbylljen e dialogut me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e guximshme, më e përgatitur, sepse sa më shpejt që të përfundojë dialogu me Serbinë, ne do të jemi në avantazh në secilin element. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të di të përdorë atë zhdërvjelltësinë diplomatike që të paktën verbalisht ta dëshmojë para botës perëndimore se dialogu do të jetë numër një, e jo prioritet i shtatë apo i tetë. Pavarësisht retorikës së brendshme politike që përdoret në të dyja vendet, me vizitat e niveleve të larta dhe me vetëdijesimin që po krijohet brenda vendeve të BE-së që konfliktet e hapura mund të jenë probleme shumë të mëdha në të ardhmen e afërt, mendoj se presoni do të jetë i madh që dialogu të bëhet prioritet i të dyja vendeve në një të ardhme shumë të afërt”, ka thënë njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Ai ka bërë me dije se ky hezitim i Kurtit po vjen nga frika për t’u marrë me procesin e dialogut.   

“Mendoj se dialogu do të jetë prioritet i të dy vendeve, por mandej varet varësisht se cili vend di më mirë ta interpretojë. Në këtë rast, mendoj që Serbia e ka një avantazh të lehtë në interpretimin e dialogut ‘kinse’ e ka si prioritet, ndërsa Qeverisë së Kosovës për fat të keq ende po i mungon ai sensi  diplomatik i të artikuluarit të paktën në mënyrë verbale që të thotë se po, dialogu ka rëndësi të madhe. Nuk e di pse po i mungon kjo, nuk e di a e ka nga frika apo nga paaftësia. Mendoj se të dyja po ndikojnë nga pak”, është shprehur ai.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se qeverisë aktuale po i mungon guximi për t’u përballur me fazën finale të dialogut me Serbinë. Ai ka vlerësuar për gazetën Nacionale se kryeministri Kurti i ka përgjegjësitë për të përmbyllur këtë proces.

“Duhet guximshëm me hy në agjendë politike. Kaloi koha e muajit të mjaltit për qeverinë Kurti, kur thoshte se dialogu është prioritet i katërt, se duhet me pa agjendën e formatin, kur thoshte se nuk e takoj Serbinë, por serbët e Kosovës. Këto nuk çojnë peshë më te ndërkombëtarët. Formatin e dialogut e ka, kompetencat kushtetuese i ka dhënë Kushtetuesja, opozita e mbështet. Nuk ka parti anti-dialog në Kosovë. Nuk e di pse duhet të mos hyjë guximshëm në këtë kohë dhe me zgjedhë problemin me Serbinë”, ka thënë Haziti.

Ndërsa ish-ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se në mungesë të guximit kryeministri Kurti është akomoduar me dialogun teknik.

“Kjo qeveri dhe kryeministri Kurti kanë qenë aq fort kundër dialogut të Brukselit dhe tani janë bërë aq komod me këtë proces. Dikur në shenjë proteste ndaj këtij procesi kanë ushtruar dhunë dhe kanë djegur institucionet, ndërsa tani janë akomoduar aq shumë me këtë dialog sa kanë harru se aty janë për të nxjerrë rezultate dhe për të bërë marrëveshje, dhe jo për të lejuar zvarritjen e tij ku Serbia po përfiton dhe Kosova nuk po përfiton”, ka deklaruar Tahiri për gaztën Nacionale.

Sipas saj, kryeministri Kurti duhet të kërkojë nga SHBA-ja dhe BE-ja që të fillojë fazën finale të dialogut.

“Qeveria duhet që me kërkesë zyrtare t’i drejtohet Brukselit dhe Uashingtonit që procesi i bisedimeve të jetë vetëm për marrëveshjen finale dhe vetëm për njohje reciproke. BE-ja si ndërmjetësuese duhet ta kuptojë se tani është koha që të kemi rezultate në këtë proces”, ka thënë Tahiri.

Gjermania kërkon angazhim në dialog

Dialogu Kosovë-Serbi ka qenë temë kyçe edhe në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur sot me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Ky i fundit ka thënë se objektiv i të dy palëve në këtë proces duhet të jetë marrëveshja përfundimtare.

“Objektivi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme, midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, ka deklaruar Scholz në konferencën për media, pas takimit me Kurtin.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se njohja reciproke në këtë proces duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit të negociatave me Serbinë.

Ai ka thënë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe se po bën propozime që janë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.

“Ne jemi të përkushtuar për të arritur rezultate konkrete shpejt dhe në bashkëpunim të plotë”, ka deklaruar Kurti.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka treguar për gazetën Nacionale se kryeministri Albin Kurti sot do të ketë edhe një takim tjetër të rëndësishëm.

Ai ka thënë se Kurti do të takohet edhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në mënyrë joformale.

“Pas ftesës nga kancelari Scholz, përfaqësuesi special i BE-së Lajçak po ashtu ka udhëtuar në Berlin për të takuar kancelarin e më pas për të mbajtur takime të ndara joformale edhe me presidentin Vuçiq, por edhe me kryeministrin Kurti”, ka deklaruar Stone.

Edhe ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen seriozisht në dialogun e Brukselit.

“Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo gjatë vizitës që ka pasur në Kosovë.

Kosova dhe Serbia dialogu teknik për çështjen e targave të automjeteve do të vazhdojë më 13 maj.

Tjera nga autori:
1