<b></b> Tradita për LGBT, Ligji për Shami 

Tradita për LGBT, Ligji për Shami 

20.04.2022 20:32

Debatit shoqëror i cili kulmoi me debatin parlamentar rreth miratimit të kodit civil, i parapriu Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Po pra, e lexuat mirë, Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Nëse këtë fjali do ta lexonte një shtetas i ndonjë vendi të zhvilluar e demokratik, do të ishte krejt normale, madje këtu do të përfundonte i gjithë debati. Mirëpo në vendin tonë saktësisht këtu fillon ai.

SHKRUAN: Paris Guri 

Të kthehemi fillimisht në esencë, në zbërthimin e pozitës së prijëses së kauzave “morale” e mbrojtëses së vlerave familjare, znj. Duda Balje e cila është Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Të drejtat e njeriut sipas fjalorit të Oxfordit nënkuptojnë “një e drejtë që besohet se i takon çdo personi”. Pra ky është roli i këtij komisioni të mbrojë dhe t’i shtyjë përpara këto të drejta. Përtej këtij funksioni, ABC - ja e funksionimit të secilit organ institucional është kushtetutshmëria. “Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve“ thotë kushtetuta mbi të cilën funksionon edhe organi me të cilin udhëheq znj. Duda Balje. 

Kryetarja e Komisionit për të drejta të njeriut, doli  kundër pozitës së saj, shkoi aq larg sa doli edhe kundër fushveprimtarisë e vlerave që përfaqëson kjo pozitë. Fatkeqësia nuk përfundon këtu, sepse ajo nuk ishte e vetme. Në këtë betejë për shkeljen e të drejtave bazike të njeriut u bashkua edhe një llavë e tërë e gardianëve të “moralit”, deputetë me profesione si mjekë, inxhinierë, psikologë, juristë, ekonomistë, të gjithë u bënë bashkë, duke shndërruar diskutimin në garë mes tyre. Gara zhvillohej se cili po i gjen fjalët më përçmuese, më të rënda - me të vetmin qëllim; votat. Turma jashtë, po kënaqej me pamjet, brohorimat e tyre i shprehnin në rrjete sociale, duke iu dhënë motiv deputetëve që sërish ta kërkojnë fjalën; sërish të ofendojnë, sepse masës po i pëlqente cirku që po zhvillohej brenda. Atë po e ushqenin me gjithë çfarë kishin, pëlqime, shpërndarje, postime. 

“Sëmundje”, “shkatërrues të familjes”, “degjenerim”, ishin epitetet që deputetët i përdornin për garën e tyre. Masa po i shijonte, kjo kishte rëndësi. Po t’i dëgjonin ekspertet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekspertët dhe gardianët e moralit në Parlamentin e Kosovës, do të kompleksoheshin. Jo nga inferioriteti, por nga ideja se sa merren seriozisht zbulimet e tyre në vendin tonë. 

Gardianët e moralit në pamundësi të ofrimit të argumenteve shkencore, ata ofronin e thirreshin në vlera, në familje, në traditë e religjion. “Unë si deputete nuk mund te dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve dhe vlerave familjare” u shpreh Kryetarja e Komisionit për të drejtat e njeriut. Pra, deputetja nuk mund të dalë kundër fesë, kundër principeve, kundër familjes, por ajo lehtësisht del kundër Kushtetutës, kundër ligjit, kundër pozitës që ajo mban. Besoj fuqishëm që znj. Balje dhe të gjithë gardianët e moralit, para se t’i hynin garës për deputet/e e kanë lexuar Kushtetutën e Kosovës. Kushtetutë kjo e cila thotë qartë, shkurt e shqip që Kosova është shtet laik, e ngërthen në vete shumë norma të cilat bien në kundërshtim me religjionin. 

Në momentin që zgjidhen deputetë, betimin e bëjnë në kushtetutë e jo në libra fetarë, pra mbrojnë normat kushtetuese jo ato religjioze. Mirëpo këta edhe në norma religjioze janë selektiv. Duke hequr dorë nga të qenurit deputet, këta mbrojnë fenë, nuk dalin nga ajo, mirëpo humbjet janë  të mëdha, hiç më pak se 1400 euro në muaj; pagë e deputetit. Ndërsa kur nuk votojnë kodin civil, sepse s’mund të dalin nga feja, përfitimet janë të mëdha; votat të cilat iu mundësojnë mandatin tjetër me nga 1400 euro në muaj. Në thelb i bie se këta edhe kur mbrojnë vlerat religjioze, mbrojnë vetëm xhepin e tyre.

Ofrimi i publikut, çfarë ata duan të dëgjojnë, është praktikë e rrezikshme madje e dëshmuar. Në Kosovë kjo praktikë është instaluar në të gjitha dimensionet shoqërore. “Këtë po e kërkon tregu” është argumenti që e kemi dëgjuar sa herë që këngëtarë, e drejtues televizionesh janë akuzuar për mungesë vlerash. Dëmi i këtij argumenti bëhet katastrofik, kur vije nga Kuvendi i Kosovës, sepse më nuk bëhet fjalë për kënaqësinë e veshit, e shijen muzikore, këtu bëhet fjalë për jetën e grupeve të ndryshme shoqërore; bëhet fjalë për jetën tonë. 

Nëse mënyrë e funksionimit të parlamentit është bashkimi i deputetëve me turmën, atëherë çfarë kuptimi ka ky institucion, le ta mbyllim atë dhe për të gjitha çështjet të mblidhemi në sheshe e të votojmë me guralec, si në Greqinë e lashtë; pasi që të lashta i kemi edhe veprimet e mendimet. Harrova, kjo nuk ju konvenon, sepse atëherë s’keni pse të paguheni; prekeni në xhep. Kur vije puna te xhepi ju edhe përqafoni kushtetutën edhe dilni kundër fesë

Të njëjtit deputetë, të cilët kundërshtuan me çdo formë e çdo mjet bashkësinë civile mes seksit të njëjtë, duke dalë kundër frymës kushtetuese, kundër ligjeve, kundër konventave ndërkombëtare, duke u thirrur në vlera, në familje, në traditë, akoma pa u bërë një muaj, përqafuan kushtetutën, ligjin, shtetin e konventat ndërkombëtare.

Shkolla e Mesme Teknike "Nexhmedin Nixha", në Gjakovë përmes një shenje e cila qe ilustruar në mënyrë të gabuar e problematike, ndalon futjen e nxënëseve me shami në shkolla. Sërish, Kryetarja e Komisionit për të drejtat e njeriut e merr primatin e kësaj problematike, mirëpo tani duke u thirrur në Kushtetutë e ligj, e jo në vlera e traditë. Për më tepër iu drejtua drejtoreshës së kësaj shkolle me pyetjen si në vijim: “nuk e di, se në bazë të cilës Kushtetutë apo ligji keni vendosur simbolet ndaluese?!!! “Krejt e natyrshme, për një kryetare të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, mirëpo aspak e natyrshme për Duda Baljen në krye të saj.  Sepse lind pyetja: në bazë të cilës Kushtetutë apo ligji keni vendosur ta diskriminoni një komunitet të tërë, një muaj më parë?!!, pse për komunitetin LGBT, nuk vlejnë kushtetuta e ligji?

Pra Tradita për LGBT, Ligji për Shami...

Tjera nga autori:
1