<b></b> Serbia po rrëshqet drejt autokracisë

Serbia po rrëshqet drejt autokracisë

21.04.2022 12:08

Vëzhguesit e demokracisë dhe aktivistët e shoqërisë civile në Serbi kanë paralajmëruar se vendi është duke rrëshqitur drejt autokracisë nën pushtetin e Aleksander Vuçiqit, i cili këtë muaj u zgjodh në mandatin e dytë me një shumicë të madhe.

Phoebe Greenwood, The Guardian

Pas një fushate të njollosur nga raportimet për ryshfet, frikësim dhe mashtrim të përhapur, Vuçiqi fitoi 60 për qind të votave. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare dhe i zgjedhjeve për qytetin e Beogradit, megjithatë, ende është i paqartë. Opozita është duke pritur që gjykatat të vendosin nëse do të përsëritet votimi në zonat ku opozitarët kanë paraqitur ankesa për parregullsi të rënda. Si rezultat, qeveria e re nuk do të formohet disa muaj.

“Situata më e mundshme është që Vuçiqi ta zgjasë këtë proces dhe do të jetë katrahurë dhe ai gjithmonë e përdor katrahurën për përparësinë e vet”, tha Bojan Elek, nëndrejtor i Qendrës për Politika të Sigurisë në Beograd. “Ai është llogaritës dhe strateg aq i mirë, saqë është i aftë për të kthyer çfarëdo situate në favor të tij”, shtoi ai.

Megjithatë, lufta në Ukrainë i ka paraqitur presidentit një sfidë të konsiderueshme, pasi Serbia duket e vendosur mes aplikimit për anëtarësim në BE dhe aleancës instinktive me Rusinë.

Këto dy vende kanë lidhje të ngushta historike, fetare dhe kulturore dhe Moska i ka ofruar përkrahje kritike Beogradit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke e bllokuar pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, Serbia është tërësisht e varur nga nafta dhe gazi rus. Këtë javë, Vuçiqi i akuzoi Ukrainën dhe një shtet të paidentifikuar të BE-së për organizimin e një vargu të kërcënimeve të rreme me bombë ndaj aeroplanëve të kompanisë “Air Serbia”. Ai nuk ofroi dëshmi për këtë pretendim, të cilin Ukraina e quajti të pabazë.

Por pas sulmit rus ndaj Ukrainës, sinjalet që po vijnë nga kryeqytetet evropiane në Beograd bëjnë të qartë se veprimi baraspeshues i Vuçiqit nuk është më i zbatueshëm. “Ata po kërkojnë dënim më të ashpër – kjo do të mund të ishte fitore e lehtë – dhe përfundimisht bashkim me disa sanksione”, tha Elek. “Ai do të mundohet që të luajë pak më gjatë kështu, por unë mendoj se nëse përfundimisht i duhet që të marrë një vendim, zgjedhja e vetme racionale do të ishte që të merret ana pro-evropiane. Ata mund të vendosin që t’u bashkohen pakove të sanksioneve që nuk do ta dëmtonin shumë Serbinë”, shtoi ai.

Presidenti ishte i ngadalshëm për ta dënuar agresionin rus, i cili fillimisht u raportua nga tabloidet pro-qeveritare si sulm ukrainas ndaj Rusisë. Serbia as nuk ka zbatuar asnjë nga sanksionet e BE-së kundër Rusisë që nga aneksimi i Krimesë i vitit 2014. Por analistët serbë besojnë se presidenti, me gjasë, do t’u bashkohet sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj Moskës, nëse lufta është ende duke vazhduar, kur qeveria e tij e re të formohet përfundimisht.

Pavarësisht vetëdijes së qartë për prirjet autokratike të Vuçiqit, Angela Merkel dhe Ursula von der Leyen bënë vizita në Beograd brenda një muaji mes njëra-tjetrës vitin e kaluar.

“Nuk mendoj se është e dobishme, por mund ta kuptoj. Problemi është që BE-ja nuk sheh në opozitë një partner të besueshëm dhe mjaftueshëm të fuqishëm”, tha Biljana Gjorgjeviq, deputete e opozitës nga koalicioni i formuar rishtazi, “Moramo”, që fitoi 13 ulëse. Ajo përshkroi një kulturë të abuzimit endemik të kuvendit nga partia në pushtet, duke e përdorur si shembull buxhetin e vitit 2018, i cili ishte miratuar pa debat, pasi deputetët e saj kishin përdorur qindra amendamente për të vonuar dhe bllokuar çfarëdo pyetje nga opozita.

“Fatkeqësisht, ata (udhëheqësit evropianë) e zgjodhën stabilitetin para demokracisë, që është vërtet keq. Kjo gjithashtu e ka minuar BE-në këtu në Serbi. Njerëzit janë bërë euroskeptikë, që është e kuptueshme”, shtoi ajo.

Stabiliteti në Ballkan është i rëndësishëm në mënyrë kritike për BE-në dhe duket se Brukseli e ka gjetur te Vuçiqi një politikan që mund ta ofrojë këtë.

Në zgjedhjet e fundit, më 2020, Vuçiqi kishte siguruar 188 ulëse në kuvendin me 250 anëtarë. Megjithatë, ky rezultat ishte kryesisht për shkak të bojkotimit nga politikanët opozitarë, të cilët po protestonin kundër abuzimit gojor dhe sabotazhit ndaj proceseve parlamentare nga deputetët e partisë në pushtet. “Situata në kuvend ishte vërtet e keqe. Njerëzit nga partia në pushtet ishin shumë agresivë gojarisht, është çmenduri se çfarë gjërash mund të thonë për ty”, tha Gjorgjeviqi.

Vukosava Crnjanski, drejtor i organizatës për vëzhgimin e demokracisë, “CRTA”, sqaroi se në mungesë të opozitës në kuvend gjatë dy viteve të fundit, figurat e shoqërisë civile u shtynë në mënyrë të pavullnetshme drejt këtij roli. “Ata ishin vazhdimisht nën sulm”, tha Crnjanski, duke i përshkruar fushatat e njollosjes kundër organizatës “CRTA” dhe kundër saj personalisht në kuvend dhe në mediet pro-qeveritare.

“Ajo që po shohim është lëvizje serioze prapa e demokracisë në Serbi, sidomos në funksionimin e institucioneve, përfshirë kuvendin. Më 2016, (partia në pushtet) filloi ta ndalte secilin zë të lirë në Serbi”, tha ajo.

Sofija Todoroviq, drejtore e programit në Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut në Beograd, tha se grupet nacionaliste dhe të djathtës ekstreme po i frikësojnë pa ndëshkueshmëri grupet për të drejtat civile.

Todoroviq-i u sulmua nga përkrahësit nacionalistë të futbollit në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan” më 2017, ngjarje vjetore që i promovon lidhjet kulturore mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ajo jep ndihmë për ta organizuar. Pas sulmit, ajo u dënua me më shumë se 420 euro për protestim gjatë një fjalimi të kriminelit të dënuar të luftës, Veselin Sljivancanin, në një ngjarje të organizuar nga partia e presidentit.

Serbia është në mesin e katër shteteve ballkanike që po e negociojnë pranimin në BE. Në një raport të vitit 2021 nga Komisioni Evropian për progresin në fushat e reformave të nevojshme, theksohen mungesa alarmuese e lirisë së medieve, sulmet ndaj opozitës dhe aktivistëve të shoqërisë civile, korrupsioni, krimi i organizuar dhe kontrolli shtetëror i policisë dhe sistemit të drejtësisë.

“Gjuha nxitëse kundër kundërshtarëve politikë dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera që shprehin pikëpamje të ndryshme politike, ende është përdorur gjatë debateve parlamentare”, paralajmëroi raporti.

“Natyra e autokracisë është që ti nuk kthehesh prapa, është shumë vështirë që të “de-autokratizosh” një udhëheqës, përpos nëse ka ca shok të madh të jashtëm, që mund të ketë ndodhur me luftën në Ukrainë”, tha Elek-u.

“Për të qëndruar në rrugën e tij drejt autokracisë, Vuçiqit i nevojitet përkrahja e Perëndimit. Frika jonë është se, nëse ai vendos që t’ia kthejë shpinën Rusisë, kjo do ta lejojë që të vazhdojë’, shtoi ai.

Tjera nga autori:
1