<b></b> Anëtarësimi i Kosovës në KE nuk është i lehtë, duhet lobim dhe kapacitete njerëzore

Anëtarësimi i Kosovës në KE nuk është i lehtë, duhet lobim dhe kapacitete njerëzore

14.05.2022 15:10

Rruga e anëtarësimit të Kosovës drejt Këshillit të Evropës nuk po duket të jetë e lehtë.

Për t’i siguruar dy të tretat e votave të nevojshme për anëtarësim, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen fuqishëm.

Njohësit e proceseve politike në vend kanë treguar për hapat që duhet t’i ndjekin institucionet për të siguruar votat e nevojshme për anëtarësim në organizatën me të vjetër politike në Evropë.

Ata kanë bërë me dije se në këtë proces, i cili pritet të zgjasë disa vite, Kosova duhet të koordinohet ngushtë me aleatët evropian dhe të ketë kapacitete të nevojshme njerëzore.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, ka treguar se proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare janë shumë komplekse dhe unike për secilën organizatë.

Sipas tij, një format i njëjtë nuk zbatohet në të gjitha aplikimet.

“Kur flasim për diplomacinë multilaterale duhet të jemi të ndërgjegjshëm se është një formë delikate e politikes së jashtme dhe te bërit diplomaci. Aty kërkohen teknika tjera, krijime aleancash, debate dhe komunikim i përditshëm. Diplomacia në përgjithësi është politike e jashtme, qeverisje, por është edhe sjellje diplomatike shume delikate. Aplikimi nuk do te thotë anëtarësim. Pra nuk duhet të ketë ekzaltime të parakohshme. Nuk mund të avancohet nëse një proces aplikimi për anëtarësim konsiderohet si një punë e thjeshtë rutinore, apo thjeshtë e drejtë për të aplikuar”, ka shkruar Murtezaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka theksuar se Kosova gjatë kësaj kohe duhet të mbajë raporte të ngushta me aleatët e saj brenda KE-së. “Dhe kryesorja, për të dalur me sukses duhet shumë komunikim, me të vërtetë shumë komunikim, shumë respekt për palët, shumë të kuptuar të palëve, krijim dhe kultivim i marrëdhënieve me anëtarët e organizatës nga te cilët pret përkrahje dhe vote pozitive. Pastaj duhet alokuar burimet e nevojshme njerëzore qe duhet te jenë profesionale dhe diplomatike te duhura. Diplomacia e Kosovës duhet ti ketë këto parasysh”, ka shkruar ai.

Edhe politologu Avdi Smajljaj ka treguar se anëtarësimi në këtë organizatë nuk është i lehtë.

Ai ka treguar se Serbia do të mundohet që më të gjitha forcat ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Aplikimi për anëtarësim në KE do të duhej shoqëruar paraprakisht, e edhe tash e tutje me përpjekje për të konfirmuar mbështetjen për anëtarësim nga shtetet anëtare të KE. Nëse njohja nga shtetet është përcaktuese edhe e mbështetjes për anëtarësim në KE, atëherë janë 2/3 e nevojshme për anëtarësim. Megjithatë, duke marr për bazë fushatën kundër kësaj iniciative, do të duhej një lobim i fuqishëm edhe te disa shtete që na kanë njohur, por mund të hamendësohen për shkak të lobimit agresivë që janë duke e bërë ata që janë kundër”, ka shkruar Smajljaj në profilin e tij në “Facebook”, duke përmendur përvojat jo të mira të Kosovës drejt anëtarësim në disa organizata tjera.

“Përvoja e aplikimit për anëtarësim në Interpol, ndër të tjera, ka dëshmuar praktika të tilla, ku shtete që na kanë njohur kanë abstenuar e ka që kanë qenë kundër. Shto kësaj, pasivitetin e pashpjegueshëm të politikës së jashtme kohëve te fundit, dhe ndryshimin e theksuar të rrethanave në politikën ndërkombëtare, jo në favorin tonë.  Më me prioritet do të duhej të ishin vizitat në këto shtete anëtare sesa në Amerikën Latine”, ka shkruar ai.

 

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murati, ka vlerësuar se koordinimi me aleatët është jetë në këtë rrugëtim.

“Unë po shpresoj që kësaj radhe ministria e punëve të jashtme – qeveria e ka analizuar këtë çështje dhe e ka bërë me aleatët tanë. Në këtë drejtim është e rëndësishme edhe Franca, që të koordinoheshin me Francën, Gjermanin me shtetet që janë edhe me peshë. Në rrethana normale varianti më optimist do të ishte dy deri në tre vjet por mund të zgjasë deri në katër vjet. Është një procedurë që nuk është e thjeshtë dhe e shpejtë”, ka deklaruar Murati për EO.

Franca mund ta komplikon punën

Pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KE, Franca ka shprehur një mendim më të ftohtë karshi këtij procesi. Ky shtet ka tentuar që këtë rrugëtim ta ndërlidh me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.  

Nëpërmjet Ambasadës së saj në Kosovë, Franca ka vlerësuar se e ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Por, sipas francezëve, prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të  bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë  drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”, thuhet në postimin e Ambasadës së Francës në Facebook.

Politologu Agon Maliqi, ka vlerësuar se në eliminimin e skepticizmit tw Francës rol pozitiv mund të luajnë Gjermania dhe Britania e Madhe. Sipas tij, këto dy vende mund ta lehtësojnë rrugëtimin e Kosovës drejt KE-së. “Ky lloj i gjuhës së qartë nga i dërguari i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor është shumë i mirëpritur dhe i rëndësishëm. Megjithatë, do të jetë po aq e rëndësishme që Gjermania dhe Britania e Madhe të ndihmojnë për t’u siguruar që të mos ketë pengesa midis disa njohësve kryesorë në Evropë. Ky moment është i rëndësisë së madhe ku dështimi nuk është një opsion” ka shkruar Maliqi në “Twitter”.

Ndërsa, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se për këtë çështje ka diskutuar me përfaqësues të Francës. “Unë kam biseduar me përfaqësuese të ndryshëm të BE-së, ndër ta edhe me përfaqësues të Francë dhe ne na është thënë se Franca e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne po punojmë me secilin shtet veç e veç dhe nëse Franca në ndërkohë mund të ketë një dilemë ne jemi të gatshëm që të bisedojmë me të por ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar që Franca ka dilema rreth anëtarësimit në KE”, ka deklaruar Gërvalla të premten në një konferencë për medie.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar të enjten aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës ndaj Ukrainës.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

 

Tjera nga autori:
1