<b></b> Rama, Kurti e Abazoviq - Ballkani Perëndimor me tre kryeministra shqiptarë

Rama, Kurti e Abazoviq - Ballkani Perëndimor me tre kryeministra shqiptarë

28.04.2022 21:40

Sot pasdite, Dritan Abazoviq është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi pasi mori besimin e 45 deputetëve të Kuvendit malazez. Ndërsa, në seancën e jashtëzakonshme kundër Abazoviq votuan 3 deputetë, të cilët duket se nuk besuan në aftësitë e Abazoviqit për të drejtuar me qeverinë malazeze.

28 prilli do të shënjojë një rast unik në historinë e shqiptarëve. Kjo pasi me votimin e Abazoviqit për kryeministër të Malit të Zi, për herë të parë në historinë moderne, tre vende të Ballkanit Perëndimor udhëhiqen nga shqiptarët.

Krahas Abazoviqit, Edi Rama është timonieri i Qeverisë së Shqipërisë dhe Albin Kurti udhëheq me Qeverinë e Kosovës, një zhvillim politik i paparë deri në prill të 2022.

Por, si u bë që Ballkani Perëndimor t’i ketë tre kryeministra që etnikisht janë shqiptar?

Më së gjati në postin e kryeministrit është lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Një politikan tashmë veteran, Rama udhëheq me Shqipërinë nga viti 2013, duke e fituar tri herë radhazi besimin e shqiptarëve.

Që 11 vite, Rama është politikani më i popullarizuar i Shqipërisë, ndonëse qeverisja e tij është kritikuar fortë për arsye të korrupsionit e sjelljeve autoritare të liderit socialist.

Në vitin 2021, Rama e rifitoi edhe një mandate në krye të Kryeministrisë, duke u bërë një nga politikanët më jetëgjatë të Shqipërisë pas rënies së komunizmit në vitet 90-ta.

Ani pse u zgjodh dy herë kryeministër i Kosovës, Albin Kurti nuk i ka as dy vite në krye të ekzekutivit kosovar.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje për herë të parë u zgjodh kryeministër i Kosovës në vitin 2020, kur partia e tij doli e para në zgjedhjet e tetorit të 2019.

Megjithatë, qeveria e tij e parë ishte jetëshkurtër, duke u rrëzuar nga një mocion mosbesimi i Kuvendit të Kosovës.

Por, Kurti arriti të fitojë përsëri zgjedhjet e shkurtit të 2021 dhe atë me një shumicë prej 50,2%.

E kjo i siguroi një mandat të dytë Kurtit, i cili mori drejtimin e ekzekutivit kosovar në mars të vitit të kaluar.

Kryeministri i tretë shqiptar në Ballkanin Perëndimor e mori këtë epitet sot pasdite.

37 vjeçi Abazoviq mori besimin e 45 deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi, e cila mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme këtë të enjtje.

Ndonëse si lider i partisë qytetarë Aksioni i Bashkuar Reformist (ABR-URA) ka vetëm 4 deputetë, Abazoviq mori të drejtën e mandarit nga presidenti malazez, Millo Gjukanoviq. Një ‘fat’ i tillë i buzëqeshi liderit shqiptar pasi që Kuvendi i Malit të Zi me anë të një mocioni të mosbesimit e rrëzoi qeverinë e Zdravko Krivokapiqit, i cili njihej si pro serb.

Ndër arsyet kryesore të rrëzimit të qeverisë së mëparshme në Mal të Zi ishin çështjet e kishës ortodokse serbe dhe orientimi pro rus i ekzekutivit malazez në politikën e jashtme.  

Madje, deklarata e ministrit të Pakicave ngjalli shumë reagime, pasi që i njëjti nuk e kishte cilësuar si gjenocid ndodhitë në Srebrenicë. Ndaj kësaj deklarate,  atëbotë pati reaguar edhe Abazoviq, i cili kishte kërkuar shkarkimin e Vladimir Leposaviq.

Në deklarimin e tij, lideri i ABR-URA pati thënë se në Srebrenicë ka ndodhë gjenocid dhe se një gjë e tillë nuk të mohohet.

Tjera nga autori:
1