<b></b> Ambasadori amerikan përgëzon Kosovën, Kurti ende pa ndonjë urim për fitoren e

Ambasadori amerikan përgëzon Kosovën, Kurti ende pa ndonjë urim për fitoren e "Dardanëve" kundër Qipros

02.06.2022 23:03

Sot kombëtarja e Kosovës në futboll ka shënuar fitoren e parë në Ligën e Kombëve. E pas ndeshjes që përfundoi dy me zero në favor të Kosovës, erdhën shumë urime për dardanët.

Një urim në adresë të djelmoshave të kombëtares erdhi edhe nga numri një i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Ambasadori Ambassador Jeff Hovenier ka shpërndarë në Twitter një fotografi që tregon rezultatin final të ndeshjes mes Kosovës dhe Qipros.

Këtë fotografi, ai e ka përcjellë me mbishkrimin urime në gjuhën angleze.

Por, ende kohë për të uruar kombëtaren e Kosovës nuk ka gjetur kryeministri Albin Kurti. Ani pse drejton shtetin që përfaqësojnë dardanët, Kurti ende nuk ka postuar asgjë në lidhje me fitoren e Kosovës në futboll.

Kujtojmë që Kurti sot ka udhëtuar për në Sllovaki ku do të marrë pjesë në Forumin e Bratisllavës GLOBSEC 2022 që mbahet mes dative 2- 4 qershor 2022.

“Krahas pjesëmarrjes në panelin e diskutimit “Tani ose kurrë - Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor”,  më 3 qershor, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe me liderë të vendeve të tjera, pjesëmarrës në këtë forum”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kujtojmë që Kurti kishte ngurruar në vazhdimësi të përcillte nga afër kombëtaren e Kosovës në futboll.

I pari i ekzekutivit për herë të parë vizitoi stadiumin ikonik “Fadil Vokrri” vetëm në nëntor të 2019, teksa ishte ende në opozitë. Madje, ai kishte bërë një status në Facebook, ku kishte postuar edhe një fotografi nga stadium.

“Më lart se kaq nuk është e mundur, sepse Anglia e Franca sot janë dy kombëtaret më të mira në botë. Njërën e pret Kosova, kurse tjetrën e pret Shqipëria. Rezultati në Prishtinë e ndihmon atë në Tiranë. Ju përshëndes nga tribunat e Lindjes në "Fadil Vokrri". FORCA!”, shkruante atëbotë Kurti.

Ndryshe një reagim aspak i hijshëm ka ardhur nga një zyrtar i VV-së në diasporë, gjersa Kosova po zhvillonte ndeshjen kundër Qipros.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani, Salih Abazi, përmes një shkrimi në Facebook, është shprehur i zhgënjyer me qeveritarët e VV-së, të cilët sipas tij po e promovojnë flamurin e Kosovës, siç e quan Abazi “lara – lara”.

“Aktivistë të dashur të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mos u nënshtroni ndaj atyre që po promovojnë flamurin dhe ngjyrat lara-lara. Ngriteni zërin sa më shumë, sepse qeveritarët tanë kanë harruar tërësisht konceptin tonë. Së shpejti do t'i shohim të pshtjellur me lecken lara-lara!”, ka shkruar Abazi.

I pyetur nga një komentues se për kë qeveritar konkretisht e ka fjalën, Abazi ka replikuar duke e postuar një fotografi të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili shihet me një fanellë të Kosovës në një takim të 1 qershorit me disa fëmijë - tifoz të basketbollit.

Për Abazin, ky flamur ka qenë i imponuar dhe mbetet i tillë.

“Çdokush që e promovon (flamurin e Kosovës) vepron kundër konceptit të Lëvizjes”, ka shkëmbyer komentet Abazi.

Ndryshe Kosova ka filluar kampanjën në Ligën e Kombeve me fitore ndaj Qipros. Ndërsa me 5 qershor, do të ndeshet me Greqinë, ku djelmoshat dardan do të kërkojnë fitoren e dytë radhazi në këtë garë.

E tre ditë më pas, saktësisht më 9 qershor, kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve, e ku do të përballet me Irlandën e Veriut.

Tjera nga autori:
1