<b>Anestezioni është total: </b> Gruaja nga Peja rrëfen operacionin e saj për humbje peshe në Turqi

Anestezioni është total: Gruaja nga Peja rrëfen operacionin e saj për humbje peshe në Turqi

09.05.2022 17:35

Një operacion për humbje në peshë i kryer nga presidentja Vjosa Osmani në Turqi ka shkaktuar zhurmë të madhe në opinion. Por, Osmani nuk ishte e vetmja në botë që i është nënshtruar një operacioni të tillë. Madje, as e vetmja në Kosovë. Për të mësuar më shumë në lidhje me operacione të tilla, Nacionalja foli me një grua kosovare që njësoj si presidentja, i ishte nënshtruar operacionit me tub.

Rreth tri vjet më parë, nutricionistja Erodita Tatlixhi nga Peja, kishte vendosur të kryente intervenimin për ngushtim të lukthit. Vendi ku vendosi të kryente intervenimin ishte në Izmir të Turqisë, në një ordinancë që atëkohë quhej Medifema. Pas kontakteve me ordinancën ishin marrë vesh për çmimin dhe ditën e intervenimit.  

‘‘Unë kam pagu atëkohë 3650 euro’’, kujton Tatlixhi për koston e intervenimit mjekësor, por që shton se sot për një intervenim të tillë çmimet janë zbritur pasi është rritur interesimi dhe sot në Stamboll intervenime të ngjashme mund të kushtojnë edhe 2500 euro.  

Interesimi rreth intervenimeve të tilla mjekësore erdhi pas raportimit të gazetës turke ‘‘Hurriyet’’ se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ishte nënshtruar një intervenimi të ngjashëm mjekësor, përmes të cilit largohet një sasi e caktuar e lukthit – ndërhyrje që besohet të jetë bërë vitin e kaluar. 

Rreth këtij intervenimi mjekësor, as presidentja Osmani dhe as Zyra e Presidencës, nuk kishin shpërndarë informacione me publikun. 

Sidoqoftë, gazeta Nacionale do të tentojë që përmes eksperiencës së Tatlixhit të shpjegojë procedurat mjekësore të cilave iu nënshtrohet pacienti për një intervenim të tillë.  

“Tri ditë [minimum] duhen për një intervenim të tillë”, tregon Tatlixhi. 

Sipas saj, dita e parë është vetëm konsultë me mjekun që do ta kryejë intervenimin dhe nga aty pacienti njoftohet në detaje se si kryhet intervenimi. Pastaj për pasojat eventuale si dhe komplikacionet që mund të shfaqen përgjatë këtij intervenimi mjekësor, si dhe njoftohet për terapinë që do ta marrë pas intervenimit. 

 “Ditën tjetër [dita e dytë] bëhen komplet analizat; prej analizave më të thjeshta, deri tek tumorografia, e pastaj kalon edhe te konsulta me psikiatrin”, thotë Tatlixhi, duke shtuar se përgjatë këtyre tri ditëve pacientit i ndalohet të hajë. 

‘‘Veç ndonjë supë, dhe atë rrallë’’, thotë Tatlixhi për atë se si është ushqyer gjatë pasaj periudhe 72 orëshe.

Tatlixhi thotë se pasi pacienti t’i ketë kaluar këto faza, atëherë në ditën e tretë i nënshtrohet intervenimit mjekësor. 

“Të shtijnë në gjumë dhe fillon intervenimi. Intervenimi zgjat diku jo më shumë se 45 minuta, nëse nuk ka komplikime gjatë ndërhyrjes”, thotë Tatlixhi.

“Anestezioni është total pasi bëhet me katër vrima, pra bëhet me laparaskopi”, thotë Tatlixhi, duke shtuar se diç më shumë se dy orë i ka zgjatur efekti i anestezionit të përgjithshëm. 

“Po intervenimi nuk është i mundimshëm”, insiston Tatlixhi. 

Ajo kujton se pas këndelljes nga anestezioni, mjekët tentojnë ta fusin pacientin në lëvizje. Kjo përsëritet përgjatë gjithë ditës së intervenimit mjekësor dhe, siç i kanë thënë mjekët nga Turqia, kjo bëhet pasi që lëvizja nuk është aq e lehtë për pacientin.   

‘‘Pas ditës së tretë të intervenimit kam mundur të ec deri 40 minuta”, shton ajo.  

Tatlixhi kujton edhe pushimin mjekësor, që mjekët i kishin kërkuar ta respektonte. 

“Pas dy javësh lirisht mund të kthehesh në vendin e punës. Pas dy javësh këndëllet pacienti”, thotë Tatlixhi, por shton se ditët e para të intervenimit pacienti ndihet shumë i lodhur dhe se ka persona që as pas një muaji s’mund të këndellen plotësisht.

Tjera nga autori:
1