"Kurti 2 drejt një dështimi kolosal nëse vazhdon qishtu”

<b></b> Vetëvendosje! apo Vetëvendosje? Përkrahësve më të fortë të Kurtit po iu bëhet shprehi kritika ndaj Kurtit

Vetëvendosje! apo Vetëvendosje? Përkrahësve më të fortë të Kurtit po iu bëhet shprehi kritika ndaj Kurtit

20.04.2022 17:59

Vetëvendosjes i mbaronte emri me pikëçuditëse dikur, por kjo pikëçuditëse po kthehet në pikëpyetje për shumë përkrahës të kësaj partie.

Liburn Aliu nuk është thjesht ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit. Ai është aktivisti më i besueshëm i Vetëvendosjes. Më i besueshëm për kryetarin e saj dhe kryeministrin tonë, Albin Kurtin.

Ai është vënë sot në shënjestër kritikash të papara nga njerëz të tjerë që i kanë qëndruar afër kryemininistrit, qoftë fizikisht, qoftë në mbrojtje kur sulmohej nga oponentët politikë.

Por, Liburn Aliu nuk është thjesht as aktivist i Vetëvendosjes dhe shok i Albinit. Ai është po ashtu edhe ligjërues në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), që në fakt nuk është universitet por kolegj universitar.

Ndoshta, për shkak të gjithë këtyre roleve, ai harroi krejtësisht rolin në UBT duke nënshkruar një marrëveshje pikërisht me UBT-në.

E pranishme në këtë takim ishte edhe shefja e tij e kabinetit, Rineta Jashari, e cila... po ashtu duket se harroi për rolin e saj si ligjëruese në të njëjtin kolegj.

Që ta vizatojmë: Dy UBT-ista nënshkruan marrëveshje si zyrtarë qeveritarë me UBT-në.

Më poshtë keni njoftimin e ministrit Aliu, por të cilin nëse nuk keni shumë kohë mund ta anashkaloni për të kaluar në temën e sherrit që lindi me mbështetësit e VV-së.

“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojave e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore”, njofton Aliu.

Sherri i sotëm 

Rron Gjinovci – aktivist i shoqërisë civile dhe mbështetës i Albin Kurtit – reagoi ndaj këtij memorandumi duke thënë se Qeveria Kurti II po shkonte drejt një dështimi kolosal.

“Memorandum me privatët qeveria e majtë! Kurti 2 drejt një dështimi kolosal nëse vazhdon qishtu”, ka shkruar Gjinovci.

Më i elaboruar u tregua Shkëlzen Gashi – ish këshilltar i Albin Kurtit – që përmendi edhe konfliktin e interesit nga ky memorandum.

“Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, paska nënshkruar sot një marrëveshje me kolegjin privat UBT.

Pra, jo me UP-në, ashtu siç ka proklamuar LVV për pothuajse një dekadë, por me një kolegj privat, nga i cili, për më keq, Ministri Aliu edhe merr pagë.

Kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit.

Por, kjo është edhe test për Kryeministrin Albin Kurti.”  - shkroi Gashi.

Në anën tjetër, matematikani Valmir Krasniqi – po ashtu mbështetës i kryeministër - u tregua më i mistershëm në reagim duke përmendur edhe “llafe të shehrit” për Liburn Aliun dhe Hysen Durmishin (nëse përemri vetor “ata” kufizohet veç te këta dy njerëz).

“Po, është konflikt i interesit marrëveshja e ministrit Liburn Aliu me UBT. Me veprime t’tilla, Liburni me shokë, vetëm po e rrisin besueshmërinë e llafeve t’shehrit për ta.” – u shpreh ai.

Kritikët i mbrojtësve ndaj Qeverisë para ditës së sotme 

Nëse Vetëvendosje! do të lejojë që kritikat nga përkrahësit të bëhen shprehi ose jo, mbetet të shihet por ato po ndodhin gjithnjë e më shpesh.  

Mbështetësit e ndryshëm të Vetëvendosjes i kanë dalë kundër Qeverisë Kurti edhe në raste të tjera gjatë javëve të fundit për tema të ndryshme. Ndër më kryesoret ishte shkelja e një fëmije me veturë nga Rozeta Hajdari, punësimet partiake e familjare në KEK nga VV, shkelja e Kushtetutës nga Arbërie Nagavci, bashkëjetesat e seksit të njëjtë dhe shumë të tjera.

Gjatë ditës së djeshme, Jusuf Thaçi ka kërkuar që të lejohej opozita të themelonte një komision hetimor parlamentar për çështjen e punësimeve në KEK.

Xhevdet Pozhari, ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar tërheqjen nga skena publike duke e shprehur një zhgënjim të përgjithshëm me Qeverinë Kurti.

Megjithatë, ka disa mbështetës të Vetëvendosjes të cilët nuk kanë shprehur kritika ndaj Qeverisë edhe gjatë kësaj kohe. Mes tyre janë Sadri Ramabaja e Krenar Shala, të cilët vazhdojnë të mbrojnë vendimet e veprimet qeveritare në emisione televizive.

Sot në edicionin e prillit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pretendimi i Qeverisë Kurti për rritje të madhe ekonomike ka pësuar një goditje të rëndë pasi projektimi për këtë rritje për vitin 2022 ishte vetëm 2.8 për qind – ose më i ulëti në dhjetë vitet e fundit.

Nëse Vetëvendosje! do të lejojë që kritikat nga përkrahësit të bëhen shprehi ose jo, mbetet të shihet!

Tjera nga autori:
1