<b></b> Sukses pas suksesi drejt dështimit përfundimtar

Sukses pas suksesi drejt dështimit përfundimtar

20.04.2022 19:12

Nëse e dëgjon Kurtin dhe Osmanin, sukseset ekonomike të Kosovës janë të pashembullta dhe marramendëse. Nëse e lexon raportin e FMN-së, dështimi është i pashmangshëm.

Berat Buzhala

Prej kur kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore e deri në vitin 1992, rritja ekonomike në Shqipëri ka qenë marramëndese dhe e pashembullt. Ka qenë aq e madhe, sa udhëheqësit komunistë të atij shteti tregonin qysh për shkak të modelit ekonomik që po e ndiqte, Shqipërinë e kishin halë në sy edhe Amerika imperialiste, por edhe Kina dhe Bashkimi Sovjetik.

Për çdo vit shënoheshin tejkalime të planeve. Për çdo vit kooperativat po e shumonin numrin e lopëve, numrin e deleve, sasinë e qumështit. Mos të flasim për sfera të tjera. Prodhimi i hekurit, rrymës, kromit dhe çdo lënde tjetër, ishte aq enorm, sa ishte shqetësues.

Në anën tjetër, sa më shumë që zhvillohej ai vend, aq më shumë popullata atje hiqnin për bukë. Fare në fund, nga zhvillimi i hovshëm 40 e kusur vjeçar, Shqipëria ra në të dy gjunjët. Kur u hap Shqipëria, njerëzit ishin të gatshëm që të largoheshin prej saj, qoftë edhe duke notuar.

Shqipëria ishte rasti më ekstrem, sepse edhe në ish-Jugosllavi, ku bënte pjesë edhe Kosova, në mënyrë të vazhdueshme është folur për rritje të madhe ekonomike. Nëse i dëgjoje lajmet e mbrëmjes në Radio Televizionin e Prishtinës, kur fillonin të flisnin për ekonomi, vetëm pak nëse kishe mungesë të vëmendjes mund të mendoje që po flitej për Zvicër. Edhe ky shtet, sikurse edhe Shqipëria, ra në të dy gjunjët pas suksesit të jashtëzakonshëm në ekonomi.

Logjika e regjimeve populliste pak a shumë ishte kjo: sukses pas suksesi drejt dështimit përfundimtar. Çdo vit tejkaloheshin planet, minimumi 100 për qind, e gjithashtu çdo vit njerëzit jetonin keq e më keq. Nëse mund të themi, këto ishin suksese katastrofale, ose dështime të mrekullueshme.

Që një vit e kusur, elita e re politike është duke trumbetuar për zhvillim të pashembullt ekonomik. Mbrëmë Presidentja e vendit, që e mori rolin e zëdhënëses së qeverisë, në një intervistë te Jeta Xharra, tha se zhvillimi i gjithëmbarshëm është marramëndes.

Çka do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që nëse një ekonomist do t’i lexonte shifrat ekonomike, grafikonët e ndryshëm, numrat e prodhimit, eksportin e jashtëzakonshëm, statistikat e të punësuarve etj., në fund do të përfundonte me dhimbje koke dhe me marramendje. Presidentja tha që Franca ishte e impresionuar me punën që po bëhej. Po po, Franca! Franca që nuk impresionohet as nga Gjermania, e as nga Amerika, sepse e kanë një krenari dhe identitet të fortë, kishte mbetur me gojë te hapur.

A e mbani në mend një këshilltare të Albin Kurtit kur kishte shkruar në Twitter që nëse Gjermania kishte nevojë për menaxhimin e pandemisë, atëherë Kosova do të mund t’ua huazonte Arben Vitinë. Sipas kësaj këshilltareje, Gjermania nuk po arrinte dot që t’i jepte rrugë problemeve me COVID, kurse Kosova do të mund t’ia jepte një dorë.

Për çdo ditë të zotit në rrjete sociale dhe në studio televizive po i dëgjojmë pushtetarët e rinj duke treguar qysh po ndalet gjakderdhja financiare në këtë sektor, e po ndalet gjakderdhja financiare në atë sektor, e po ringjallet ky sektor e ai sektor.

Sulltani i gjithë kësaj lëvizje, Albin Kurti, në ato intervistat e gjata dhe monotone pa prezencën e gazetarit, vazhdimisht tregon qysh në biseda me liderët e huaj kur ky u tregon atyre për sukseset në ekonomi, ata po mbajnë shënime. Kosova e vogël me shembuj të pashembullt. Kosova që deri dje ishte e zhytur në krim dhe korrupsion, tash është shndërruar në një shtet model, ku qytetarëve shteti i dashur ua zgjat dorën e embël dhe ua fal nga 100 euro në muaj. Njëherë në vit, por kaq mjafton. Ndoshta vitin tjetër do t’ua falë edhe 100 të tjera. Kuptohet, në mënyrë të barabartë. Jo dikujt 110 e dikujt 100. Tash është tjetër sistem dhe tjetër regjim.

Në anën tjetër, edhe përkundër gjithë këtyre të arriturave, edhe përkundër faktit që Kosova po shënon progres në çdo fushë, edhe përkundër faktit, siç thotë Kryeministri Kurti, që është rritur shpresa, Kosova po vazhdon të zbrazet si kurrë më parë. Po ikin mjekët, po ikin studentët, po ikin të gjithë ata që mund të ikin. Po mbesin vetëm elita e re politike nëpër studio televizive duke treguar se sa i mirë është bërë vendi ynë pas çlirimit të 14 shkurtit të vitit 2021.

Tek-tuk, nëse edhe më tutje ekziston ndonjë problem, thonë këta të rinjtë, faji është te ata të vjetrit. Çdo gjë e mirë është meritë e tyre, për çdo dështim faji është të shkatërrimi 20 vjeçar. Madje kohë pas kohe edhe kur flasin për disa të arritura të para Epokës së Kurtit, flasin për to sikur kur flet dikush për detin, malet dhe lumenjtë. Pra, autostradat e ndërtuara thjesht janë aty, se duhet të jenë aty. Nuk i ka ndërtuar askush.

Shqipëria komuniste ka vazhduar ta fajësojë Ahmet Zogun edhe në fund të viteve të 80-ta. Sa herë që diçka nuk shkonte si duhej, propaganda komuniste tregonte qysh në kohën e Zogut pabarazia ka qënë ekstreme. Jo çdo gjë mund të përmirësohet si me shkop magjik -  brenda 40 viteve.

Sot rastësisht u bë publik raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar që tregon qysh ekonomia e Kosovës do të rritet edhe më pak se sa ekspertët e këtij fondi kishin menduar para disa muajsh. Projeksoni për këtë vit është 2.9 për qind rritje ekonomike, që është shifra më e ulët e 10 viteve të fundit. Po flasim për një vit të pastër të kësaj qeverie, ku as teknikisht nuk mund t’i fajësosh të tjerët, sepse kjo shumicë politike e ka kontrollin e plotë në çdo institucion. Për më tepër, gjithashtu sipas FMN-së, inflacioni për këtë vit do të jetë shkatërrues, afër 10 për qind, më i larti në historinë e pasluftës në Kosovë.

Në një vend normal, kur në pushtet do të ishin politikanët normalë, sot ministri i Financave, ai i Ekonomisë, ajo e Tregtisë, ose edhe vetë Kryeministri, do të duhej të shkonin në studio televizive e të provonin t’i jepnin kuptim deklaratave të tyre të mëhershme dhe fakteve të sotshme.
Sigurisht që nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Në fund, pasi të kalojë kjo stuhi, do të shfaqen dikund ku nuk ka gazetarë dhe do të provojnë të bëjnë sehire.

Tjera nga autori:
1