<b></b> Shumë kryeministra shqiptarë në rajon, çfarë do të thotë kjo?

Shumë kryeministra shqiptarë në rajon, çfarë do të thotë kjo?

29.04.2022 19:15

Me 45 vota pro, Dritan Abazoviq mori besimin e Kuvendit të Malit të Zi për të drejtuar me qeverinë e shtetit malazez. Duke marrë timonin e ekzekutivit të shtetit fqinj, Abazoviq bëhet kryeministri i tretë shqiptarë në Ballkanin Perëndimor, një rast i paparë në historinë moderne të rajonit.

Krahas Abazoviqit në Mal të Zi, Edi Rama është shefi i Qeverisë së Shqipërisë dhe Albin Kurti është kryeministër i Kosovës. Por, shqiptarët mund të kenë edhe një kryeministër tjetër në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia e Veriut mund të jetë vendi i katërt ballkanas që do të udhëhiqet nga një shqiptar, pasi që në gusht të 2020 partia më e madhe maqedonase, LSDM dhe partia më e madhe shqiptare, BDI,  u pajtuan që në 100 ditëshin e fundit qeverisës, kryeministri të jetë nga etnia shqiptare.

Por, çfarë do të thonë katër kryeministra shqiptarë në Ballkanin Perëndimor?

Sipas gazetarit të njohur nga Shqipëria, Blendi Fevziu, një tablo e tillë politike tregon fuqizimin e shqiptarëve në rajon.

Drejtuesi i emisionit “Opinion”, i tha Gazetës Nacionale se ngritja politike e shqiptarëve është e lidhur me ikjen e komunizmit në Shqipëri, çlirimin e krijimin e shtetit të Kosovës, Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni të Veriut e mëvetësinë e Malit të Zi.

Kryesorja është rritja e faktorit shqiptar ne Ballkan në 25 vitet e fundit. Dalja e Shqipërisë nga diktatura në demokraci në vitin 1990; lufta e Kosovës që e ndau atë nga Serbia me 1999 dhe krijimi i shtetit të Kosovës me 2008; marrëveshja e Ohrit ne 2001 ne Maqedoni dhe pavarësimi i Malit te Zi me 2006 kanë krijuar një tjetër realitet ne Ballkan”, tha Fevziu për Nacionale.

Madje ai thotë se me emigrantët në Greqi e ata në Turqi, shqiptarët  si komb krijojnë një ansambël politik solid në gadishullin ballkanik.

Shqiptarët nuk janë më një shtet, por një komb që veç dominimit në Shqipëri e Kosove, luajnë rol deciziv në politikën e Maqedonisë dhe atë të Malit të Zi. Nuk ka asnjë dyshim që roli i shqiptarëve do të rritet me tej. Rritja demografike në Maqedoni dhe pozicionimi i Malit të Zi mes Kosovës e Shqipërisë do ta rrisë ndikimin tonë. Me i rëndësishëm do jetë fuqizimi ekonomik i vendeve tona dhe sidomos lidhja e porteve të Shqipërisë me një infrastrukturë rrugore të mirë”, thekson Fevziu.

Ardhja në krye të Qeverisë së Malit të Zi dhe mundësia e drejtimit të Maqedonisë së Veriut nga një shqiptar, për publicistin Halil Matoshi është mundësi e mirë për afirmimin e çëshjes shqiptarë në Ballkanin Perëndimor.

Por, ai thotë se në fund qeverisja nuk bazohet në etninë e udhëheqësi sa në kualitetin e udhëheqjes.

Në fund të ditës rezultatet vijnë nga cilësia e qeverisjes e jo nga “shqiptarësia” e saj! E para, Dritan Abazović nuk vjen në krye të Qeverisë malazezët si lider i një partie shqiptare, por nga spektri qytetar pra nga lëvizja Most/Ura që është shumëetnike. E dyta, hyrja e Dritan Abazivić në koalicion me partinë serbe e prerëset e ka luhatë shtetin e Malit të Zi, qe ishte me fat, sepse Mile Gjukanoviq  me shokë e pati anëtarësuar në NATO, përndryshe do ta pësonte një fat të përafërt me Ukrainën”, deklaroi Matoshi për Nacionale.

Madje, Matoshi është kritik ndaj Abazoviqit, të cilin e quan mendjelehtë kur i besoi qytetarisë pro ruse në Mal të Zi dhe udhëheqësve të Kishës ortodokse.

E treta, Abazović ishte shumë mendjelehtë kur besoi tek qytetaria proruse (serbe) në Mal të Zi dhe tek popat e Kishës ortodokse serbiane atje. Qeveria të cilës ai “i bëri numrat” ishte e dënuar në dështim dhe rënia e saj është ringritje e shtetit. Sërish shpëtimtari ishte po ai Gjukanoviqi (Djukanović!?). Uroj qe Dritani të kētë mbledh mend!”, tha ai.

Ndërsa, profesori ulqinak Ismet Kallaba thotë se përkundër që katër shqiptarë mund të udhëheqin katër vende të Ballkanit Perëndimor, nuk nënkuptoj që shqiptarët tashmë kanë hequr dorë nga bashkimi kombëtar.

Jo, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se shqiptarët i kanë arritur aspiratat (synimet) e tyre politike e aq më pak mund ta zëvendësojë bashkimin në një shtet të vetëm (të përbashkët)”, i tha ai Nacionales.

Tutje, Kallaba shton se zgjedhja e Abazoviqit për shef i ekzekutivit në Mal të Zi dhe mundësia për një tjetër kryeministër shqiptar në Maqedoni tregon për demokratizimin e dy vendeve.

Megjithatë, profesori nga Ulqini thotë se një gjë e tillë nuk duhet të jetë moment për ngazëllim.

Ne nuk duhet të ngazëllehemi nga fakti nëse një ditë do të kemi katër kryeministra shqiptarë në katër shtete të rajonit, pra edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi. Çështja kryesore është se çfarë kanë bërë kryeministrat shqiptarë, më saktë çfarë do të bëjnë nëse në të ardhmen do të kemi kryeministër shqiptar edhe në Malin e Zi apo Maqedoni. Për momentin, ne kemi dy shtete shqiptare në Ballkan, por shqiptarët po largohen me të madhe nga vendi i tyre. Ky është një tregues i frikshëm se diçka nuk po shkon si duhet”, shtoi ai.

Nazim Rashidi, gazetar i njohur nga Shkupi, thotë se për të si fëmijë i viteve 90-të, një pamje e tillë është e ‘pa imagjinueshme’. Por, autori i emisionit "Programi 200" në Alsat M, vë theksin tek përmbajtja para simbolikës së udhëheqjes së kryeministrave shqiptarë.

Ajo që duhet thënë që në fillim, është se nuk duhet të biem pre e simbolikës. Pa diskutim që për mua, si një fëmijë i viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kjo pamje me përfaqësuesit shqiptar në rajon, është e pa imagjinueshme. S’ ka dilemë për këtë. Por në asnjë mënyrë ne nuk duhet të kënaqemi me pamjen. Paralelisht na duhet si shqiptarë edhe përmbajtje. Në histori ne asnjëherë s’kemi qenë si sot, por historikisht ne ende nuk po bëjmë hapërime cilësore që do na sillte përparim e zhvillim që të arrimë pjesën tjetër të Evropës”, theksoi ai.

Sipas tij, udhëheqja shqiptare në vendet e rajonit e posaçërisht në Maqedoni të Veriut, nuk po rezulton në përparim të shpejtë për shqiptarët.

Kjo përfaqësi shqiptare nuk po rezulton me përparim të shpejtë, për veç elitave që thellojnë edhe më tej dallimet si financiare ashtu edhe arsimore. Kjo shkon në linjë të zhdrejtë me përfaqësimin që s’ ka qenë asnjëherë i tillë. Përgjegjësia është shqiptare e ne kemi ende nivel më të ulët arsimor, varfëri dhe mungesë zhvillimi. Askush s’na ka fajin më”, tha ai.

Asnjëherë s’ka pasur ministra shqiptarë të arsimit në kaq shtete të rajonit, e nxënësit tonë ende janë në fund për nxënie. Kështu edhe në fusha tjera”, përfundoi Rashidi.

Kujtojmë që Abazoviq u votua dje në Kuvendin e Malit të Zi, e cila mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme këtë të enjtje.

Ndonëse si lider i partisë qytetarë Aksioni i Bashkuar Reformist (ABR-URA) ka vetëm 4 deputetë, Abazoviq mori të drejtën e mandarit nga presidenti malazez, Millo Gjukanoviq. Një ‘fat’ i tillë i buzëqeshi liderit shqiptar pasi që Kuvendi i Malit të Zi me anë të një mocioni të mosbesimit e rrëzoi qeverinë e Zdravko Krivokapiqit, i cili njihej si lider pro serb.

Gjatë karrierës së tij politike, Abazoviq ka qenë i zëshëm për luftimin e korrupsionit dhe shtetit të së drejtës.

Si kryetar i partisë qytetare "ABR-URA", Abazoviq në politikë u njoh si lider me deklarata kundër nacionalizmit. Madje, ai mori shumë përkrahje nga malazezët, duke mos e 'etnizuar' votën. Si lider i ri, Abazoviq mban qëndrime progresiste, duke mos e ndarë shoqërinë malazeze mbi kampe etnike.

Tjera nga autori:
1