<b></b> Anëtarësimi në Këshill të Evropës, trazohet Serbia – Daçiq e pranon se Kosova i ka votat

Anëtarësimi në Këshill të Evropës, trazohet Serbia – Daçiq e pranon se Kosova i ka votat

12.05.2022 20:14

Këtë të enjte, Kosova edhe zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, organizatë e rëndësishme ndërkombëtare. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar sot aplikacionin në selinë e Këshillit të Evropës, pasi Rusia javë më parë u përjashtua nga ky mekanizëm ndërqeveritar.

Ky lajm ka ngjallur shumë reagime tek një vend që është aleat i Rusisë. Serbia, që është kundërshtare e ashpër e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ka reaguar që nga dje duke paralajmëruar hapa në kundërshtim të këtij synimi të shtetit kosovar.

Gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi se ky hap i Kosovës nënkupton shkeljen e Marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar në shtator të 2020.

“Me këtë veprim, Prishtina ka shkelur edhe një marrëveshje që ka nënshkruar, e ajo është Marrëveshja e Uashingtonit. Ata e kanë shkelur brutalisht atë”, ka thënë Vuçiq.

I pari i shtetit serb paralajmëroi se Serbia nuk do të rri duarkryq ndaj tentativës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës.

“Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje dhe psikozë dhe të japim përgjigje. Prandaj kam caktuar një Këshill të Sigurisë Kombëtare për nesër. Në javët në vijim, ne do të bëjmë çmos për të luftuar dhe mbrojtur vendin tonë. Nuk ka tërheqje dhe dorëzim para shantazhit, ata do të bëjnë gjithçka që ne të njohim pavarësinë e Kosovës, dhe neve na takon ta mbrojmë vendin tonë”, theksoi Vuçiq.

Por, ai e bëri të qartë se kundërshtimi serb do të jetë paqësor.

“Ne jemi një vend i vogël, do të përpiqemi t'i kundërshtojmë në mënyrë paqësore. Jeta është luftë dhe ne do të luftojmë, nuk ka tërheqje, nuk ka dorëzim dhe nuk ka shmangie të shantazheve dhe ultimatumeve”, sqaroi Vuçiq.

Madje, lideri i Serbisë deklaroi se ndërkombëtarë që krijuan shtetin e Kosovës, do të bëjnë gjithçka për të universalizuar njohjen e pavarësisë së shtetit kosovar.

“Ata i kanë krijuar, ata i ruajnë dhe ata do të bëjnë gjithçka që ne të njohim pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë, dhe është e jona ta mbrojmë vendin tonë”, ka thënë ai, transmeton Gazeta Nacionale.

E krejt i dorëzuar përballë kësaj iniciative të Kosovës dukej kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se kosovarët e kanë tashmë shumicën e nevojshme në Këshill.

“Në Këshill kanë shumicën e nevojshme, por në organizatat tjera në nivel të Kombeve të Bashkuara nuk kanë asnjë shans”, ka thënë Daçiq për portalin “Novosti.

Edhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin, duke komentuar aplikimin e Kosovës në KE, theksoi se vendet e Bashkimit Evropian duhet të votojë kundër. Madje ai kërkoi ndalimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim.

“Prishtina ose do të dënohet dhe ndalohet, ose do të tregohet se çdo gënjeshtër është e lejuar kundër Serbisë dhe se nuk ka as të drejta e as drejtësi për serbët. Neve nuk na duhet që të presim edhe njëzetë vjet të tjera për të kuptuar nëse Bashkimi Evropian e do Serbinë në kuadër të saj, do të mjaftojë të votojnë ose të mos votojnë kundër pranimit të Kosovës në një organizatë që është e përbërë nga shtete”, tha Vulin gjatë ditës për mediat serbe.

Ndryshe, ministrja e MPJD, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës, duke thënë se dorëzimi i aplikacionit hap një kapitull të ri për vendin.

Optimizmi shtohet edhe më shumë nëse merret në konsideratë fakti që dy të tretat e shteteve aktualisht anëtarë në KE e njohin pavarësinë e Kosovës. Dhe në mungesë të Rusisë, gjasat për anëtarësim janë reale.

Tjera nga autori:
1