<b></b> Ambasadori i Kosovës në Shqipëri: Marrëdhëniet janë të mira, nuk shoh asgjë kritike tek fotografia

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri: Marrëdhëniet janë të mira, nuk shoh asgjë kritike tek fotografia

14.06.2022 08:56

Një fotografi e postuar javën e kaluar nga presidentja Vjosa Osmani, ka shpërfaqur problemet që kanë mes vete politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë. Shefja e shtetit kosovar e postoi në profilin e saj një fotografi, e ku u ‘pre’ në gjysmë kryeministri Edi Rama, anipse dy krerët e shteteve ishin të ulur afër në një tavolinë.

Ajo që ishte sekret publik, tashmë u konfirmua edhe nga vetë Osmani nga Greqia, ku u mbajt Samiti SEECP (procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore). Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri po çalojnë, nuk janë si dikur të ngrohta e vëllazërore.

Siç shkroi ditë më parë Gazeta Nacionale, ftohja e marrëdhënieve vërehet prej të dyja kampeve.

Gjersa Osmani e shfaqi Ramën gjysmak, ky i fundit u kujdes ta paraqiste të parën e shtetit kosovar vetëm në një fotografi, ndonëse ai postoi saktësisht 15 sosh.

Rama në disa fotografi shihet me Vuçiqin, e në disa tjera me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, por vetëm në njërën prej tyre me Osmanin. Dhe atë, ulur, pa buzëqeshje.

Një postim i tillë ngjalli shumë reagime.

Por, padyshim, interpretimi më i çuditshëm erdhi nga Faton Peci, ministër i Ministrisë së Bujqësisë, dhe dikur bashkëpartiak i Osmanit në LDK.

Themeluesi i Listës Guxo, që është partia e dikurshme e Osmanit, tha se nuk beson që kjo e fundit e ka prerë fotografinë me kryeministrin Rama.

Tutje, Peci mes tjerash u shpreh se nuk mendon që raportet mes dy vendeve ndikohen mbi bazën e një fotografie.

Madje, besoni ose jo, ministri Peci hyri në terren të konspiracionit, teksa tha se fotoja mund të jetë bërë nga ndonjë akter me disponim të keq.

Nuk mendoj se raportet Kosovë-Shqipëri varen mbi bazën e një fotografie. Presidentja nuk e ka prerë foton. Në momentin kur shkrepet një fotografi, ndonjë akter mundet me qenë në disponim më të mirë, dikush në disponim më të keq”, ka thënë Peci në RTV Dukagjini.

E të dielën që iku, një tjetër skandal u prodhua në Kosovë, e që prekte marrëdhëniet me Shqipërinë. Hiç më pak se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, shpërndau një postim ku Rama cilësohej si pro-serb.

Një gjë e tillë provokoi shumë debat, duke shtyrë zyrën e Bislimit të shkruante një reagim, e që vetëm sa e thelloi skandalin.

Kabineti i Besnik Bislimit ka thënë se postimi është shpërndarë gabimisht.

Postimi në profilin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është shpërndarë gabimisht. Gjatë shfletimit të postimeve në rrjetin social Facebook, është klikuar pa qëllim butoni i shpërndarjes. Sapo është vënë re (2 minuta pas shpërndarjes), ajo është fshirë menjëherë. Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarjeje të bërë pa qëllim. Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie solide bashkëpunimi. Një shpërndarje e tillë e paqëllimshme, nuk duhet të keqpërdoret për të nënkuptuar mesazhe që nuk ekzistojnë”, shkroi Kadiu në Facebook.

Për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë ka folur edhe ambasadori kosovar në Tiranë, Skender Durmishi, i cili i cilësoi raportet mes dy vendeve si të mira.

Tutje, ai tha se nuk ka problem mes Kosovës e Shipërisë.

Nuk e shoh si kritike. Kjo ndoshta është stisje nga disa që nuk e di se ku po duan të arrijnë. Nuk ka probleme në marrëdhëniet mes dy vende, në rolin e ambasadorit këtu nuk shoh asgjë kritike”, tha Durmishi në T7.

Ndaj këtyre deklaratave të Durmishit, reagoi analisti Blerim Latifi, duke thënë se ambasadori i Kosovës po përdor të njëjtën retorikë që është përdorur në 20 vjetët e fundit.

Këtë retorikë që rrafsh 22 vjet e kemi dëgjuar, të njëjtën. Faktet po duken pak më ndryshe. Nëse dy kryeministra të një kombi nuk takohen për një vit, atëherë kjo tregon që ka ftohje mes tyre”, tha ai.

Ndryshe, fotografia që shkaktoi krejt debatin për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, vazhdon të jetë ende e publikuar në profilin e presidentes Osmani.

Tjera nga autori:
1