<b></b> Reforma zgjedhore e domosdoshme: Pragu, listat, zonat dhe kuota duhet të diskutohen

Reforma zgjedhore e domosdoshme: Pragu, listat, zonat dhe kuota duhet të diskutohen

23.04.2022 16:02

Partitë politike janë pajtuar për ri-fillimin reformës zgjedhore. Derisa në prani të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, përfaqësuesit e gjitha partive kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për themelimin e Komisionit Ad-hoc për këtë reformë, ekspertët e këtij procesi kanë e vlerësuar si shumë të nevojshme përfundimin e reformës, e cila ka nisur në vitin 2010.

Njohësit e procesit zgjedhor kanë treguar për gazetën Nacionale fushat në të cilat duhet të koncentrohet puna për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

Allen Meta nga D4D ka deklaruar për gazetën Nacionale se është koha e fundit që të shkohet përpara në këtë fushë.

 “Shpresojmë që tashmë bashkërisht partitë politike të punojnë me seriozitet, domosdo edhe në konsultim me palë tjera që mund të kontribuojnë në këtë proces. Besojmë që me ndërhyrjet e reformës zgjedhore do të kishte adresim të metave që sistemi momental i ka”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se pragu, listat, zonat, kuota dhe vendet e rezervuara janë vetëm disa nga fushat ku duhet të koncentrohet komisioni i kësaj reforme. “Pa dyshim, jemi dëshmitar që deri tani ka pasur nevojë që në shumë fusha që të sistemit zgjedhor të ketë diskutime për shkak të metave që vetë ky sistem zgjedhor i ka. Pragu, listat, zonat, kuota, vendet e rezervuara dhe alokimi i ulëseve në kuvend do të mund të ishin disa prej çështjeve që domosdo do të duhej të adresoheshin në kuadër të reformës zgjedhore. Pa dyshim që këto nuk janë të vetmet adresime që duhet të jenë në kuadër të reformës zgjedhore”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe votimi nga jashtë vendit duhet të diskutohet.

“Votimi nga jashtë gjithashtu do të duhej të ishte po ashtu një prej çështjeve që do duhej të kishte vëmendje të veçantë. Pastaj janë edhe çështjet e tjera që do të duhej të ishin si tema diskutuese, zgjedhja e modelit më të mirë për zgjedhjet lokale me fokus në mos shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Është e dukshme që sistemi ka të metat e veta që pa dyshim duhen adresuar për qëllim të përmirësimit të përfaqësimit dhe pjesëmarrjes, dhe jo duke pritur se do të mënjanohem komplet shkeljet si me shkop magjik”, ka vlerësuar Meta.

Sipas tij, ekzistojnë pikëpamje të ndryshme sa i përket gjithë sistemit zgjedhorë, dhe reformës në përgjithësi. Meta ka treguar se te zonat zgjedhore ka  5 grupe të ndryshme të mendimit, pro dhe kundër me argumentet dhe faktet mbi përparësitë dhe të metat.

Edhe ish-anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi, ka thënë se reforma është shumë e nevojshme.

“Reforma zgjedhore është e domosdoshme. Edhe pse Kosova po organizon zgjedhjet më të mira në rajon, zgjedhje pas zgjedhjeve janë evidentuar nevoja për ndryshim të ligjeve për zgjedhjeve, për ti përshtatur me rrethanat koherente. Po fillimisht duhet të adresohen rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtar dhe vendore, mandej duhet shikuar të metat dhe problemet që kanë përcjell  zgjedhjet për vite”, ka thënë Gjoshi për gazetën Nacionale.

Kurse, njohësi tjetër i procesit zgjedhor, Blerim Burjani është shprehur skeptik në vullnetin e partive politike për ta mbyllur kësaj here këtë reformë.  “Nuk e besoj se ka vullnet serioz në trajtimin e një reforme të sistemit zgjedhor dhe sistemit teknik, pra reforma duhet të jetë në këto dy segmente. Që  të këtë përkrahje të BE, pra ideja nuk është që në mënyrë kozmetike dhe sipas nevojës se partive te ndodhe reforma. Por reforma duhet të ndodhë për shkak demokracisë elektorale edhe në dobi të qytetarit si përfitues e jo përfitues të jenë vetëm partitë që atyre lehtë iu mundëson pragun zgjedhor të hynë në Kuvend”, ka thënë Burjani për Nacionalen.

Reforma duhet të përfshijë edhe nivelin lokal

Njohësit e procesi zgjedhor kanë bërë me dije se reforma duhet të  prek edhe zgjedhjet lokale.

Sipas tyre, duhet të shikohet edhe mundësia e heqjes së raundit të dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.

Ish-përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Betim Gjoshi, ka thënë se partitë politike duhet ta tregojnë vullnetin e tyre në praktikë. “Është e domosdoshme që të shikohen edhe pjesët tjera të ligjit që do te rrisnin demokracinë, llogaridhënien siç janë formula për ndarje të ulëseve, se sa kandidate ka drejtë votusi me votuar, zonat, si dhe balotazhi të zgjedhjet lokale. Ne si PDK kem pasur gjithmonë vullnet dhe reformën e shohim si domosdoshme, presim të njëjtën qasje edhe nga partitë  tjera”, ka thënë Gjoshi.

Edhe Allen Meta nga D4D ka thënë se për zgjedhjet lokale duhet rregullohet një sistem i cili do të pamundësonte shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. “Sa i përket raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, mendojmë se duhet të rregullohet një sistem i cili do të pamundësonte shkuarjen në zgjedhje të parakohshme si fillim i reformës në nivel lokal, ndërsa shkuarja në raundin e dytë, do të mund të hiqej vetëm me lejimin e udhëheqjes së qeverisjes lokale nga partia apo kandidati i parë pas zgjedhjeve, me mundësinë e krijimit të koalicioneve, e që do të parandalonte raundin e dytë, mirëpo te kjo pjesë pastaj do duhej edhe intervenim te zgjedhja e këshilltarëve komunal, me pamundësinë e zgjedhjes së tyre ndaras nga subjekti politik, pasi që do të krijonte vetëm probleme edhe më të mëdha”, ka thënë ai.

Ndërsa, eksperti Blerim Burjani ka treguar arsyet se pse ekziston raundi i dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave. “Raundi i dytë për zgjedhjen e kryetarëve nuk mbahet për qejf, apo me dëshirë, por për shkak së kryetarët rrallë mund të marrin 50+1 votë. Kjo nënkupton së nuk ka legjitimitet të plotë të zgjedhjes së një kryetari. Pra, janë këto çështje që pengojnë heqjen e raundit të dytë të zgjedhjeve”, ka thënë Burjani.

Pas disa takimeve partitë politike janë pajtuar për formulën e përbashkët të komisionit për reformë.

Gjithashtu, krahas këtij komisioni partitë janë pajtuar të themelohet edhe Grupi Këshillëdhënës, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës që janë marrë me reformën zgjedhore, BE-së, OSBE-së.

Komisioni Evropian, në raportet vjetore për Kosovën vazhdimisht ka ngritur shqetësim për ngecjen në reformën zgjedhore.

Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, reforma zgjedhore gjatë gjithë kohës ka qenë një prej temave më të diskutueshme politike. Për të realizuar reformën janë krijuar edhe komisione ad-hoc, por edhe është marrë përgjegjësi edhe nga Komisioni për Legjislacion, mirëpo deri tani nuk ka pasur avancim më të madh se sa miratimi në parim nga ky komision.

 

 

Tjera nga autori:
1