<b></b> Sa zgjati darka Kurti-Vuçiq dhe çka u bisedua?

Sa zgjati darka Kurti-Vuçiq dhe çka u bisedua?

05.05.2022 08:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, darkuan të mërkurën në Gjermani. Darka sipas BE-së ishte joformale. Teksa në Kosovë kjo darkë nuk u prit hiç mirë, duke i ditur premtimet që kishte dhënë Kurti në të kaluarën.

Ky ishte takimi i tretë i Kurtit me Vuçiqin pas atij të fundit që u zhvillua në muajin korrik të vitit 2021.

Por sa zgjati darka dhe çka u bisedua?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas darkës që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për RTK-në ka treguar se cilat ishin temat që u biseduan në sofrën që u shtrua nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Darka mes tyre ka zgjatur një orë e gjysmë dhe u mbajt në pallatin Borsig që gjendet në periferi të Berlinit.

Sipas Kurtit, takimi me Vuçiqin ishte një përgatitje për takimin e javës së ardhshme të kryenegociatorëve, por jo të liderëve.

Kurti po ashtu ka thënë se Vuçiqi nuk ka edhe më tej distancim nga politika e Sllobodan Millosheviqit dhe as nga politika e presidentit rus, Vladimir Putin.

Në pallatin Borsig në periferi të Berlinit ishte takimi i tretë me lehtësimin  apo ndërmjetësimin e  Lajçak, takim që ishte në përgatitje për takimin javës së ardhme kur më 13 maj, kryenegociatorët tanë takohen në Bruksel. Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Millosheviqi, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka treguar dallimet e darkës me takimin e parë dhe të dytë që pati me Vuçiqin, duke thënë se qëndrimet janë të njëjta.

Po e ritheksoj se qëndrimet janë të vjetra dhe kjo është arsyeja se pse nuk mund të kemi një marrëveshja të re çfarë i nevojitet jo vetëm raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe Ballkanit në përgjithësi, e do të thosha edhe Bashkimit Evropian”, ka thënë ai për RTK.

Në intervsitën e tij, Kurti ka thënë se takimi i ardhshëm nuk do të jetë në nivel të liderëve, por në nivel të kryenegociatorëve, dhe takimi do të mbahet më 13 maj në Bruksel.

Por takimi i katërt mes tij dhe Vuçiqit mund të mbahet, por sipas Kurtit varet “se si shkon takimi i kryenegociatorëve me 13 maj”.

Në anën tjëtër i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka bërë të ditur se në darkë është diskutuar për dialogun dhe ka konfirmuar takimin e kryenegociatorëve me 13 maj.

E mirëprita mundësinë për një darkë joformale diskutimesh rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimet në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndërsa Vuçiqi falënderoi shtetin gjerman për takimin që pati me Kurtin.

Faleminderit nikoqirëve për organizimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Vuçiqi në mbishkrimin e fotografisë me Kurtin.

Përveç takimit me Vuçiqin, Kurti u prit edhe nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili u shpreh pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, e po ashtu tha se njohja e Kosovës është pjesë e dialogut.

Mbetet të shihet nëse Kuvendi i Kosovës do ta ftojë Kurtin të raportojë për darkën që pati me Vuçiqin, pasi kërkesa të tilla janë bërë të mërkurën ndaj tij.

Përndryshe, darka e Kurti-Vuçiq elektrizoi rrjetet sociale me reagime e me tallje të ndryshme të cilat po vazhdojnë edhe sot.

Tjera nga autori:
1