<b></b> A u zbyth SBAShK-u para Kurtit? Rrahman Jasharaj 9 muaj kërcënime për 1 orë grevë

A u zbyth SBAShK-u para Kurtit? Rrahman Jasharaj 9 muaj kërcënime për 1 orë grevë

11.05.2022 07:54

Përplasjet mes qeverisë dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit vazhdojnë për më shumë se një vit. Kryetemat për të cilat ata s’po gjejnë kurrsesi gjuhë të përbashkët janë miratimi i Ligjit të Pagave dhe shtesat 100 euro deri në aprovimin e të parës.

Madje, së fundmi, SBASHK-u ka paralajmëruar hyrjen në grevë të përgjithshme të mbi 25 mijë mësimdhënësve nëse s’plotësohen kërkesat sindikale.  

Megjithatë, Qeveria Kurti ka vazhduar të injorojë kërkesat e SBASHK-ut, duke i kritikuar ata në paraqitje të ndryshme mediale. Për më shumë, kryeministri Albin Kurti ka refuzuar t’i takojë sindikalistët. 

Në dhjetor 2021, SBASHK-u eksperimentoi me grevë, duke mbajtur protestë për një orë mësimore. Por, pastaj u tërhoqën nga kjo nismë për t’i dhënë qeverisë një afat tjetër për të realizuar kërkesat e tyre.

As një nga afatet e SBASHK-ut, që u zgjatën vazhdimisht, s’është që hasen në mirëkuptimin e Qeverisë Kurti.   

Ultimatumi i fundit thekson se më 12 maj, mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit do të hyjnë në grevë njëorëshe, e pastaj më 20 maj do të protestojnë para qeverisë. Dhe nëse pas këtyre veprimeve s’do ketë reflektim nga qeveria për kërkesat e moçme, atëherë mësimdhënësit do të futen në grevë të përgjithshme.   

Gazeta Nacionale ka kontaktuar kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, për të mësuar se pse po tërhiqet vazhdimisht sindikata karshi ultimatumeve të dhëna kundrejt qeverisë.       

“Kjo nuk është tërheqje, por jemi duke i dhënë hapësirë dialogut, me shpresë se s’do shkojmë në grevë të përgjithshme”, i thotë Jasharaj, anipse pranon se qeveria deri tash s’ka dashur të futet në dialog me ta.  

Kryesindikalisti shpreson që masat e ndërmarra do të ngrenë alarmin në Qeveri për të biseduar përmbajtësisht për kërkesat e tyre. Megjithatë, Jasharaj rithekson ultimatumin e drejtuar ndaj Kurtit.

“Ky është afati i fundit. Nëse pas protestës së 20 majit do të detyrohemi të futemi në grevë të përgjithshme”, thotë ai.

Jasharaj komenton edhe llafet se qëndrimet e tij rrezikojnë të mos merren seriozisht pasi shpeshherë nuk janë mbajtur.

“Ne jemi shembull i mirë i organizimit sindikal. Ne jemi duke respektuar ligjin mbi grevat, e po ashtu edhe statutin e SBASHK-ut. Po ashtu, jemi në koordinim edhe me federatat tjera sindikale dhe jemi marrë vesh që çdo veprim ta marrim së bashku”, thotë Jasharaj përderisa arsyeton ‘pishmanllëkun’ e SBASHK-ut karshi Qeverisë.

Por, Jasharaj thotë se ka ende kohë për protestë meqënëse viti shkollor s’përfundon deri në qershor.

“Kanë mbetur boll ditë të vitit shkollor, e kemi edhe qershorin. Por, duhet të urojmë që të mos hyjmë në grevë [të përgjithshme], sepse do të ketë bllokim të sistemit arsimor dhe pastaj dihet ku do të jetë e keqja më e madhe”, deklaron kryesindikalisti. 

“Qeveritarëve s’po u dihet. Mund të ndodhë që ata veçse e kanë kryer Ligjin [e Pagave]. Mund të ndodhë që brenda ditëve [të miratohet]”, shton Jasharaj për gazetën Nacionale. 

Jasharaj komenton edhe atë se me gjithë këto shtyrje, me gjithë këto tërheqje, mos po i bie që sindikata s’po do të hyjë në përplasje edhe më të madhe me qeverinë. 

Kujtojmë që Ligji për Paga i hartuar gjatë Qeverisë së udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj ishte shpallur jo kushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Tjera nga autori:
1