Zhurma e fëmijëve për dy komisione koti e spirroi Kuvendin

Zhurma e fëmijëve për dy komisione koti e spirroi Kuvendin

06.05.2022 11:31

Abelardi e Mimoza, si dy binjakë të vegjël që kur i frikësohen konfrontimit fizik s’u ndalet gjuha me fyerje e akuza. Pastaj, prindi i tyre, Glauk Konjufca, detyrohet t’i mbyllë në dhomë derisa të kujtohen që janë vëlla e motër. Mos i merrni seriozisht, fëmijë hesapi.

“E kanë nalë, o baba Rexhë”, i thashë gjyshit, e për t’ia ilustruar edhe me gjeste – meqë ka probleme me dëgjim – dora ime e djathtë e priste në gjysmë të brendshmen e pëllëmbës së majtë, sikur pren sëpata vertikalisht.

Reklamat e kanalit 1 ndërroheshin. Ky kanal në televizor bën edhe pas shkyçjes. Ku[r]ti i ka fajet – pa u menduar dy herë gjyshi e fajësoi kryeministrin, derisa fliste me fajtorin e vërtetë, mua.

Duhet të jetë shprehia ime më e keqe: Nuk i paguaj faturat. Jo para se të penalizohem me shkyçje nga kompania kontraktuese.

Ama për muajin e fundit s’u pendova, ndryshe, kjo bisedë me gjyshin, që do ta kujtoj gjatë - bashkë me të qeshurën time kur e pashë vullnetin e plakut për ta fajësuar kryeministrin - nuk do të ndodhte.

Më pëlqen kur gjyshi merret me politikë, ama s’merret. Çifti i tij merret me parti politike dhe individë në to. Në sytë e tij dhe të shoqërisë tonë, nuk gjykohet politikëbërja, por partitë politike dhe eksponentët e tyre.

Ta dëgjosh gjyshin, gjithë njëra parti ka faj, derisa tjetra përfaqësohet nga Ebu Bekri apo evangjelisti Xhon – i pari shoku më i ngushtë i Muhamedit, i dyti i Jezusit – për të mos i marrë shembuj profetët.

E vërteta është se bajrakun e opozitës e mban Abelard Tahiri, një milioner që të pashquarën e Skënderajt e shkruan me “ë” në fund.

Ndërsa pozita shenjtore udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila që na mban moral mbi ligjin, e njëkohësisht ka aktakuzë në rastin e privatizimit të një pjese të KEK-ut, e që në fakt as pjesë e Vetëvendosjes nuk është.

Këta dy, që dy muaj gjuheshin me fjalë në Kuvend si dy binjakë të vegjël, që kur i frikësohen konfrontimit fizik, s’u ndalet gjuha me fyerje e akuza.

Pastaj, prindi i tyre Glauk Konjufca, detyrohet t’i mbyllë në dhomë derisa të kujtohen që janë motër e vëlla.

U detyrua i shkreti, mobiliet e Shtëpisë së Kosovës filluan të spirroheshin. Fëmijë të halitun bre.

Ndërkohë që Ben Casselman në një artikull të botuar në The New York Times na njofton se recesioni në SHBA ka zgjatur vetëm dy muaj – gjatë marsit dhe prillit të vitit të kaluar. 

E ne, dy muaj u morëm me komisione hetimore, që historikisht në Kosovë s’kanë pasur asnjë sukses. Recesionin tek ne as s’e ka përmendur kush në Kuvend.

Dy muaj ngërç, e prapë u bë siç deshën dy palët. “Po duam komision hetimor për energji”, “Edhe ne po duam komision...” – Po çka dreqin s’i themeluat deri tash?

Dy muaj na i morën dy çështje: Pozita pyeste kush do ta kryesojë komisionin e opozitës? Opozita pyeste pse pozita të na hetojë nga 2006-a?

Në fund për VV-në s’pati fort problem shkelja ligjore e PDK-së, që s’tregonte se po duan ta bëjnë Driton Selmanajn e LDK-së kryetar të Komisionit.

Jetëgjatësia gjashtëmujore e këtij komisioni do t’i hetojë 16 vjetët e fundit. Matematikisht i bie çdo ditë që kalon, Hajdar Beqaj me kolegë do t’i hetojë 32 ditë të asaj periudhe. Tu e njoftë Beqajn me shokë, zor se aty do të hetohet diçka.

Ndërsa PDK-ja e kishte tepër të rëndësishme t’ia japë lajmin e madh elektoratit të vet se s’ka lëshuar pe asnjë grimë në propozimin për themelim të komisionit. VV-ja u dorëzua para AbelardË Tahirit.

Shumë kohë na mori kjo zhurmë e fëmijëve kuvendarë. Shumë inate personale që veç gjyshit tim dhe gjyshërve tanë s’u sjellin asnjë dobi.

Në fund po del që edhe ligji ka mangësi. Sigurisht, ky ligj prej këtyre fëmijëve ka ardhur. Ndoshta gjyshi s’e ka edhe aq keq që edhe kur dirigjuesi i televizorit s’i punon, prapë e shan qeverinë.

Imagjinojeni çfarë mund të ndodhte nëse PDK-ja s’do të lidhte inati, por do ta tërhiqte propozimin për të treguar më pas se kush do të jetë kryesuesi. Apo VV-ja s’do të fokusohej në një shkelje, që Mimoza në fund prapë e përpiu. Unë s’do ta shkruaja këtë kolumne, ama shumë e puna në Kuvend mund të kryhej, tërheqja e trustit të themi...

U shanë me rob, por prapë u shoqëruan e filluan të luajnë si pa një të keqe – mos i merrni seriozisht, fëmijë hesapi.

Tjera nga autori:
1