<b></b> Abazoviq kundër rishikimit, a i ka vdekë

Abazoviq kundër rishikimit, a i ka vdekë "nana” demarkacionit?

11.05.2022 22:05

Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi, tashmë ka hapur letrat në lidhje me temat kryesore të politikës së jashtme të vendit që drejton. Shefi i ri e ekzekutivit malazezas e ka bërë të ditur qëndrimin e tij edhe në lidhje me nismën rajonale të Ballkanit të Hapur dhe për demarkacionin me Kosovën. Për këtë të fundit, Abazoviq ishte kristal i qartë.

Me gjuhën e tij të drejtpërdrejt, që në fakt e karakterizon atë si politikan, Abazoviq e mbylli një herë e mirë këtë temë, duke theksuar se demarkacioni për të është çështje e mbyllur.

Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, deklaroi dje Abazoviq.

Një përgjigje e tillë me gjasë nuk do t’i pëlqej kryeministrit Albin Kurti e posaçërisht liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilët njihen si përkrahës për rishikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në fakt, ditë më parë kryeministri Kurti shpërfaqi shpresat e tij se me ardhjen e Abazoviq në krye të ekzekutivit të Malit të Zi mund të krijohen kushte të reja për të rishikuar demarkacionin.

Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, tha Kurti.

Për këtë punë, në mbrëmjen e së mërkurës është deklaruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Sipas tij, Qeveria Kurti është përgjegjëse ta trajtojë demarkacionin.

"Kurti është në krye të ekzekutivit. Janë anekse të marrëveshjes së ratifikuar që thonë se do të formohet një trupë e studimit dhe evidentimit të gabimeve eventuale", tha Tahiri në Debat Plus.

Por, a mundet të rishikohet demarkacioni?

Profesori universitar, Florent Muçaj, është i bindur se çështja e demarkacionit në formën aktuale është çështje e përfunduar, duke theksuar se vetëm çështje teknike gjatë implementimit mund të rishikohen.

Çështja e demarkacionit është çështje juridikisht e përfunduar. Në ketë version të miratuar mund të ketë ndonjë çështje teknike gjate implementimit në terren që mund të rishikohet. Përndryshe rishikimi/ndryshimi thelbësor nënkupton vullnet të ri te shteteve dhe procedurë e re, qe ndryshon eventualisht obligimet e marra nga shtetet”, sqaroi Muçaj për Nacionale.

Sipas Ditar Kabashit, njohës i çështjeve kushtetuese, pa dakordimin reciprok mes Kosovës e Malit të Zi rishikimi teknikisht i demarkacionit nuk mund të ndodh. Megjithatë, Kabashi thotë se në instancë të fundit, Kosova mund të kontestojë atë në arbitrazh.

Përderisa nuk pranon Mali i Zi që të rishikohet teknikisht në terren pika kufitare, Kosova nuk mund të veprojë njëanshëm meqë Marrëveshja është miratuar ne Kuvend. Pra, fillimisht shkohet në rrugë politike mes qeverive. Nëse pranohet rishikimi, edhe Kuvendet e dy shteteve e miratojnë sërish marrëveshjen e re. Mirëpo nëse ka kontestim të njëanshëm, atëherë Kosova duhet të shkojë ne arbitrazh”, tha Kabashi për Gazetën Nacionale.

Ndërsa, analisti Avdi Smajljaj thekson nevojën që demarkacioni të trajtohet me kujdes, duke sqaruar se një çështje e tillë mund të rikthehet në kauzë politike anti-Abazoviq në Mal të Zi.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi duhet trajtuar me kujdes të shtuar. Deklarata e kryeministrit të Kosovës se kjo çështje do të diskutohet pasi z.Abazovic të merr detyrën e kryeministrit, mund të ngrit tensione në marrëdhëniet në mes dy vendeve. Kjo mund te sjell vete kryeministrin e Malit të Zi para një pozite ku mund të sfidohet nga opozita atje që mund ta përdor si mjet fillimisht për një krizë të rë qeveritare e cila pastaj mund të shndërrohet edhe në krizë politike e shtetërore, gjë të cilën është duke u përpjekur ta bëj edhe Serbia edhe Rusia, sidomos në rrethana të rritjes së ndikimit rus në nivel ndërkombëtar. Kjo do ta nxirrte kryeministrin e Malit te Zi si pro Kosovës e shqiptarëve, e kundër shtetit te tij”, thotë Smajljaj për Nacionale.

Ai i sugjeron Qeverisë Kurti maturi në deklarata publike përkitazi me demarkacionin.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë e matur në deklarata politike që të mos jetë e shtyrë drejt deklarimeve që mund të konsideroheshin si patriotike, por në fakt mund të kenë efekte destabilizuese rajonale”, përundoi Smajljaj.

Kujtojmë që demarkacioni ishte një ndër kauzat më të mëdha politike për shumë vite, teksa në Marrëveshja bilaterale mes Kosovës e Malit të Zi për demarkimin e kufirit ishte miratuar në vitin 2018.

Tjera nga autori:
1