<b></b> Vuçiq ‘paralajmëron’ përgjigje të fortë nëse Kosova aplikon për anëtarësim në Këshill të Evropës

Vuçiq ‘paralajmëron’ përgjigje të fortë nëse Kosova aplikon për anëtarësim në Këshill të Evropës

06.05.2022 22:48

Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajti një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Aty, i pari i Serbisë komentoi deklarimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili paralajmëroi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“I dëgjuam ato. Ajo që ishte e rëndësishme për mua ishte ajo që tha kancelari Scholz, se gjithçka që është nënshkruar dhe pranuar duhet të zbatohet”, tha Vuçiq.

Por, Vuçiq ka vazhduar edhe këtë të premte të komentoj këtë çështje. Madje, ai ka ‘kërcënuar Kosovën nëse merr një hap të tillë.

“Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbrojmë vendin dhe Kushtetutën. Atë ditë që marrim vesh që kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në ndonjë organizatë, përgjigjja jonë do të jetë shumë më e fortë sesa që mendojnë ata e nuk do të jetë vetëm deklaratë për media. Më besoni se do t’ua tregojmë dhëmbët goxha shumë”, ka deklaruar Vuçiq.

Vuçiq ka përmendur edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, duke thënë se shkelja e saj do të ndodh në momentin kur Kosova të pranohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

“Por nëse dikush nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit dhe nuk dëshiron të shkojë në atë rrugë, ne do të jemi të vendosur dhe do të veprojmë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe interesat tona kombëtare dhe shtetërore. Shkelja e Marrëveshjes së Uashingtonit (të rënë dakord ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në kryeqytetin amerikan në përfundim të mandatit të Presidentit Donald Trump) do të ndodhë ditën që ajo (Kosova) të pranohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare. “Atë ditë do të publikohet lista e shteteve që kanë tërhequr njohjen e Kosovës”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Vuçiq kërcenime të tilla kishte bërë edhe më herët, duke thënë se ditën kur Kosova pranohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare është dita kur ajo shkel Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila u negocua nga Administrata Trump.

Ndëra lidhur me takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe për deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin lidhur me Kosovën në takimin e tij me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, presidenti Serb u shpreh se ata nuk duan dialog.

“Ne iu qasëm seriozisht dialogut, por zotërinjtë nga Prishtina nuk duan dialog. Deri në pakuptimësi, refuzuan gjithçka”, tha ai.

Mes tjerash, Vuçiq e krahasoi kryeministrin Kurti me presindetin ukrainas, duke pretenduar se ai po luan lojën e Zelenskit.

“E gjithë politika u orientua të luajnë lojën e Zelenskit dhe shumë do të ishin të famshëm dhe do të luajnë rolin e viktimës pa u bërë askush asgjë”, tha Vuçiq.

Në fund, si çdoherë, Vuçiq luan rolin e viktimës duke thënë se perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës.

 “I gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në territorin e Ukrainës”, përfundoi ai.

 

Tjera nga autori:
1