<b></b> Shehu: Raportet e afërta Shqipëri-Serbi po e dëmtojnë Kosovën

Shehu: Raportet e afërta Shqipëri-Serbi po e dëmtojnë Kosovën

30.04.2022 12:06

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Dritan Shehu, ka iniciuar miratimin e një rezolute në parlamentin shqiptar për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Duke përmendur arsyet që e kanë shtyrë drejt kësaj iniciative, ai pret që javën e ardhshme kjo çështje të diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, Shehu ka kritikuar raportet e afërta të kryeministrit Edi Rama me shtetin e Serbisë.

Sipas tij, këto raporte kanë tejkaluar marrëdhëniet normale në mes të dy shteteve.

Deputeti shqiptar ka vlerësuar se në këto relacione po dëmtohet Republika e Kosovës.

Nacionale:

Z. Shehu, ju keni iniciuar nxjerrjen e një rezolute në Kuvendin e Shqipërisë, e cila synon të dënojë gjenocidin serb në Kosovë. Pse vendoset pikërisht tani?

Shehu:

Se pari, më mirë vonë se kurrë. Gjerat që nuk janë bërë dhe konsiderohen si të dobishme duhen bërë. Se dyti, qeveria serbe kishte mjaft kohë që të kërkonte falje për krimet e luftës dhe gjenocidin e shkaktuar në Kosovë. Unë mendoj se kërkim falja është e domosdoshme, ajo është një siguri për të ardhmen. Ju e keni parë se Gjermania sa herë ka kërkuar falje për krimet e nazizimit, ndonëse qeveritë demokratike të Gjermanisë nuk kanë të bëjnë asgjë me krimet e nazizmit. Falja krijon një besueshmëri në vazhdimin e marrëdhënieve normale në mes të popujve dhe hap rrugë bashkëpunimi në mes tyre. Se tre, kemi edhe një arsyeje tjetër pse tash kemi vendosur për këtë iniciativë. Kemi parë se përsëri re të zeza po sillen mbi rajonin tonë. Përsëri tendenca për destabilizim në rajonin tonë po ndjehen. Kjo është e lidhur pa dyshim me agresionin fashist rus në Ukrainë. Dhe Serbia është  vetëm  vendi i dytë në Evropë, pas Bjellorusisë, që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.
Në këto kushte, duke u lidhur edhe me përvjetorin e Masakrës se Mejes, që Kuvendi mbajti një minutë heshtje, mua dhe kolegët na shtyri të përgatisim një material të plotë për të hapur një diskutim, një mocion me debat, sepse kështu quhet në parlament, te përfunduar me një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb që ka ndodhur në Kosovë dhe në rajon. Pra, arsyet janë thjesht njerëzore. Për të nxitur kërkim faljen nga Beogradi dhe për të përkujtuar një ngjarje që nuk duhet përsëritur më kurrë në historinë tonë.

Nacionale:

Kur pritet që kjo çështje të diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë?

Shehu:

Tani ka ca procedura, ndoshta javën tjetër ne do të paraqesim kërkesën   zyrtaret për këtë gjë. Kolegët po punojnë që kërkesa e paraqitur të jetë sa më shumë dobiprurëse, jo hakmarrëse. Pastaj, ajo do t’i adresohet kryetares së parlamentit shqiptar, e cila e pastaj e diskuton në konferencës e parlamentit shqiptar, të cilët marrin vendimin final për ta diskutuar dhe hapur debatin në seancë plenare.

Nacionale:

Po me deputetët e Partisë Socialiste a e keni diskutuar këtë çështje. A do ta përkrahin ata këtë iniciativë?

Shehu:

Të jem i sinqertë me juve, nuk kam diskutuar me ta. Unë e thash në parlament se ne do ta paraqesim këtë kërkesë dhe i ftova kolegët socialistë që edhe ata të jenë pjesë e kësaj rezolute. Ata mund të bëhen edhe bashkautor të rezolutës, duke shtuar amendamentet dhe propozimet e tyre. Ne jemi të hapur për të gjitha format e bashkëpunimit me ta për të arritur në një emërues të përbashkët të parlamentit shqiptar, i cili kërkon që të dënojë krimet serbe, gjenocidin serb në Kosovë.
Kërkim falje e Serbisë për atë që ka ndodhur do të  krijonte lehtësim edhe për palën serbe. Kjo do të reflektonte edhe në marrëdhëniet me fqinjët, përfshirë raportet me Kosovën dhe Shqipërinë. Marrëdhëniet tona me Serbinë duhet të jenë të varura nga marrëdhëniet që ka Serbia me Kosovën.

Nacionale:

Cili është  vlerësimi i juaj për raportet Shqipëri-Serbia. A po tejkalohet Kosova në këto raporte?

Shehu:

Marrëdhëniet Shqipëri-Serb kanë tejkaluar marrëdhëniet normale midis dy shteteve. Këto raporte kanë kaluar edhe cakun e marrëdhënieve Serbi Kosovë, që nuk duhet kalohej kurrë ky cak. Raportet të tilla e kanë vendosur Kosovën në qoshe, duke e kthyer Kosovën në të akuzuar. Të gjithë e dimë se Kosova nuk është e akuzuar, por në të drejtën e saj. Unë mendoj se marrëdhëniet tona me Serbinë duhet të varen nga marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën.
Serbia përmes nismave të ndryshme rajonale po kërkon të vendos hegjemonin serbe në ekonomi dhe politik. Kjo është një problem i madh. Sepse Shqipëria në këtë periudhë ka ceduar rolin e saj në stabilitetin e rajonit dhe ia ka kaluar këtë rol Vuçiqit dhe Serbisë, duke anashkaluar tërësisht Kosovën. Ky është një gabim fatal që ka bërë Shqipëria, kryeministri Rama, në politiken rajonale. Kjo duhet korrigjohet dhe këto gjera ne i kemi ngritur edhe në parlament. Mendoj se edhe një rezolutë  e tillë për të dënuar gjenocidin serb dhe për të kërkuar me ngulm që Serbi të kërkoj falje, shtynë edhe në drejtimin që të sqarohen mendjet tona dhe të mos bëjmë më gabime kaq të rënda në dëm të interesit kombëtar.

Nacionale:

Miratimi i rezolutës do të ndikojë në raportet e mira të Shqipërisë me Serbinë?

Shehu:

Nuk ka pse t’i prek këto raporte. Unë jam për marrëdhënie normale shtetërore midis Shqipërisë dhe Serbisë, por pa kaluar cakun. Nuk mund t’i jepet Serbisë roli parësor për rajonin, nuk mund të lihet Kosova nën hije duke krijuar Jugosllavinë e re përmes Ballkanit të Hapur. Pra, nuk mund të anashkalohet Kosova. Vetëm Serbia dëshiron anashkalimin e Kosovës në këtë mënyrë. Një rezolutë e tillë nuk besoj se do të ndikojë në raportet e të dy vendeve. Shqipëria dënon gjenocidin serb, siç dënojmë sot gjenocidin nazist në Evropë. Dhe një gjë e tillë nuk ndikon në raportet me Gjermaninë.

Nacionale:

Kemi parë thirrje të vazhdueshme të kryeministrit Rama për Kosovën që t’i bashkohet Ballkanit të Hapur. Ka qenë normal ky presion ndaj udhëheqësve të Kosovës?

Shehu:

Se pari, unë dua të përshëndes qëndrimin e lidershipit të Kosovës për qartësinë e mendimit dhe pozicionimin që ka pasur për të mos u bërë pjesë e asaj nisme vuçiqjane serbe. Sepse kjo nismë synon dominimin e Serbisë në rajon dhe largimin tonë nga rruga evropiane. Ne kemi nevojë për proceset evropiane, procesin e Berlinit, që i vendos të gjithë në tavolinë si të barabartë dhe në krye të asaj tavoline është Brukseli. Për këtë ka nevojë rajonit sot, e jo  për një tavolinë në krye të së cilës është Vuçiqi.
Të gjitha presionet që bënë Rama ndaj Kosovës dhe Malit të Zi, janë presione që absolutisht nuk i shërbejnë interesave kombëtare. Këto janë presione që bien ndesh me interesat tona dhe një gjë e tillë nuk është aspak demokratike.
Kjo nuk është në përputhje me raportet në mes të vendeve rajonale, nuk është në interes të rajonit tonë dhe të ardhmes tonë evropiane. Në këtë mënyrë Rama kthehet në një tellall të Vuçiqit.

Nacionale:

Pse jeni kundër Ballkanit të Hapur?

Shehu:

Open Balkan është një histori e dështuar. Sepse aty marrin pjesë vetëm dy shtet e gjysmë, Serbia, Shqipëria dhe gjysma e Maqedonisë, sepse e patë se gjysma e Maqedonisë së Veriut votoi kundër. Pra, ky është një projekt përpares dhe i dështuar. Ky projekt i sjell vetëm dëme politike dhe ekonomike Shqipërisë.
Ju e keni dëgjuar raportuesen e Shqipërisë në PE, para disa ditësh, ku tha se ky projekt nuk ka të bëj asgjë me rrugën e integrimit evropian.

Nacionale:

Çka duhet të bëj Rama, të tërhiqet nga kjo iniciativë?

Shehu:

Rama duhet të vendos marrëdhënie pariteti me Qeverinë e Kosovës. Nuk mund të këtë marrëdhënie supremacie ndaj Kosovës. Ne jemi të barabartë, të dy vendet kemi parlamentet tona, qeveritë tona, dhe Rama duhet të kuptojë qartësisht se tendencat e komandimit të shkopit të dirigjentit nuk funksionojnë. Kjo do të bëjë që marrëdhëniet tona me Kosovën të forcohen shumë. Në raport me Kosovën, Rama dëshiron të flas si mësues katedre. Pra, ai mësuesi, kurse Kosova nxënës. Ndryshe, ndodh me Serbinë, ku Rama flet si nxënës, kurse Vuçiqi si mësues katedre.

    

 

Tjera nga autori:
1