<b></b> A ti je veteran i UÇK-së? Të të vijë turp!

A ti je veteran i UÇK-së? Të të vijë turp!

14.06.2022 17:55

Çlirimtarët që u shpëtuan plumbave në luftë, u “vranë” nga Kurti dhe Lista Serbe në liri.

U vranë në shpirt, e thonjëzat i heqim nëse pas këtij ligji do të vazhdojnë t’i vrasin vetet e tyre, siç i kanë vrarë që nga paslufta.

Deri tash, më shumë se 50 veteranë të UÇK-së kanë kryer vetëvrasje si rezultat i shkaqeve socio-ekonomike...

Ende pa u përfunduar kjo fjali, dikush nga kampi qeveritar do të bërtiste “veteranët i kanë vrarë komandantët e tyre me fryrje të listave, para Kurtit” [+500 likes].

Por, pavarësisht se a besojmë apo jo se listat janë të fryra, Kurti bashkë me Listën Serbe i “vranë” ushtarët e UÇK-së duke i lënë në pozitën më të ulët të shoqërisë.

Në fund të fundit, kush është ai që mund t’i thotë Ramush Haradinajt se jo të gjithë ata “ushtarët” e tu kanë qenë ushtarët e tu. Askush. Se kush ka qenë ushtar i tij, më së miri e di Ramushi dhe ramushët e tjerë. Por, kjo s’është tema.

Votimi i ligjit ku çdo njeri ka pagë më të madhe se pensioni i veteranit, përveçse është ofendim ndaj luftës së tyre, është edhe dënim.

Urime, VV-ja e mbajti premtimin, paga minimale është rritur. Përveç juve veteranëve, ju do të jetoni në skamje, veç ju, sepse luftuat dhe na çliruat [e edhe i votuat ata tjerët].

Veterani që u poshtërua sot, s’është dikush që luftoi krah lushtakëve e haradinajve, dhe u mbeti miqësi edhe pas luftës, e tash merr rrogë të shtetit.

Veterani i poshtëruar sot, është një 60-vjeçar, kryefamiljar, i papunë, që s’jeton por mbijeton nga pensioni i luftës dhe shpesh mendon t’i japë fund jetës, sepse nuk e meriton këtë trajtim nga shteti i vet, nuk meriton të poshtërohet vetëm sepse luftoi për çlirim. Pra kemi veteran dhe veteran.

Jo të 60 mijë veteranët e Thaçit e Haradinajt marrin pension. Merr vetëm ky më lartë dhe soji i tij.

Nuk ke nevojë të jesh patriot, për ta kuptuar se askush s’duhet të jetojë me të ardhura më pak se paga minimale. Njëjtë do të ishte edhe nëse do të liheshin me ligj jashtë, le të themi, punëtorët e ndërtimtarisë.

Sikur të mos mjaftonte diskriminimi social, Kurti ua shtrydhi plagën veteranëve me Listën Serbe nga e cila mori votat e nevojshme për ta kaluar ligjin.

Kjo është shpallje lufte, por lufta e ftohtë me veteranët ka kohë që ka filluar. Fillimisht s’pranonte t’i takonte, sikur i takonin kryeministrat para tij. E tash as nuk po i përmendin në Ditën e Çlirimit, thua se luftën na e bëri dhe na e fitoi Finlanda.

S’pranonte t’i takonte bashkëluftëtarët e tij, duke e ditur mirë se do t’i tradhtojë së shpejti, ose ndoshta s’i ka bash-bash bashkëluftëtarë, e mund të turpërohet?! Kurtit iu desh një vit qeverisje, për ta bërë zemrën gur dhe t’i takojë çlirimtarët.

Po a ka turp më të madh për shoqërinë sesa kur më meritorët për krijimin e shtetit, të ndihen grupi më i turpëruar në shoqëri?

Shumë mirë që u rrit paga minimale, krejt meritojmë jetë dinjitoze, pos veteranëve të UÇK-së – në sytë e Kurtit.

Tjera nga autori:
1