<b></b> Amerikë: Shqiptari i bën pyetje të vështira Albin Kurtit, përjashtohet nga takimi me gjithë shoqatë

Amerikë: Shqiptari i bën pyetje të vështira Albin Kurtit, përjashtohet nga takimi me gjithë shoqatë

22.05.2022 13:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që sot të largohet nga Amerika pas 16 ditësh qëndrimi. E meqë takimet zyrtare me zyrtarë të lartë amerianë munguan, agjenda e tij u mbush me takime nga komuniteti shqiptar. Ky është raportim mbi përjashtimin e një shqiptaro-amerikani që guxoi t’i shtronte pyetje të vështira kryeministrit.

Në një tubim që pritet të mbahet në bashkinë e Staten Island në New York, Kurti do të takohet me tri organizata shqiptare në New York.

Bëhet fjala për shoqatën “Dibra”, shoqatën “Ana e Malit” dhe shoqatën “Ulqini”. Por, një tjetër shoqatë nuk është ftuar, dhe arsyetimi nuk mund të ishte më banal.

Pyetjet

Paraprakisht, Kurti kishte mbajtur një takim tjetër me komunitetin shqiptar në New York, e ku u vërejt se i pranishëm ishte edhe kritiku i madh i Kurtit, aktivisti Uk Lushi.

“Sot në New York, njëjtë si me çdo kryeministër shqiptar, me KM Albin Kurti, direkt, kritik dhe mbështetës.” – kishte shkruar z. Lushi në profilin e tij në Facebook në një fotografi ku dukej bashkë me kryeministrin tonë.

Por, në atë mbledhje të organizuar nga shoqata “Vatra” edhe më kritik raportohet të ketë qenë një tjetër anëtar i komunitetit shqiptar.

Bëhet fjalë për Marko Kepin e shoqatës “Albanian Roots”[shq. Rrënjët Shqiptare]. Ai shprehet se i ka shtruar kryeministrit Kurti disa pyetje kritike e “të pakëndshme” që kishin të bënin me premtimet e dhëna para zgjedhjeve të 14 shkurtit, raportet me Republikën e Shqipërisë si dhe Bashkimin Kombëtar.

Ai i ka rrëfyer Nacionales se e ka pyetur kryeministrin në lidhje me punën e bërë për Bashkimin Kombëtar por është injoruar.

“Kurti nuk mu përgjigj, filloi të merrte pyetje tjera. I thashë “Më fal”, po pres përgjigje. I thashë para se të bëheshe kryeministër, çdo fjalë e jotja ishte vetëvendosje, bashkim kombëtar, flamur shqiptar, kundër-eulex etj.”

Megjithatë, më pas Kurti ishte përgjigjur në mënyrë diplomatike duke i thënë se duhej të punohej shumë me “reforma e projekte” dhe se marrëdhëniet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i kishte shumë të mira.

Sa i përket çështjes së Bashkimit Kombëtar, Kurti raportohet se konkretisht ka përmendur Kushtetutën e vendit e cila i ndalon vendit të drejtën e referendumit.

Marko Kepi njofton se Kurti ishte pyetur edhe në lidhje me Çakorrin por përsëri i ishte shmagur pyetjes.

Përjashtimi

Pyetjeve dhe diskutimit të pakëndshëm me kryeministrin e Kosovës ia pa sherrin Marko Kepi dhe shoqata që ai përfaqëson.

Organizatori i tubimit të sotëm me emrin Ismet Kurti me stafin e tij – mu për këtë arsye – ka vendosur që mes katër shoqatave shqiptare në Staten Island të mos e ftonte fare atë që quhet “Albanian Roots”.

Me pak fjalë: ata dje kritikuan, dhe sot u përjashtuan.

“Ky [Albin Kurti] po bën thjesht takime fotosh për fushatë.” ­– komentoi z. Kepi për Nacionalen.

Po ashtu, shqiptaro-amerikani ka shtuar se përfaqësuesit e shoqatave tjera të ftuara në takim me Kurtin janë të lidhura me kryeministrin e vendit.

Tjera nga autori:
1