<b></b> Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, profesorët amerikanë kritikojnë ashpër Francën

Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, profesorët amerikanë kritikojnë ashpër Francën

20.05.2022 09:26

Përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës, rriti entuziazmin e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të rëndësishme ndërqeveritare. Me anë të aplikimit, Kosova dëshiron t’i bashkohet vendeve anëtare në këtë Këshill, që përbëhet nga 46 vende.

Kosovës i erdhën dy lloje të përkrahjes, njëra mbështetje e pakushtëzuar, ndërsa tjetra e kushtëzuar.

Në grupin e parë të mbështetësve të pakushtëzuar janë Gjermania e Mbretëria e Bashkuar, ndërsa në grupin e dytë bën pjesë Franca.

Gjersa deklarimi pro i Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për aplikimin e Kosovës në këtë organizatë, nuk u shoqërua edhe me përkrahjen e qartë të Francës. Kjo e fundit, nëpërmjet ambasadës së saj në Prishtinë, e ndërlidhi aplikimin me rrjedhën e dialogut Kosovë – Serbi, duke lutur palët të përmbahen nga akte që mund të nxisin tension.

Për këtë çështje, gazeta Nacionale ka kërkuar mendimin e dy profesorëve amerikanë Daniel Serwer dhe Edward P. Joseph.

Joseph, i cili ligjëron në shkollën “Johns Hopkins”, për Studime Ndërkombëtare të Avancuara, kundërshtoi prerazi qëndrimin e ambasadave franceze dhe kujtdo që e lidh këtë aplikim të Kosovës me procesin e dialogut në Bruksel. Ai theksoi se këto dy procese nuk janë kundërshtuese njëra me tjetrën.

“Për Këshillin e Evropës, është me rëndësi të kuptohet saktësisht gjendja. E para, Gjermania duket se po i ofron mbështetje të qartë aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. E dyta, përderisa nuk ka pozicizion zyrtar nga Parisi, shkrimet në Twitter nga ambasadat franceze edhe në Kosovë por edhe në Serbi, nënkuptojnë që Franca është përnjëmend kundërshtuese”, i tha gazetës Nacionale Joseph, i cili mendon se Kosova dhe Serbia duhet të negociojnë një marrëveshje, siç thotë ai “të dinjitetshme, që mbron serbët e Kosovës brenda një sovraniteti të plotë të saj”.

Nacionale bisedoi edhe me profesorin tjetër amerikan, Daniel Serwer, i cili po ashtu kritikoi qasjen e Francës në raport me aplikimin e Kosovës për antarësimin në KE.

Ai është në një linjë të njëjtë me kolegun Joseph, se procesi i dialogut nuk duhet të përcaktojë fatin e Kosovës për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Këtë ndërlidhje, ai e quan “marrëzi”.

“Supozoj se qasja do të jetë kushtëzuese, mirëpo kjo do të ishte marrëzi dhe kundër-produktive”, u shpreh për Nacionale Serwer, i cili gjithashtu ka përmendur përfitimet që do t’i ketë Kosova nëse bëhet pjesë e KE-së.

“Dëshira ime është të shohë Kosovën anëtare të KE-së, sepse kjo do të siguronte mbrojtje të rëndësishme të të drejtave të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë minoritetet”, deklaroi Serwer, i cili mendon që gjasat e Kosovës për antarësim janë të mëdha.

Për Joseph, Këshilli i Evropës dhe NATO duhet të ecin përpara në mënyrë që të përshpejtojnë marrëveshjen, siç e kategorizon ai “të stërzgjatur për çështjen e Kosovës”.

Por, sipas profesorit amerikan, kontrolli që ka Beogradi ndaj Kosovës është kontroll edhe ndaj SHBA-së dhe BE-së dhe presidentin serb e quan “autokrat”.

“Vlen të kujtohet që Aleksandër Vuçiqi erdhi në pushtet fillimisht me premtimin se do të luftonte korrupsionin. Por, progresi demokratik i Serbisë është kthyer metodikisht prapa përgjatë dhjetë viteve sa partia e tij ka qenë në pushtet”, i tha Nacionales Joseph, i cili Kurtin e Osmanin i quan të ndryshëm nga Vuçiqi, dhe rekomandon gazetarët dhe diplomatët që liderët kosovarë të pyeten vazhdimisht për luftën kundër korrupsionit, premtime me të cilat edhe erdhën në pushtet Kurti e Osmani.

Ndërsa procesin e dialogut, Serwer e quan të pa alternativë.

“Dialogu po vazhdon në nivele më të poshtme se presidentët dhe kryeministrat, dhe duhet të vazhdojë kështu”, ka vlerësuar ai, duke nënvizuar se “nuk ka dy të vërteta, ka vetëm dy pikëpamje politike”.

Tjera nga autori:
1