<b></b> Triumfi i Gërvallës në Këshill të Sigurimit: Ministrja e bën pykë Serbinë e Rusinë

Triumfi i Gërvallës në Këshill të Sigurimit: Ministrja e bën pykë Serbinë e Rusinë

21.04.2022 01:52

Gati 40 vjet më parë, veprimtari Jusuf Gërvalla qe eliminuar nga UDB-ja serbe. E sot, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ua tha në sy Serbisë e Rusisë krimet e bëra. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Gërvalla e përmendi edhe atentatin e planifikuar ndaj Dick Martyt, por edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Veri.

Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ka mbajtur sonte mbledhje për ta shqyrtuar raportin e radhës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonie Guterres rreth punës së UNMIK-ut.

Kosovën, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që u mbajt në Nju Jork, e përfaqësoi ministrja e Jashtme e vendit, Donika Gërvalla.

Shpesh është kritikuar dhe ka zënë vend në ballinat e mediave pas huqjeve të bëra, por sonte, Donika Gërvalla, mund të themi – pa frikën se mund të gabojmë – se e ka përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të dinjitetshme.

Ministrja Gërvalla përmendi sulmet ndaj Policisë së Kosovës, për të cilat qeveria po thtoë se vijnë nga Serbia, pastaj tha se Serbia e Vuçiqit mbetet kërcënimi më i madh i paqes në rajon.

Pasi ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, tha për Thaçin e Veselin se janë kasapët e Ballkanit, Gërvalla me të drejtë ia kujtoi Selakoviqit krimet që i ka bërë regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i cili sot njihet si Kasapi i Ballkanit.

Pos përplasjeve në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, reagime të dy ekstremeve pati edhe nga përfaqësuesit e shteteve tjera në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Krejt në fund, Gërvalla përmendi edhe tentativën e Serbisë për ta eliminuar Dick Martyn, ngjashëm si UDB-ja ia kishte vrarë ministres babanë – Jusuf Gërvallën – në Gjermani.

S U L M E T  në Veri

Ishte shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, e para që përmendi sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, për të cilat kryeministri Albin Kurti, tha se po vijnë nga Serbia. Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sulmin e vlerësoi si akt terrorist.

Ziadeh tha se sulmet në Veri kanë qenë shumë të ashpra dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë.

Incidente shqetësuese kanë ndodhur në veri të Kosovës. Sulmet kriminale kanë qenë shumë të ashpra. Ka pasur edhe gjuajtje me armë ndaj patrullave policore. Ata që kanë kryer këto vepra duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Ziadeh.

Lidhur me këtë çështje Gërvalla përsëriti qëndrimet e Qeverisë Kurti.

Ekipet tona të policisë etnikisht të përziera po sulmohen në kufi me armë, gurë, granata e gjithçka tjetër. Fatmirësisht nuk kemi ende asnjë të lënduar”, tha Gërvalla.

Sulmet po vijnë nga territori serb dhe nuk do të ishin të mundura po mos t’i lejonte Vuçiq. Serbia dhe Rusia vazhdojnë të jenë kërcënimi më i madh ndaj paqes në rajon. Nëse nuk e mbyllim Kutinë e Pandorës të hapur nga Dodik, Putin e Vuçiq, Ballkani mund të bëhet përsëri vend i errët”, theksoi ajo.

Përplasja SHBA – Rusi

Aspiratat e Ukrainës drejt perëndimit bënë që në Evropë të krisë lufta pas më shumë se gjysmëshekulli. Por, Rusinë nuk po pengon vetëm Ukraina. Edhe përpjekja e Kosovës për t’u futur në NATO po e pengon Rusinë.

Përfaqësuesja e Federatës Ruse në Këshill të Sigurimit shprehu pakënaqësitë e saj dhe nuk harroi t’i përmendë akuzat ndaj UÇK-së për trafikim organesh.

Jemi shumë të alarmuar nga përpjekjet e vazhdueshme që nga shkurti ku kryeministri dhe rrjeti i tij që ta minojë situatën në rajon, duke e përshkallëzuar retorikën anti serbe dhe duke e ftuar perëndimin që ta marrë Kosovën nën mbrojtjen e saj dhe ta mbrojë nga kërcënimet e pretenduara që qëndrojnë mbi të.

Prishtina ka filluar të kërkojë integrim të përshpejtuar në NATO për të kërkuar zbarkimin e një baze ushtarake në rajon. Kjo vjen si ide që të krijohet një ushtri e plotë në Kosovë e që është në kundërshtim të plotë me rezolutën 1244 dhe janë në rrezik që të përshkallëzojnë tensionet.

Dëshirojmë të kujtojmë kolegët tanë se ky mars shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, ku mijëra civilë janë zhdukur. Qindra objekte mes tyre, spitale shkolla e monumente. UÇK-ja është zgjedhur si aleati në terren dhe krime të shumta të UÇK-së mbeten të pandëshkuara. Vrasje dhe trafikim organesh njerëzore.

Tani jemi në 2022 dhe ende po presim që nga Gjykata Speciale të ketë hetime të drejta dhe dënime meritore.

I shpejtë ka qenë reagimi i përfaqësuesit të SHBA-së, atje ku ia tha në sy Rusisë se pas zhvillimeve në Ukrainë, s’ka të drejtë të mbajë ligjërata për të drejtat e njeriut.

Është mbledhja e parë për UNMIK-un prej ndërhyrjes brutale të Rusisë në Ukrainë. Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet i rëndësisë së veçantë. Duhet t’i përgjigjemi delegacionit rus. Filloi me informacione të rreme që i presim fatkeqësisht nga delegacioni rus këto ditë, që përdori termin uranium i varfëruar dhe radiacion. Nuk dua të marr kohë për këto informacione të rreme. Por, i kemi parë live pamjet nga Bucha e Mariupol që nuk besoj se mund t’i shohë asnjë rus. Të jesh nga delegacioni i një shteti që ka krijuar këto pamje nuk besoj se mund të mbajë dikush ligjërata për të drejtat e njeriut”, tha ai.

K A S A P I  i Ballkanit — Sllobodan Millosheviq

Një kërkim i thjeshtë në internet “the butcher of Balkan” na tregon më së miri se kush është personi që ka kryer masakra në Ballkan.

Por, kjo nuk e bind partizanin e Millosheviqit, ministrin Nikola Selakoviq, i cili insiston në njollosjen e krerëve të UÇK-së.

Kasapët e vërtetë të Ballkanit janë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që në këto momente janë në Hagë për krime të UÇK-së për veprimet e tyre të paprecedenta”, tha Selakoviq.

E Gërvalla ia kujtoi Selakoviqit autorin e masakrave në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Nuk dua të humbas shumë kohë këtu. Të gjithë e dini se çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta në Ballkan. Është vetëm një e vërtetë. Kasapi i Ballkanit është Millosheviq. Është turp që Serbia nuk e ka pranuar ende realitetin. Millosheviq nisi krimet e tij prej Sllovenisë në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e pastaj në Kosovë. NATO erdhi që të ndalojë atë. E kuptoj pse Rusia flet kundër neve. Ajo nuk është e kënaqur që Kosova është shtet i suksesit. Të jem këtu e teksa dëgjoj prezantuesen e Rusisë duke sulmuar UÇK-në, më kujton njerëzit heronj të Ukrainës që po mbrojnë vendin e tyre dhe propagandën që po bëni kundër tyre. Anëtarët e UÇK-së mbrojtën vendin e tyre dhe shtëpitë e tyre. Nuk do të isha krenare po të përfaqësoja ndonjërin prej shteteve tuaja”, tha ajo.

Tentativa e Serbisë për ta njollosur Kosovën duke vrarë Dick Martyn

Prokurori zviceran Dick Marty, raporti i të cilit i parapriu themelimit të Gjykatës Speciale, ka më shumë se një vit që po mbrohet nga autoritetet atje, pasi BIA serbe deshi ta ekzekutojë, për t’ia lënë më pas fajin Kosovës.

Kjo temë gjithashtu u përmend në Këshill të Sigurimit nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.

Ministri i Jashtëm jo vetëm që po mundohet të falsifikojë faktet, por edhe të krijojë një perceptim sikur Millosheviqi. Ai u mundua të krijojë një perceptim sikur serbët janë në rrezik dhe duhet ndërhyrja ushtarake për t’i mbrojtur. Kemi pasur raste të tilla. Kemi rastin “Panda” në Pejë ku faji iu la UÇK-së për vite të tëra, ndërkohë që ishin serbët që vranë serbët. Më lejoni të flas për Dick Martyn. Ai akuzoi për krime përfaqësues kosovarë që kanë kryer krime lufte gjatë luftës dhe pas saj. I njëjti, zotëri Dick Marty, u tha mediave ditëve të fundit se policia zvicerane iu afrua dhe i ofroi sigurinë më të mëdha për shkak se inteligjenca serbe deshi ta vrasë dhe t’ia lë fajin Kosovës. Janë fjalët e Policisë Zvicerane e jo të Kosovës. Është traditë e lashtë dhe shumë e rrezikshme. Siç e shohim edhe në Ukrainë kur njerëzit thonë se kemi njerëz në rrezik, e që ata nuk janë. Por kjo bëhet vetëm për përfitime politike. Serbët deshën ta vrasin e t’ia lënë fajin Kosovës”, tha Gërvalla.

Nuk është për qytetarët serbë në Kosovë, pasi ata mbrohen nga një kushtetutë shumë moderne e krijuar më 2008. Jam krenare që them se kemi një ndër kushtetuat më moderne në Europë që u jep minoriteteve përfaqësim në të gjitha nivelet dhe institucionet. Nuk është për serbët por për Serbinë dhe qëllimet e tyre politike që ta largojnë shtetin e Kosovës. Por ne jemi aty dhe do të jemi aty. Kemi treguar se demokracia dhe liritë janë fundamentet tona. Nëse shihni shtetet tjera të Ballkanit perëndimor, kemi 90% aprovim të qytetarëve për anëtarësim në BE dhe më shumë se 90% në NATO. Ju apeloj që e dimë se lufta në Urkainë ju merr kohën që keni, por ajo që po ndodh tani në Ballkan dhe jo më 1999, të dërgoni mesazhin e duhur. Është shumë e madhe që të injoroni atë që po ndodh tani”, ka thënë Gërvalla.

Babai im ishte një gazetar dhe muzikant në Kosovë. Ai u largua nga Jugosllavia që të shkonte në Gjermani dhe nga kjo tani ajo që quhej UDB, e tani BIA, që vranë në Gjermani në moshën 36 vjeçare për qëndrimet e tij për lirinë e Kosovës dhe janë të njëjtët serbë që kanë vrarë mbi 39 disidentë kroatë në Gjermani. Është një traditë e gjatë e vrasjes së personave në Evropë. Edhe kjo që Dick Marty tha, pasi ai nuk është mik i Kosovës dhe nuk do të jetë kurrë pasi akuzat që bëri ai do të bijnë në Gjykatë, por është mik i Serbisë dhe tregoi të vërtetën se deshët ju ta vrisni, është përvojë e gjatë e juaja. Të gjithë të nderuarit këtu e dinë“, tha ajo.

Tjera nga autori:
1