<b></b> Takimi në Gjermani: Si kishin shkuar dy takimet e mëhershme Kurti-Vuçiq?

Takimi në Gjermani: Si kishin shkuar dy takimet e mëhershme Kurti-Vuçiq?

04.05.2022 12:07

Tre muaj pasi fitoi zgjedhjet, kryeministri Albin Kurti shkoi dhe u ul në tavolinën e bisedimeve përballë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit. Këtë e bëri pavarësisht fjalëve të tij se dialogu nuk është prioritet i parë, por i pesti a i gjashti si dhe pa pranuar kërkim-faljen nga Serbia. Përveç kësaj, ai lehtësoi mbajtjen e dialogut duke mos vënë Reciprocitetin e plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë.

Takimi i sotëm vjen pas shumë muajsh mos-takimesh mes liderëve, mos-arritjes së marrëveshjeve për targat dhe sulmeve në Veri ndaj Policisë së Kosovës.

Por, çka ndodhi në takimet paraprake?

Takimi i parë

Për herë të parë, kryeministriti i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi u takuan me 15 qershor të viti 2021 në Bruksel në kuadër të dialogut, takim ky që përfundoi pa u marrë vesh për temat.

Kurti në besdime kishte shpalosur katër kërkesa dhe pas përfundimit të këtij takimi kishte thënë se sa më shpejt që bëhet marrrëveshja me Serbisë do të ishte më mirë. Të gjithë e dimë një gjë të tillë, apo jo?

"Unë theksova se në kuadër të mandatit të zotit Borrell dhe në kuadër të mandatit të presidentit Biden do të duhej të bëhej marrëveshja, mirëpo sa më herët që bëhet aq më kollaj është", kishte thënë Kurti për gazetarët pas takimit.

Kurti kishte thënë se nuk është pesimist pasi tash në bisedimet me Serbinë po “trajtohen gjërat në thelbin e tyre e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë. Kjo është se presidenti (i SHBA-së, Joe Biden) ka kërkuar njohje të ndërsjellë meqenëse aktualisht kemi mosnjohje të ndërsjellë".

E propozimet e Kurtit në këtë takim u refuzuan.

Propozimi i parë ishte për avancim të CEFTA-s. Propozimi i dytë ishte Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një deklaratë të paqes ku ne zotohemi se nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën. Propozimi tjetër ishte për çështjen e të pagjeturve si dhe propozimi i fundit ishte për krijimin e Këshillit nacional për serbët.

Tri propozime u refuzuan. Në propozimin e parë nuk pati përgjigje”, kishte thënë Kurti.

Ndërkaq për krejt këto, Vuçiq kishte thënë se nuk u pajtuam për asgjë.

Njeriu erdhi që të mos pajtohej për asgjë. Njeriu erdhi që të thotë ‘erdha të të pyes se kur do ta pranosh pavarësinë e Kosovës’. Përgjigja ime ishte kurrë. Pastaj ai shpërtheu”, kishte thënë Vuçiq.

Në anën tjëtër, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte thënë se takimi nuk ishte i lehtë, por kishte thënë se është mirë që ka ndodhur.

Ndërsa, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë momentumin e ri.

Takimi i dytë

Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte mbajtur një muaj pas atij të parit, pra me 19 korrik 2021, kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, u takuan sy më sy.

Në këtë takim palët përsëri nuk ranë dakord për asgjë. Të vetmin pajtim e kishin që bisedimet të vazhdojnë.

Ky takim u krye më shpejt sesa ishte paraparë të zgjaste. Kurti dhe Vuçiqi u përplasën për të kaluarën dhe akuzuan njëri-tjetrin.

"Presidenti i Serbisë po gënjen”, kishte thënë Kurti. "Pala e Prishtinës është joserioze”, janë disa nga deklaratat që ishin bërë pas takimeve.

Kryeministri Kurti kishtë thënë se pala serbe i ka refuzuar të gjitha edhe frazën “ballafaqimi me të kaluarën” që ishte kërkuar të futet në dokumentin ku flitet për të pagjeturit.

Në anën tjetër, Vuçiq kishtë thënë se ‘pala e Prishtinës flet vetëm për të kaluarën’.

Edhe Kurti edhe Vuçiqi kishin thënë se janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun duke thënë se janë konstruktivë, mirëpo deri më tani (4 maj 2022) ka pasur vetëm dy takime mes tyre.

Takimi i tretë?

Me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, Kurti ka udhëtuar për në Gjermani.

Kancelari gjerman pritet të zhvillojë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin.

Ditë më parë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohet me Kurtin dhe Vuçiqin më 4 maj në Berlin, madje ka paralajmëruar se Lajçak do të ketë edhe takim të përbashkët me të dy liderët.

Takimi i sotëm do të jetë i pari midis Kurtit dhe Vuçiqit që nga korriku i vitit 2021.

Mbetet të shihet nëse do të ketë përmirësim dhe avancim në dialgoun me Serbinë pasi shihet si çelës kyç për rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Tjera nga autori:
1