<b></b> A e ka për Kurtin? Ali Ahmeti thotë se klasa politike në Kosovë ndikohet nga kafenetë

A e ka për Kurtin? Ali Ahmeti thotë se klasa politike në Kosovë ndikohet nga kafenetë

10.06.2022 09:43

Kundërshtimi i Kosovës për Ballkanin e Hapur vazhdon të nxisë reagime. Në njërën anë kryeministri Albin Kurti nuk heq dorë nga kundërshtimi, kurse në anën tjetër të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit janë bërë pjesë.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, ka qenë tepër kritik ndaj klasës politike të Kosovës. Madje, ka thënë se ndikohet nga kafenetë.

Edhe pse nuk e ka përmendur me emër kryeministrin Albin Kurti, ky i fundit e refuzoi ftesën për Ballkanin e Hapur.

"Klasa kosovare duhet të jetë më e guximshme. Nuk zgjidhemi për të bërë politikat në kafene, që shajmë, japim mendime të mëdha, që flitet për patriotizma të mëdha. Nuk zgjidhemi të qëndrojmë në shkallët e stadiumit. Zgjidhemi për të zgjidhur probleme dhe situata të vështira”, u shpreh Ahmeti.

“Ne zgjidhemi për t'i drejtuar ata që na zgjedhin dhe jo të biem pre e bisedave në kafene, apo të presioneve, qofshin ata presione të politikave ditore. Është përgjegjësi e madhe, jo e lehtë. Kosova është problemi i rajonit, i Shqipërisë, i Maqedonisë edhe i Malit të Zi, edhe i Serbisë.", deklaroi kryetari i BDI-së.

Takimi i fundit i Ballkanit të Hapur u mbajt në Ohër. Atje ishin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës.

Madje në një takim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e pati me Dritan Abazovic e Ali Ahmetin, një gazetar e kishte pyetur Ramën nëse po i mungon Kosova.

“A po ju mungon Kosova në tavolinë, zotëri kryeministër?”, ishte pyetja që drejtoi gazetari për Ramën.

“Po ti çka po bën, intervistë? Tash në lini ta pimë këtë kafe”, ishte përgjigjja e Ramës.

Në takimin e fundit mori pjesë edhe emisari i Amerikës për Ballkanin e Hapur, Gabriel Escobar.

“SHBA-ja e përkrah iniciativën për Ballkanin e Hapur. Ka shumë iniciativa për krijimin e një integrimi ekonomik. “Ballkani i Hapur” është një nga këto iniciativa. Ne përkrahim të gjitha iniciativat ekonomike që e afrojnë rajonin, promovojnë paqen e stabilitetin. Besojmë se kjo nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, kishte thënë Escobar.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish tha se është Serbia që duhet të hapet ndaj Kosovës, e jo Kosova të bëhet pjesë e Open Ballkan.

“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE përbëhet nga 6 shtete, me ç’rast këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës, dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e federatës ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur ”Ballkan të Hapur”, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se respekton vendimin e Kosovës për të mos qenë pjesë e nismës Ballkani i Hapur.

Në një deklaratë për mediat nga Ohri i Maqedonisë së Veriut, Rama nënvizoi se askush nuk e zë vendin e Kosovës në Ballkanin e Hapur.

“Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e vet. Vendi për Kosovën në Ballkanin e Hapur është aty.  Askush nuk e zë, askush nuk e mbush dot nëse nuk e mbush vetë Kosova. Nuk dua të them asgjë më shumë sepse çfarë kam pasur për të thënë i kam thënë. Ftesa është gjithmonë e hapur, por respektoj plotësisht vendimin e autoriteteve të Kosovës për të lënë vendin bosh”, tha kreu i qeverisë.

Tjera nga autori:
1