<b></b> Rusia po humb në Ukrainë

Rusia po humb në Ukrainë

30.04.2022 12:41

Me 2.000 koka taktike bërthamore në dispozicion, duhet të shpresojmë që paralajmërimet e presidentit rus janë taktike.

Editorial i gazetës “The Guardian”

Kur lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj po e dobësojnë ushtrinë konvencionale të Rusisë, qeveria e Vladimir Putin-it i ka zgjedhur kërcënimet bërthamore, të hartuara për ta paraqitur fuqinë. Putin-i dëshiron që t’i frikësojë kundërshtarët e tij, por strategjia e tij po dështon. Në vend që aleatët e Ukrainës të tërhiqen, ata po e shtojnë përkrahjen e tyre. Këtë javë, Kongresi i ShBA-së miratoi 11 miliardë dollarë armë për Ukrainën, trefish më shumë se ndihma e përgjithshme ushtarake që e ka dhënë Uashingtoni deri më tani.

Presidenti amerikan, Joe Biden, kishte të drejtë, kur e kritikoi Putin-in se po bënte komente boshe për armët bërthamore. Është e paimagjinueshme që gabimet dhe llogaritë e gabuara do ta çonin botën buzë humnerës. Sidoqoftë, andej është nisur bota. Përderisa kriza kubane e raketave kishte zgjatur 13 ditë, lufta e Rusisë tashmë është në muajin e saj të tretë. Pa fund të qartë në horizont, më shumë beteja vdekjeprurëse duken të pashmangshme – duke i rritur gjasat për gabime.

Putin-i ka mundur ta përdorë retorikën bërthamore për ta dhënë përshtypjen se është jostabil. Lufta e tij është e paligjshme dhe e pamoralshme. Justifikimi i tij për fillimin e pushtimit ishte i tmerrshëm dhe qesharak. Sidoqoftë, ky mund të jetë një akt. Presidenti i Rusisë mund të jetë duke u përpjekur që ta mbështesë diplomacinë shtrënguese me teorinë e “njeriut të çmendur” për kërcënimin me forcë të tepërt, ku përfshihet spektri i armëve bërthamore. Sado e papajtueshme që mund të duket kjo, një Putin racional, me 2.000 koka taktike bërthamore, parapëlqehet para një Putin-i joracional.

Përqendrimi i një fuqie të tillë në duart e një njeriu do të duhej që ta bënte botën të ngrihej në këmbë. Rusia ka pak mekanizma për t'i pamundësuar Putin-it që t’u drejtohet armëve bërthamore, nëse ai do të vendoste se nuk ka asgjë për të humbur. Muajin e kaluar në “The Guardian”, Christopher Chivvis shkroi se në skenarët e ushtrimeve ushtarake në të cilët ka marrë pjesë, të cilët shqyrtuan se çfarë do të ndodhte, nëse Rusia do ta godiste Ukrainën me armë bërthamore, mënyra e vetme për uljen e tensioneve do të ishte, kur “rrugët e qarta anësore politike dhe linjat e komunikimit mes Moskës dhe Uashingtonit do të mbeteshin të hapura. Në të gjithë skenarët e tjerë, bota do të ishte praktikisht e shkatërruar.”

Për këtë arsye, presidenti amerikan ka qenë i kujdesshëm që të mos i ofrojë Rusisë një arsye për t’u bërë bërthamore. Biden-i e bëri të qartë se ShBA-ja nuk do t’i vendosë çizmet në tokë, nuk do të vendosë zonë të ndalimit të fluturimeve dhe nuk do të kryejë testime të raketave balistike ndërkontinentale. Ajo që ka dëshmuar Biden-i është që teknologjitë konvencionale kundërajrore dhe anti-tank kanë arritur në një nivel të ri të aftësisë, në atë nivel që i kanë bërë pothuajse të dala mode forcat konvencionale pushtuese tokësore – përpos nëse këto grumbullohen në masë të jashtëzakonshme. Biden-i ka qenë më mendjemprehtë se demokratët më entuziastë ose shokët e tyre ideologjikë, që gjenden në qeverinë e Boris Johnson-it.

I përballur me ngecje të kushtueshme ushtarake, Putin-i e ka ripërqendruar Rusinë në shtrëngimin e kontrollit të saj në lindje dhe jug të Ukrainës. Luftimet mund të përkeqësohen para se të bëhen më mirë. Ndjekja e objektivave të Kievit përmes rrugëve relativisht të kufizuar ka funksionuar, ndonëse Rusia ka arritur që t’i vërë në shënjestër civilët pa dallim. Ukrainasit kanë çdo të drejtë që t’i përcaktojnë qëllimet e tyre të luftës. Njësoj edhe aleatët e tyre të NATO-s. Njëri nga qëllimet e tyre është që të mos rriten gjasat që lufta të bëhet konflikt bërthamor. Prandaj, udhëheqësit perëndimorë duhet t’i refuzojnë kërkesat provokuese e eskaluese pa u menduar. Asgjë tjetër nuk do të mund të ishte më e rrezikshme.

Përktheu: Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1