<b></b> A do të këndojë Albin 'gjeli' për t’i çuar Liburnin e Martinin si pula në burg, siç thoshte për Thaçin dikur

A do të këndojë Albin 'gjeli' për t’i çuar Liburnin e Martinin si pula në burg, siç thoshte për Thaçin dikur

03.06.2022 14:02

Për ta shpëtuar lëkurën e vet, dikur Hashim Thaçi akuzohej nga Albin Kurti se po i çon në burg miqtë e tij. E tash kur miqtë e Kurtit po përfshihen në afera korrupsioni e shpëlarje parash, a do të bëhet Kurti gjel që i çon miqtë e tij si pula para dhelprës gjykatore?

Ekziston një konsensus në skenën politike se Albin Kurti është i pakorruptuar. Kjo shprehje e përsëritur shpesh në studiot televizive ishte një ndër arsyet pse VV-ja sot qeveris e vetme.

Edhe sot kur VV-së po i dalin afera me para në politikëbërjen e brendshme dhe të jashtme, zyrtarët e partisë po mbrohen duke thënë “S’jemi të korruptuar, kjo është pika jonë më e fortë”.

Por, fakti se Kurtit ende s’i ka dalë ndonjë aferë korrupsioni, nuk e bën kryeministrin tonë të pastër bilur. Dy anëtarë të kryesisë së VV-së tashmë përmenden në afera korrupsioni dhe shpëlarje parash.

Fillimisht ambasadori Martin Berishaj, e së fundmi edhe ministri Liburn Aliu janë dy pulat e para të cilat Albin gjeli duhet t’i bëjë kurban tek dhelpra, për ta mbajtur në dorë armën e tij më të fortë “i pakorruptuar”.

Kurti mund ta largojë infeksionin MartinBerishaj+LiburnAliu nga qeveria e tij nëse para mikrofonave të Komisioneve Parlamentare dhe bankave gjyqësore do të këndojë kundër miqve të vet.

Albin Kurtit mund t’i prijë fati si Hashim këndesit – që i thoshte dikur në studiot televizive. Madje shkonte aq larg sa të thoshte se ish-presidenti Thaçi i ka çuar 213 ushtarakë të UÇK-së nëpër gjyqe vetëm për ta shpëtuar lëkurën e vet.

Kryeministrit tonë veteran s’i ka bërë vaki të luftojë si Thaçi, andaj dimë se për krime lufte s’do të akuzohet. Por, për dallim nga ish-presidenti, kryeministri po akuzohet për qeverisje të korruptuar.

“A din si është ky presidenti ynë, si ajo anekdota ku gjeli i dërgonte pula dhelprës dhe në fund kur s’pati më pula, dhelpra i tha pulës ‘ndalu ti gjel, tash po të ha ty’”, thoshte Kurti në Deskun e KTV-së, gati dy vjet më parë.

“213 pula i ka çu. Po tash dhelpra po thotë ‘hajde edhe ti gjel se t’u kanë harxhu pulat’. Pra është një këso situate, ku tash e ka kapluar paniku për fatin e tij personal.”

E tash që Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me aferën e Liburn Aliut që u publikua në media, kush do ta mbrojë Qeverinë Kurti?

“Asokohe (më 2015) presidenti besonte se dhelpra është larg, e pulat janë shumë. Tash çka po ndodh është një kakarisje e gjelit i cili ka ngelur pa pula dhe ndodhet para dhelprës. Nuk e ka me motiv të shëndoshë për ta mbrojtur UÇK-në. Por, për ta mbrojtur veten”, thoshte Kurti.

“Presidenti aktual paratë s’t’i jep, se shokët t’i jep. Shokë ka me dhanë, por para s’ka më, por tash s’ka as shokë më. Sepse e ka parë edhe ai. Kur ai në krye e shikon interesin personal, çka të bëjnë këta tjerët? A është ai që thoshte se kam qenë larg vijave të frontit në euronews, çka i bjen kjo, merrni ata që janë afër vijave të frontit. Merrni shokët e mi se unë kam qenë larg. Kur ti thua se kam qenë larg vijave të frontit, i bie merrni pulat që kanë qenë afër vijave të frontit. Po, për mos me dalë prej species së shpezëve. A shkoi në Gjykatën Speciale? A ka kënduar si bylbyl aty katër ditë? Çka ka kënduar ai aty, ka kënduar katër ditë si bylbyl, tash jo si gjel por si bylbyl ka kënduar katër ditë me dyer të mbyllura në Prokurori. Çka ka kënduar aty? Ne s’e dimë çfarë ka kënduar aty”, thoshte Kurti.

Për Liburn Aliun s’është deklaruar hala, e Martin Berishajn ia ka lënë gjykatave të merren.

Pulat mund të presin edhe pak. Ndoshta kurbani i parë do të jetë një zog, Florent Ramqaj, i cili u pa të drejtohet për në objektin e qeverisë, pas publikimit të përgjimeve nga Nacionale.

Tjera nga autori:
1