<b></b> S’ka marrëveshje për targat në Bruksel, Bislimi akuzon Serbinë

S’ka marrëveshje për targat në Bruksel, Bislimi akuzon Serbinë

21.04.2022 17:50

Është mbyllur pa marrëveshje për targat, takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar takim trilateral me homologun serb Petar Petkoviq dhe Emisarin Miroslav Lajcak por që s’është nënshkruar asnjë marrëveshje përfundimtare për targat.

Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, pala serbe s’ka prezantuar preferencën e saj në grupet punuese dhe s’kanë pranuar që detyra për një zgjidhje të çështjes  së targave të bartet te kryenegociatorët dhe të gjendet zgjidhje për 30 ditët e ardhshme.

"Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit", tha Bislimi.

“Përgjatë këtyre gjashtë muajve kemi pasur fare pak interesim nga pala serbe që të merren me kërkesat që i ka paraparë pika 3. Në vend të saj ata janë marrë me elemente margjinale, që tregojnë se thjeshtë duan të sabotojnë punën e grupit punues. Edhe sot kur u konfrontuam me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë e grupit punues tek kryenegociatorët për një periudhë kohore 30 ditësh. Edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojë kështu që mund të them se ideja për arritjen e një marrëveshjeje për targat ka dështuar”, shtoi Bislimi.

Marrëveshja për targat pëfundon sonte në mbrëmje.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ishte shprehur optimist para takimeve se një marrëveshje mund të arrihet.

“Takimi i sotëm i kryenegociatorëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në proces e sipër. Ne kemi një agjendë të ngjeshur të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara nga dialogu dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë”, kishte shkruar Lajçak.

Marrëveshja e përkohshme për targat ishte arritur më 30 shtator 2021, pasi Kosova vendosi për reciprocitet. Kjo nxiti tensione në veri, ku serbët ngritën edhe barikada.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Tjera nga autori:
1